Futboll

Milani nuk ndalet në merkato, siguron sulmuesin Okafor për 15 milionë euro

Gazeta Si – Milani ka bërë një kthesë të fortë sa i takon lojtarit që do të jetë zëvendësues i Zhiru. Klubi kuqezi ka mbyllur marrëveshjen për Noah Okafor të Salcburgut, kontrata e të cilit skadon në 2024-ën. Me agjentët e lojtarit është arritur akordi për pagën dhe sulmuesi pritet të kryejë vizitat mjekësore.

Edhe me klubin austriak ishte arritur akordi në princip, kështu që sulmuesi 23-vjeçar pritet vetëm të formalizojë kalimin te Milani. Kostoja e këtij operacioni mund të shkojë deri në 15 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset. Lojtari do të përfitojë rreth 2.5 milionë euro në sezon.

Okafor ndaj Milanit ne Champions. Gazeta Si, 21 korrik 2023

Pasi hoqi dorë nga Taremi i Portos, ndërkohë që vendin e fundit për ekstrakomunitarët klubi do ta ruajë për Çukueze të Vilarrealit, Milani vendosi të marrë Okafor. Sulmuesi është kërkuar edhe më parë nga trajneri Stefano Pioli, pasi është një lojtar perspektive. Ai kishte impresionuar në sfidën e dyfishtë të Championsit në fazën e grupeve.

Bilanci i Okafor me Salcburgun flet për 34 gola dhe 23 asiste në 110 ndeshje mes kampionatit dhe kupave. Sezonin e fundit shënoi 10 gola në total. Sulmuesi nigerian i natyralizuar zviceran shënoi 3 gola në Champions dhe një prej tyre pikërisht ndaj Milanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë