Futboll

Milani mposht Juven me Zhiru dhe siguron Championsin, Hysaj shënon për Lacion

Gazeta Si – Me një goditje të bukur me kokë nga ana e sulmuesit francez në fundin e pjesës së parë, Milani ka blinduar vendin e 4-t në klasifikim. Juventusi mbetet në vend të 7-të, që do të thotë Liga e Konferencës sezonin e ardhshëm.

Në ndeshjen e fundit të javës së 37-të Serisë A, Milani ka mundur 0-1 Juventusin në Torino, duke siguruar kështu një javë para kohe vendin e 4-t dhe rrjedhimisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Atalanta është 6 pikë prapa dhe nuk mund t’i arrijë kuqezinjtë. Skuadra e Alegrit ndërkohë mbetet në vendin e 7-të.

Ndeshja në ‘Allianz Stadium’ u vendos nga një magji e Zhiru në minutën e 40-të. Francezi u shkëput nga markimi i Gatit dhe më një goditje elegante me kokë mposhti Sheznin. Juventusi në vazhdim sulmoi pa kthjelltësi. Iu afrua barazimit vetëm në shtesë me Danilon, gjuajtja e të cilit u ndal me këmbë nga Kalulu.

Lacio ka ruajtur vendin e dytë në klasifikim, falë fitores 3-2 ndaj Kremonezes. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares, gjeti rrugnë e rrjetës i pari në këtë ndeshje, diçka që ndodh rrallë për futbollistin shkodran. Dy golat e tjerë për skuadrën e Sarrit, i ndëshkuar me karton të kuq në fund, u shënuan nga Milinkoviç-Saviç.

Hysaj feston golin ndaj Kremonezes. Gazeta Si, 28 maj 2023

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë