Nga Gazeta ‘Si’- Një brez i ri nacionalistësh serbë etnikë po përgatitet për luftë në Bosnje, zbulon The Telegraph.
Qindra militantë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar krah trupave ruse, me bindjen se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë duke i ndihmuar të rimarrin territore serbe të humbura, si Kosova.
Nacionalistët, mes tyre edhe veteranë të Luftës së Bosnjës, po përdorin rrjetet sociale për të nxitur të rinjtë serbë t’u bashkohen në Rusi. Disa prej tyre ofrojnë deri në 23 mijë paund për t’u regjistruar dhe për të luftuar në Ukrainë.
Ka frikë se, sapo të kthehen në Bosnje, ata do të nxisin një konflikt paramilitar, 30 vjet pasi përfundoi Lufta e Bosnjës.
Dario Ristic është një shembull i tillë. Nacionalisti serb, që ecte me vështirësi mbi një këmbë proteze dhe mbante prova të shtetësisë së tij të sapofituar, u kthye në Bosnje pasi ishte plagosur duke luftuar në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si “Arinjtë e Permit”.
Gjatë kohës në Ukrainë, zoti Ristic njihej me nofkën ironike “speedy” dhe për kryerjen e sulmeve me snajper dhe dronë në qytete si Avdiivka.
Ai zhvilloi aftësitë e tij në rrjetet sociale, si TikTok dhe rrjeti rus VKontakte, duke ndezur mbështetje nga të rinj serbë të zhgënjyer politikisht në atdhe, përmes romantizimit të luftës në vijën e frontit dhe përhapjes së mesazheve nacionaliste.
Njësia e tij ruse madje i dërgoi një kartolinë urimi për ditëlindje Ratko Mladiçit, kriminelit të luftës që po merr kujdes paliativ në Hagë, ku është dënuar me burgim të përjetshëm për mizoritë e kryera ndaj myslimanëve boshnjakë.
Në një video të publikuar në Telegram, Ristiç pozonte pranë një serbi tjetër, i cili i tha audiencës në atdhe: “Sapo të mbarojmë punë me këta fashistë të NATO-s këtu, po kthehemi për të rimarrë faltoret tona dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – drejt fitores!”
Pas kthimit në shtëpi, Ristic u arrestua në aeroportin e Sarajevës për pjesëmarrje në një njësi paramilitare të huaj, por më pas u lirua nga burgu dhe u vendos në arrest shtëpie, në pritje të përfundimit të gjyqit.
Kur The Telegraph e kontaktoi në shtëpinë e tij në Modrica, ai tha nga pragu: “Do të doja të flisja me ju. Por ligji ma ndalon të flas me ju; ndoshta në të ardhmen.”
Edhe tani, larg frontit, ai konsiderohet ende një rrezik i madh rekrutimi, me mbi 10 mijë ndjekës online.
Dhe nuk është i vetëm. Nacionalistë të tjerë serbë po përpiqen gjithashtu të përhapin mesazhin e tyre në internet.
Kryesisht bëhet fjalë për një bërthamë të fortë veteranësh të Luftës së Bosnjës, që vazhdojnë të ushqejnë ideologji përçarëse te të rinjtë.

“Është një bindje e përhapur mes këtyre ekstremistëve se Nëna Rusi një ditë do ta shlyejë borxhin e saj ‘me gjak’, duke ndihmuar në rivendosjen e Serbisë së Madhe,” tha Srecko Latal, analist në rajon.
“Numrat e tyre janë të vegjël, por ata tërheqin të rinj të tjerë serbë të pakënaqur, që mund të jenë të ndjeshëm ndaj mesazheve nacionaliste. Ashtu si IRA-ja e vjetër në Irlandën e Veriut, nuk të duhen shumë individë të armatosur për të kërcënuar ekuilibrin e paqes.”
Një veteran i njohur, me ndikim paternalist mbi luftëtarë të rinj përfshirë Risticin, është Davor Saviçiç, i njohur online si “Ujku”.
Gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990, ai luftoi në një njësi elitare paramilitare të njohur si “Tigrat e Arkanit”, përgjegjëse për dhjetëra mizori ndaj civilëve. Kur Rusia hyri në luftë me armiqtë e saj të perceptuar, Saviçiç – si shumë veteranë të tjerë serbë – iu bashkua shpejt. Ai ka luftuar në Krime dhe Siri dhe ka qenë pjesë e Grupit Wagner, tashmë i shpërbërë.

Pas trajtimit të fundit për një plagë nga copëzat e predhës të shkaktuara nga forcat ukrainase, raporte mjekësore të rrjedhura zbuluan se ai ishte gjithashtu kolonel në GRU, shërbimin famëkeq të inteligjencës ushtarake ruse, i njëjti i përfshirë në sulmin me Novichok në Britani në vitin 2018 ndaj Sergei Skripal.
Nën drejtimin e tij, GRU ka ngritur një sërë kompanish fasadë në sektorë si ndërtimi, me qëllim ndihmën për serbët dhe vullnetarë të tjerë që t’u shmangen autoriteteve të vendeve të tyre, duke lëshuar leje pune dhe duke organizuar itinerare udhëtimi përmes vendeve të treta.
“Ne u infiltruan në disa nga shërbimet e tyre të mesazheve duke u shtirur si vullnetarë,” tha Nino Bilajac, gazetar investigativ nga Sarajeva.
“Shumat e ofruara po rriten, pasi humbjet në fushëbetejë e bëjnë Rusinë më të dëshpëruar për luftëtarë të rinj. Mua më është ofruar së fundmi një pagesë paraprake rreth 23 mijë paund për t’u regjistruar dhe një pagë mujore afro 2,500 paund.”

Për të rinjtë e rritur në familje nacionaliste dhe që jetojnë në qytete si Modrica, me papunësi të lartë dhe paga sa 500 paund në muaj, tundimi është i qartë. Ligjet në Serbi dhe Bosnje ndalojnë luftimin për një fuqi të huaj dhe dënimet shkojnë deri në pesë vjet, por zbatimi është i rrallë.
Kur u kontaktua në rrjetet sociale nga The Telegraph, Zeljko Tomic, një mik i Risticit ende në vijën e frontit në Ukrainë, tha se do të jepte intervistë vetëm kundrejt një pagese prej 100 mijë paundësh.
Në Modrica, ku punëdhënësi më i madh është një rafineri nafte në pronësi ruse që po vuan nga sanksionet, një banor lokal që e njihte Risticin tha se ai mburrej me pensionin e invaliditetit si veteran nga Moska dhe planifikonte të përdorte një pjesë të parave për të hapur një qendër trajnimi dhe riparimi për dronë, duke shfrytëzuar njohuritë nga fronti.
Kthimi i Risticit në jetën civile, megjithatë, ofron pak ngushëllim për pakicën myslimane boshnjake të qytetit. Jo larg shtëpisë së tij, thirrja e myezinit u dëgjua nga një xhami e rindërtuar pas gjakderdhjes së luftërave boshnjake. Mes atyre që po faleshin ishte Edib Ziliç, i cili kishte qenë dëshmitar i shumë mizorive si fëmijë.
“Isha vetëm 10 vjeç kur tanket hynë dhe babain tim e tërhoqën zvarrë, ndërsa vëllai im gati u vra kur shtëpia e fqinjit tonë, aty përballë, u hodh në erë,” tha Ziliç, 43 vjeç, duke treguar nga një zonë banimi përballë xhamisë.
“Në disa vende viktimat ende përballen me autorët dhe edhe sot, pavarësisht miqësive të rindërtuara, ka ende një pakicë ekstremistësh që duan të na frikësojnë dhe të na kthejnë në ato kohë të errëta. Por ne refuzojmë të jetojmë me frikë.”
Shqetësuese është se ka shenja të bashkëpunimit shtetëror. Milorad Dodik, ish-president i Republikës Srpska që ende ushtron pushtet real, është fotografuar me “Ujkun”, Davor Saviçiç, përpara një takimi me Vladimir Putinin në Moskë më herët këtë vit.
Ka gjithashtu frikë se trajnimet paramilitare në këtë enklavë të mbështetur nga Rusia mund të ndikojnë në sigurinë britanike. Ashtu si Gjermania Lindore dikur ishte terren trajnimi për IRA-n dhe Fraksionin e Ushtrisë së Kuqe, ekziston frika se Republika Srpska po ndjek një rrugë të ngjashme. Dëshmitë në një gjyq kundër sabotatorëve në Moldavi kanë zbuluar se zona është përdorur së fundmi si bazë trajnimi për luftë hibride të mbështetur nga Rusia kundër Perëndimit.
Trajnimi përfshinte metoda për ta shndërruar protesta paqësore në trazira të dhunshme, si dhe përdorimin e dronëve të paarmatosur dhe të armatosur për të ndërprerë infrastrukturën civile dhe ushtarake.
Të njëjtat metoda janë përdorur tashmë në aeroporte dhe objekte të ndjeshme në Britani dhe në mbarë Europën, disa prej të cilave kanë përfshirë edhe sabotatorë moldavë, që dyshohet se janë trajnuar në enklavën serbe.
Burimi; The Telegraph/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




