Mjafton një fitore në minutën e 92’ dhe Milan mund të ëndërrojë. Skuadra kuqezi ia ka dalë mbrëmjen e së mërkurës që të marrë një fitore shumë të vlefshme përballë Xhenovës në një ndeshje të prapambetur për shkak të tragjedisë në Urën Morandi. Triumfi erdhi me shumë vuajtje, pasi vetëm në minutën e 92’ kapiteni Alesio Romanjoli do të shënonte golin që i çoi shifrat në 2-1, pasi më herët kishte realizuar një autogol. Por për mënyrën se si erdhi ndeshja dhe emocionet që spektatorët e “San Siro” morën ishte më mirë kështu për Milan.
Kuqezinjtë mes ankthit dhe lotëve të gëzimit në fund të ndeshjes me Xhenovën mund të ëndërrojnë që të rikthehen aty ku mungojnë prej më shumë se pesë vite, Champions League. Mund të duket të tingëllojë pak e çuditshme, por skuadra e Gattuzos është më e mira, që viti kur Milan fitonte kampionatin, në tre aspekte.

Historia dhe statistikat e shtatë sezoneve të fundit
I pari aspekt që vjen në mbështetje të Milanit të Xhenaro Gatuzos janë numrat dhe historia e sezoneve të fundit. Në 10 ndeshjet e para të këtij sezoni Milan ka arritur të grumbullojë 18 pikë, përfshirë këtu edhe derbin e Milanos që është luajtur. Më mirë se ky fillimsezoni Milan ka bërë vetëm në dy raste. Hera e parë ka qënë sezoni 2011 – 2012, ku në 10 ndeshje kishte marrë plot 20 pikë. Asokohe Milani i Masimilano Alegrit kishte marrë 6 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje, në fund “djalli” shpallej kampion i Serie A. Ndërsa në rastin e dytë, në sezonin 2016-2017 kishte një pikë më shumë, por në këtë rast duhet nënvizuar kalendari i lehtë në fillim dhe të gjithë e mbajmë mend se si e mbylli skuadra kuqezi atë sezon. Pra për rendimentin e pikëve të marra në proporcion me ndeshjet e luajtura, ekipi i Gatuzos është në të njëjtën linjë më atë të Alegrit në sezonin 2011-12.

Statistikat e 7 sezoneve të fundit:
Sezoni 2017 – 2018 16 pikë
Sezoni 2016 – 2017 19 pikë
Sezoni 2015 – 2016 16 pikë
Sezoni 2014 – 2015 16 pikë
Sezoni 2013 – 2014 12 pikë
Sezoni 2012 – 2013 11 pikë
Sezoni 2011 – 2012 20 pikë

Pas shtatë sezonesh ka një “top sulmues”
Në sezonin 2011-12, kur Milan fitoi Serie A kishte në majën e sulmit një “gjahtar” të vërtetë goli si Zlatan Ibrahimoviç. Në atë sezon, që ishte dhe i fundit në Serie A, suedezi shënoi 28 gola, duke marrë njëkohësisht këpucën e artë. Në fundin e atij sezoni Ibra u largua nga Milan dhe kuqezinjtë për 6 vite rresht nuk e gjetën dot sulmuesin ideal që të garantonte minimalisht 20 gola në sezon. Ndërsa këtë vit, me Milan është bashkuar një njeri që quhet Higuain dhe mund të krahasohet me Ibrahimoviç. Argjentinasi ende nuk është futur në shinat e duhura, pasi golin e ka gjetur vetëm 5 herë në 10 ndeshje, por me formën që ka treguar, shpresat janë që në ndeshjet në vijim të shënojë më shumë. Higuain do të luftojë për të shënuar golat për ego personale, por njëkohësisht edhe për të ndihmuar Milanin në objektivin për t’u rikthyer në Champions.

Mbrojtje solide
Nëse në sezonin kur Milan fitonte titullin kampion për herë të fundit, në mbrojtje ishin emra si Tiago Silva, Nesta, apo Zambrota, por edhe skuadra e Gatuzos nuk shumë inferiore në këtë drejtim. Gatuzo në pjesën më të madhe të ndeshjeve ka luajtur me tre mbrojtës dhe Musakjo, Romanjoli e Rodriges po fillojnë të kolaudohen, duke ofruar më shumë garanci. Nëse e krahasojmë me sezonin kur Milan shpallej kampion, atë vit kuqezinjtë në 10 ndeshjet e para pësonin 14 gola, po aq sa kanë pësuar edhe në 10 ndeshjet e para të këtij sezoni. Për më tepër këtë sezon Gatuzo mund të ndjehet më i sigurt në repartin defensivë për shkak se nëse do kthente kokën nga stoli alternativat janë të një niveli mbi mesatar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




