Gazeta Si – E përditshmja franceze, “L’Equipe”, zbulon se pronarët e Milanit, që janë njëkohësisht edhe ata të Lilës, janë në bisedime me një fond me seli në Bahrein. UEFA ndërkohë po heton transferimin e Maignan dhe bisedimet me Botman dhe Sançes.
Milani, që kryeson Serinë A aktualisht, është në shitje. Lajmi vjen nga Franca, ku prestigjiozja “L’Equipe” shkruan për prapaskenat e shitjes së mundshme të klubit të madh italian. Për blerjen e Milanit është i interesuar në këtë moment fondi nga Lindja e Mesme me seli në Bahrein, “Investcorp”, me 40 miliardë dollarë pasuri. UEFA ndërkohë po ndjek situatën dhe marrëdhëniet mes Milanit dhe Lilës, që kanë pronarë të njëjtë.
Bëhet fjalë për disa kryqëzime komplekse, të ndërtuara nga “L’Equipe” dhe që kalojnë nga një seri shoqërish mes Luksemburgut, Ishujve Cayman, por edhe Floridas. Saktësisht në adresë të “Elliott Investment Management”, në West Palm Beach, ku janë selitë e “Birch International” dhe “Birch Associates”.

Janë dy shoqëri që kontrollojnë me radhë “Callisto Sporting”, që është një shoqëri e regjistruar në Luksemburg, e lidhur me fondin “Merlyn Partners” me seli po në Luksemburg, por që është pjesë e holandezëve të Maarten Petermann me seli në Londër. Gazeta franceze saktëson se Patermann ka lidhje me JP Morgan, që bashëkpunoi në fillim të viteve 2000 pikërisht me Elliott në lidhje me administrimin e borxhit të Argjentinës.
“Merlyn” – me fondet e veta në Cayman, – kontrollon borxhin e Lilës nëpërmjet “Callisto”, që realisht adminsitrohet nga “Birch Interntional e Associates”, me seli në zyrat amerikane të Elliot. Financuesi kryesor i Lilës, me 50 milionë euro, është Elliot. “Elliot – bën me dije Petermann për Equipe, – nuk ka asnjë përfaqësues formal ose joformal te Lila, as Merlyn, kështu që nuk influencon në asnjë mënyrë në administrimin e klubit”.
Sipas gazetës franceze, raporti special mes dy klubeve vërtetohet edhe me transferimin e Maignan për 15 milionë te Milani. Kështu pritet të ndodhë edhe me Botman dhe Renato Sançes, ndaj dhe UEFA po e ndjek situatën nga shumë afër.
Pronarët e Milanit vazhdojnë kontaktet me fondin “Investcorp”, i interesuar jo vetëm për Milanin, por edhe për Lilën. E themeluar në vitin 1982, “Investcorp” është një kompani e njohur botërore, e specializuar për “private equity”, tregun imobilar, kredi dhe investime në infrastrukturë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




