Gazeta Si – Milani ka mundur me lehtësi Sampdorian në javën e 36-të të Serisë A, duke hedhur një hap të rëndësishëm përpara për zonën Champions. Skuadra e Piolit fitoi 5-1 në ‘San Siro’, një reagim i mirë ky pas eliminimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Sampdoria e Stankoviç, e fundit në renditje, nuk pati forcë të përballonte kuqezinjtë. Festivalin e golave e hapi Leao, pas 9 minutash. Veterani Kualiarela më pas barazoi shifrat, por shumë shpejt Milani shënoi edhe dy herë të tjerë me Olivier Zhiru. Francezi shënoi me kokë fillimisht dhe pastaj me një penallti.
Në pjesën e dytë Brahim Diaz dhe sërish Zhiru kompletuan fitoren e Milanit, që shkon në kuotën e 64 pikëve, 1 pikë pas Lacios të vendit të 4-t, që ndeshet nesër me Udinezen. Për kuqezinjtë është shumë e rëndësishme të sigurojnë pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.
Fitoi sot edhe Atalanta e Berat Gjimshitit. Mbrojtësi kuqezi ishte titullar në fitoren 3-1 ndaj Veronës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




