Filma

Millosheviçi, Depardieu dhe Gjirokastra

Vizita e Gerard Depardieu në Gjirokastër nuk mund të shkonte thjesht e vetëm si një lajm kulturor. Edhe pse në qytetin e gurtë e sollën xhirimet e një filmi, titulli por edhe figura kontroverse e francezit që la shtetësinë frënge për atë ruse si një akt zemërate nga taksat e shtetit të tij, do ta bënte praninë e aktorit të madh edhe çështje politike.

Në Gjirokastër, Depardieu-së iu dha Çelësi i Qytetit, ndërsa ai u shpreh i nderuar se ishte qytetar i vendlindjes së Kadaresë, shkrimtari i madh shqiptar që e bëri Parisin shtëpinë e dytë, pas azilit më 1990-n, ndërsa filmi që po xhiron është një prodhim  franko-kosovar, i titulluar “Millosheviçi dhe unë” rindez edhe njëherë debatin ende të nxehtë mbi Nobelin e Letërsisë për 2019-n.  Austriaku Peter Handke, që si Kadareja e bëri Parisin vendin e tij të dytë dhe ai që i propozoi shtëpisë botuese “Verlag” në Austri përkthimin dhe botimin e veprave të shkrimtarit shqiptar, por me një simpati bizare për udhëheqësin serb, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime lufte.

Aktorit francez, Gerard Depardieu, i akordohet Çelësi i Qytetit të Gjirokastrës.

Jo vetëm kaq, por takimi i Depardieu-së me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të porsazgjedhurin e Kosovës Albin Kurti, u pa me sy kritik nga kundërshtarët politikë të këtij të fundit. Këshilltari i kryeministrit në largim, Haradinaj – i cili dha dorëheqjen pas thirrjes nga Haga për herë të tretë i akuzuar e më pas i shfajësuar për krime lufte -,  shkruante se fotografisë që kryeministri Rama postoi në rrjetet sociale i mungonte padyshim ithtari i Millosheviçit, shkrimtari Peter Handke. E si të mos mjaftonin këto, aktori francez vjen në Shqipërinë, të cilës sapo iu mbyllën dyert e BE-së, pikërisht nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Kryeminsitri Rama dhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë Albin Kurti, me Depardieu dhe kastëne filmit "Millosheviçi dhe unë".

Por në fund, asgjë nga këto nuk ka lidhje me aktorin francez dhe siç thuhet zakonisht në filma çdo përkim me emra apo ngjarje reale, është thjesht rastësor. Ishte thjesht rastësi që vizita e Depardieu-së në Shqipëri të lidhej me kaq elementë politikë, edhe pse ky i fundit nuk i ka kursyer deklaratat politike, ndërsa e cilësonte “atdheun” e dytë Rusinë si “demokraci e madhe”, pasi siç e ka bërë të ditur regjisori Arben Kastrati xhirimet do të duhet të kishin nisur qysh në muajin prill, shumë kohë para Nobelit dhe para vendimit që liderët e BE-së do të merrnin për çeljen e negociatave, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Heronjtë që ne adhuronim, të tjerët i trajtonin si kriminel. Prandaj, lindi motoja: “Heroi i vendit tim, është kriminel për vendin tjetër”

Por vizita e Depardieu-së, ikona e kinemasë franceze, nuk mund të shkonte as si lajm rastësor. Në një intervistë të pak kohëve më parë, regjisori Arben Kastrati ka rrëfyer se e pat takuar Depardieu-në në shtëpinë e tij në Paris dhe se kishin rënë dakord thuajse menjëherë për rolin e tij.Sipas Kastratit, aktori francez jo vetëm është i informuar rreth politikës globale, por kishte njohuri si për Kosovën, ashtu edhe për Millosheviçin.

“Pas, trajtimit që i bëmë, vazhdimin e bisedës e fokusuam duke trajtuar politikanët, dhe arsyet që i shtyjnë shumë nga ata të bëhet të tillë siç bëhen…Ai kishte takuar shumë kryetarë shtetesh. Dhe shumë diktatorë…”, rrëfente regjisori nga Kosova, po ashtu edhe skenarist i filmit që krenohet me një kastë ndërkombëtare aktorësh si italo-francezja  Alessandra Martines,  amerikania  Pamela Bowen dhe aktorja franceze Nathalie Boyer.

Ngjarjet e filmit janë të vendosura në vitin 2003. Katër vite pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s, që sollën edhe çlirimin e Kosovës nga forcat serbe. “Është paslufta, kur e gjithë popullata kolektivisht ishim të dehur nga liria”, ka zbuluar regjisori. Kohë kur qarkullonin edhe rrëfenja nga më të ndryshmet. “Edhe heroi i filmit tim, ka dëftimin e tij. Një dëftim sa tragjik aq edhe komik”,  ka zbuluar ndër të paktat hollësi të filmit Kastrati.

Protagonisti, një shqiptar nga Kosova, takon Millosheviçin... Një ngjarje e vërtetë ka zbuluar regjisori, pa u hedhur më tej në rrethanat që sollën takimin mes tyre. “Kryepersonazhi e dëfton takimin mes tyre si triumfator. Dhe është superioriteti i tij ndaj Millosheviçt, që e bënë atë që ta vendosë veten para Millosheviçit: “Unë dhe Millosheviçi”. Të tjerët dëshmitarë, takimin mes tyre e dëftojnë, ndryshe.  Cila është e vërteta e takimit mes tyre?”. Është ky subjekti që përpiqet të eksplorojë filmi i Kastratit, që ka zgjedhur të bëjë komedi nga ai kontekst i turbullt i pasluftës.

Depardieu me regjisorin Arben Kastrati

Ishte kohë që prodhoi shumë heronj të rremë dhe kriminelë të vërtetë, mendon regjisori, duke e sjellë rrëfenjën e tij vizuale pikërisht në ngatërresat mes dy përcaktimeve. Një hero shpallet aksidentalisht, duke shfrytëzuar rrethanat në të cilat gjendet Kosova. Por heronjtë e një vendi në Ballkanin e përgjakur nga luftërat dhe të veshur me urrejtje mes popujve dikur pjesë e  konfederatës Jugosllave, ishin kriminelë në një vend tjetër. Personazhi i akuzuar në Hagë, kthehet në vendin e tij si hero.

“Heronjtë që ne adhuronim, të tjerët i trajtonin si kriminel. Prandaj, lindi motoja: “Heroi i vendit tim, është kriminel për vendin tjetër”. Dhe e kundërta”, ka shpjeguar Kastrati, i cili ngre pyetjen se kush ishin heronjtë e vërtetë. Nëse protagonisti nuk do të qe hero, nuk do të ishte as kriminel.

“Pas, trajtimit që i bëmë, vazhdimin e bisedës e fokusuam duke trajtuar politikanët, dhe arsyet që i shtyjnë shumë nga ata të bëhet të tillë siç bëhen…Ai (Depardieu) kishte takuar shumë kryetarë shtetesh. Dhe shumë diktatorë…”

Sensi i humorit në skenar, e bëri aktoren franceze Nathalie Boyer ta pranonte menjëherë rolin dhe të përfshihej madje edhe në fazën e paraproduksionit. Edhe regjiori Nicolas Duval, i cili do ta ndihmojë Kastratin në këtë projekt, e ka vlerësuar mënyrën sesi skenaristi eksploron natyrën njerëzore. “Ajo që dua të bëj me këtë film është që karakteret të na tregojnë gjëra dhe se çfarë po ndodh, dhe jo që ato t’i mbajnë sekret deri në fund. Mendoj se është e rëndësishme që filmi t’i nxisë njerëzit që të mendojnë dhe jo vetëm ti argëtojë” është shprehur Duval.

Edhe aktorë të tjerë të kastës së pasur me 68 aktorë e kanë vlerësuar si të guximshëm dhe të veçantë skenarin e Kastratit. “Një skenar si ky me guxim, me kaq vizion, njohuri deri në detaje të qenies sonë, moti nuk kam lexuar. Prandaj edhe më ka intriguar shumë dhe kam pranuar. Është koha e fundit që ne ta paraqesim realitetin tonë ashtu siç jemi dhe të bëjmë filma për veten tonë”, do të shprehej aktori Afrim Kasapolli.

Regjisori thotë se ka një kastë aktorësh që do  t’ia kishin zili edhe francezët, e që i mblodhi skenari i mirë dhe personazhet e shkruara bukur. Aktorë të përmasave të tilla, nuk joshen me skenarë mediokër. Ata pranojnë të luajnë vetëm aty ku shikojnë potencial. Fundja, unë as financiarisht nuk arrijë t’i josh”, është shprehur Kastrati, duke zbuluar se Kosova nuk ka qenë  e interesuar në financimin e filmit dhe sipas tij kjo edhe për arsye politike, veç mërive personale. Ndonëse xhirimet nisën shumë më vonë nga parashikimi, në shtator, regjisori shpreson që filmi të jetë gati në dhjetor të këtij filmi, duke synuar audiencën europiane dhe festivalet e filmit.

Depardieu me presidentin rus,Vladimir Putin

Ishte viti 2013, dy vjet pasi kishte interpretuar në filmin “Rasputin” – mbi jetën e murgut ekscentrik rus Grigori Rasputin -, prodhim franko-rus, që Depardieu mori shtetësinë ruse.  Kryeministri  i atëhershëm francez e cilësoi vendimin e Depardieu-së për t’u larguar nga vendi, si mjeran.

Lëvizja e tij ndodhi për shkak të politikave të ish-presidentit Hollande, për të taksuar me 75 përqind ata që kishin mbi 1 milionë euro fitime. Depardieu e akuzoi qeverinë socialiste se po ndëshkonte “suksesin, krijimtarinë dhe talentin”, ndërsa e cilësonte Putinin mik dhe biznesmen të suksesshëm, që taksonte me taksën e sheshtë  me vetëm 13 përqind.

“E dua vendin tuaj, Rusinë, njerëzit e saj, historinë, shkrimtarët, e dua kulturën dhe inteligjencën tuaj”, deklaronte dikur Depardieu, ndërsa prej pak ditësh do të bëhej qytetar nderi i Gjirokastrës, qytetit që lidhet me një tjetër shkrimtar të madh dhe pretendues i Nobelit të Letërsisë, me të cilin e lidh kultura franceze dhe Parisi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë