Futboll

Milani mundet nga Çelsi edhe në ‘San Siro’, kontestime të forta për gjykimin

Gazeta Si – Çelsi ka fituar edhe në ‘San Siro’, duke marrë 6 pikë në dy ndeshjet me Milanin, që e kanë ngjitur në krye të grupit. Armando Broja nuk pati asnjë minutë në këtë ndeshje, ku skuadra e tij fitoi 0-2, ndërsa kampionët e Italisë kanë kontestuar fort gjykimin.

Momenti vendimtar i ndeshjes ishte minuta e 18-të, kur arbitri gjerman Siebert akordoi penallti për Çelsin dhe karton të kuq për mbrojtësin Tomori, i cili mbajti Maunt në zonë. Ndëshkim maksimal për kuqezinjtë. Zhorzhinjo shënoi nga pika e bardhë, ndërsa Aubamejang dyfishoi pas disa minutësh.

Çelsi feston fitoren ne ‘San Siro’. Gazeta Si, 11 tetor 2022

Në pjesën e dytë nuk pati ndryshim rezultati. Milani konsumoi shumë energji dhe e kishte të pamundur në inferioritet numerik, kurse Çelsi e uli pak ritmin, duke administruar fitoren. Londinezët kryesojnë grupin me 7 pikë, kurse Milani mbetet me 4 pikë dhe do ta diskutojë kualifikimin në dy ndeshjet e fundit.

Në ndeshjet e tjera, Real Madrid barazoi në kohën shtesë ndaj Shakhtarit, falë një goli të mbrojtësit Rudiger. Në barazim 1-1 përfundoi edhe ndeshja mes PSG-së dhe Benfikës.

Champions, ndeshjet e 4-ta në grup
Sot
Kopenhagen-M.Siti 0-0
Makabi Haifa-Juventus 2-0
Milan-Çelsi 0-2
Selltik-Lajpcig 0-2
D.Zagreb-Salcburg 1-1
B.Dortmund-Sevilja 1-1
PSG-Benfika 1-1
Shakhtar-Real Madrid 1-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë