Dy kimikate të përdorura për ta bërë plastikën më fleksibile lidhen me gati 2 milionë lindje të parakohshme dhe vdekjen e 74,000 të porsalindurve në mbarë botën në vitin 2018, sipas një studimi të ri.
Një foshnjë konsiderohet e parakohshme kur lind para javës së 37-të të shtatzënisë.
“Foshnjat që mbijetojnë mund të kenë probleme me frymëmarrjen, vështirësi në ushqyerje, paralizë cerebrale, vonesë në zhvillim, probleme me shikimin dhe probleme me dëgjimin”, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Dy kimikatet në studim, Di-2-etilheksilftalati, ose DEHP, dhe diisononil ftalati, ose DiNP, janë pjesë e një familjeje kimikatesh sintetike të quajtura ftalate.
Ftalatet dihet se ndërhyjnë në mekanizmin e trupit për prodhimin e hormoneve, të njohur si sistemi endokrin, dhe janë “të lidhura me probleme zhvillimore, riprodhuese, të trurit, imunitare dhe probleme të tjera”, sipas Institutit Kombëtar të Shkencave të Shëndetit Mjedisor.
Edhe ndërprerjet e vogla hormonale mund të shkaktojnë “efekte të rëndësishme zhvillimore dhe biologjike”, thotë instituti.
“Kjo është një klasë e rrezikshme kimikatesh”, tregon Dr. Leonardo Trasande, autori kryesor i studimit.
“Në kontekstin e të gjitha përpjekjeve që po bëjmë për të pasur më shumë foshnje të lindura, duhet të sigurohemi gjithashtu që foshnjat të lindin të shëndetshme”, tha Trasande.
“Këto të dhëna mbështesin më tej përpjekjet për të negociuar një traktat plastik që kufizon kimikatet shqetësuese që përdoren zakonisht në plastikë”, tha ai.
Ftalatet shpesh quhen kimikate “kudo” sepse përdoren në kaq shumë produkte të konsumit. Kimikatet ofrojnë fleksibilitet në lodrat e fëmijëve, enët e ruajtjes së ushqimit, dyshemetë prej vinili, perdet e dushit, tubat e kopshtit, pajisjet mjekësore dhe më shumë.
Ftalatet gjithashtu ndihmojnë në lubrifikimin e substancave dhe në transportimin e aromave në produktet e kujdesit personal, duke përfshirë deodorantët, llaqet e thonjve, parfumet, xhelet e flokëve, sprejet ose shampot, sapunët dhe locionet e trupit.
“Këto janë aditivë që përdoren gjithashtu në plastikën mbështjellëse të tipit ngjitës që përdoret zakonisht në paketimin e ushqimit”, tha Trasande.
Hulumtimet kanë lidhur ftalatet me probleme riprodhuese siç janë keqformimet gjenitale dhe problemet me testikujt tek djemtë e vegjël dhe numërimi më i ulët i spermës dhe niveleve të testosteronit tek meshkujt e rritur. Studimet kanë lidhur gjithashtu ftalatet me obezitetin e fëmijërisë, astmën, problemet kardiovaskulare dhe kancerin.
Një studim i vitit 2021 zbuloi se ftalatet mund të kontribuojnë në 91,000 deri në 107,000 vdekje të parakohshme në vit tek njerëzit e moshës 55 deri në 64 vjeç në Shtetet e Bashkuara. Njerëzit me nivelet më të larta të ftalateve kishin një rrezik më të lartë vdekjeje nga çdo shkak, por veçanërisht nga sëmundjet e zemrës.
Si mund të kontribuojnë këto kimikate në lindjet e parakohshme dhe vdekjet e foshnjave? Edhe pse duhen bërë shumë më tepër kërkime, shkencëtarët kanë disa ide.
“Një rrugë është ndërprerja e funksionit të placentës, e cila është dokumentuar se ndikohet nga ftalatet dhe kimikatet e tjera që prishin sistemin endokrin”, tha Jane Muncke, drejtoreshë shkencore në ‘Forumin e Paketimit të Ushqimit’, një fondacion jofitimprurës në Zvicër, që përqendrohet në komunikimin shkencor dhe kërkimin mbi plastikën dhe kimikatet e tjera të përdorura në industri.
“Foshnjat e lindura para kohë ekspozohen ndaj edhe më shumë plastikë, pasi repartet neonatale mbështeten në tuba plastike”, thotë Muncke.
Studimi i ri, i botuar të martën në revistën eClinicalMedicine, shqyrtoi efektet e DEHP dhe DiNP në 200 vende dhe territore në vitin 2018. Të dhënat u morën nga anketa të mëdha kombëtare në Kanada, Europë dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe vlerësime nga hetime të mëparshme në rajone të botës që nuk mbledhin të dhënat e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje