Shendet

Miliona fëmijë në rrezik për shkak të mungesës së vaksinimit

Një studim i ri global tregon se progresi në vaksinimin e fëmijëve kundër një sërë sëmundjesh kërcënuese për jetën ka ngecur në dy dekadat e fundit, dhe madje ka shkuar prapa në disa vende.

Situata është përkeqësuar nga pandemia e Covid-it, duke lënë miliona fëmijë të pambrojtur nga sëmundje të tilla si fruthi, tuberkulozi dhe poliomeliti.

Hulumtuesit po bëjnë thirrje për një përpjekje të përbashkët për të siguruar akses më të mirë dhe më të barabartë në vaksina.

Ekspertët e shëndetit të fëmijëve paralajmërojnë se shkurtimet në buxhetet ndërkombëtare të ndihmës që financojnë programet e vaksinimit, të kombinuara me skepticizmin ndaj vaksinave, po krijojnë një “stuhi”.

Që nga viti 1974, më shumë se katër miliardë fëmijë janë vaksinuar, duke parandaluar rreth 150 milionë vdekje në të gjithë botën.

Në gati gjysmë shekulli deri në vitin 2023, studiuesit thonë se mbulimi i vaksinave është dyfishuar.

Por që nga viti 2010 progresi ka ngecur, deri në atë masë sa tani ka ndryshime të mëdha në mbulimin e vaksinave në të gjithë botën.

Një studim, i botuar në revistën mjekësore The Lancet, thotë se vaksinimet kundër fruthit kanë rënë në gati 100 vende.

Pandemia Covid-19 i përkeqësoi gjërat edhe më shumë, për shkak të ndërprerjes së programeve të vaksinimit gjatë izolimit.

Deri në vitin 2023, kishte gati 16 milionë fëmijë që nuk kishin bërë asnjë vaksinim të fëmijërisë, shumica e tyre në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore.

Autori i studimit, Dr. Jonathan Mosser, nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit, në Shtetet e Bashkuara, thotë se një numër i madh fëmijësh mbeten të pavaksinuar.

“Vaksinimet rutinë të fëmijërisë janë ndër ndërhyrjet më të fuqishme dhe më efektive në shëndetin publik, por pabarazitë e vazhdueshme globale, sfidat nga pandemia Covid dhe rritja e dezinformimit dhe hezitimit ndaj vaksinave kanë kontribuar të gjitha në ngadalësimin e progresit të imunizimit”, tha ai.

Mosser thotë se tani ekziston një rrezik në rritje i shpërthimeve të sëmundjeve si fruthi, poliomeliti dhe difteria.

Të gjithë fëmijët duhet të përfitojnë nga imunizimet që shpëtojnë jetë, shtoi ai.

Mbeten mospërputhje të mëdha midis normave të vaksinimit në vendet më të pasura dhe ato me të ardhura të ulëta.

Por autorët e raportit paralajmërojnë se normat e vaksinimit kanë rënë edhe në Europë, SHBA dhe vende të tjera të pasura.

Profesori Andreë Pollard, drejtor i Grupit të Vaksinave të Oksfordit, thotë se gjetjet paraqesin një pamje shqetësuese.

“Më shumë fëmijë do të shtrohen në spital, do të sëmuren përgjithmonë dhe do të vdesin nga sëmundje plotësisht të parandalueshme nëse trendi nuk përmbyset. Mjerisht, shkurtimet në fondet globale të shëndetësisë nënkuptojnë se kjo situatë do të përkeqësohet,” thotë Pollard.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë