Ngjarje

Minatorët e Spaçit prej 2 javësh në protestë, kërkojnë kontratë kolektive, Kompania: Të rikthehen në punë

Nga Gazeta Si- Prej dy javësh, minatorët në Spaç janë në protestë ku kërkojnë rritje page dhe kushte më të mira pune. Ata kërkojnë njohjen zyrtare të sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punës, të cilat, sipas tyre, janë thelbësore për garantimin e kushteve më të mira të punës dhe të drejtave të tyre.

Minatorët nuk kanë pranuar të fillojnë punën pa arritur me një marrëveshje me kompaninë ‘TETE Albania’ por nga ana tjetër, drejtuesit e kompanisë nuk kanë pranuar të bisedojnë pasi thonë se nuk e njohin ligjërisht sindikatën që përfaqëson minatorët e Mirditës.

Kompania ‘TETE Albania’ ka reaguar zyrtarisht në lidhje me protestën, duke e cilësuar procesin si të paligjshëm dhe jashtë procedurave të parashikuara nga Kodi i Punës.

Në një deklaratë për shtyp, kompania thotë se që prej themelimit ka ushtruar aktivitetin “në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret, duke respektuar të drejtat e punonjësve dhe të gjitha proceset ligjore”.

“U bëjmë thirrje 43 punonjësve, kontratat e të cilëve janë ende në fuqi, që të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës,” thuhet në deklaratë.

Sipas kompanisë, krijimi i sindikatave dhe anëtarësimi në to është një e drejtë ligjore e çdo punonjësi, por ndërprerja e punës pa ndjekur procedurat ligjore përbën shkelje të rregullave dhe ndikon negativisht tek punonjësit e tjerë.

TETE Albania paralajmëron se nëse situata nuk normalizohet në një periudhë të shkurtër, kompania mund të përballet me vështirësi në shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj punonjësve aktivë, për shkak të dëmeve ekonomike që tashmë janë shkaktuar.

“Ndërprerja e punës ka shkaktuar dëme të ndjeshme ekonomike që përbëjnë një ‘sulm ekonomik’ ndaj stabilitetit të kompanisë,” thekson më tej njoftimi.

Në përfundim, TETE Albania shprehet se zgjidhja e qëndrueshme e situatës mund të arrihet vetëm përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv, në respekt të kuadrit ligjor dhe procedural në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë