Futboll

Milani merr kreun me Leao-Zhiru, Juve shpërdoron me Romën

Gazeta Si – Milani nuk e ka humbur sot shansin për të marrë kreun e Serisë A. Kampionët e Italisë kanë mundur 2-0 Bolonjën dhe falë golaverazhit më të mirë se Lacio, Torino dhe Roma, kryesojnë me 7 pikë pas javës së 3-të.

Debutim mjaft pozitiv për De Ketelaere. Belgu luajti që nga minuta e parë në ‘San Siro’ dhe shërbeu Leaon për golin që zhbllokoi shifrat në pjesën e parë.

Zhiru realizon golin e dyte ndaj Bolonjes. Gazeta Si, 27 gusht 2022

Portugezi realizoi golin e parë sezonal, ndërsa në pjesën e dytë dhuroi topin e golit të dytë për Zhiru, që shënoi me një veprim akrobatik. Bolonja goditi shtyllën me Sansonen në këtë ndeshje, shumë pak për të marrë pikë.

Jeventusi hodhi një tjetër hap fals, këtë herë në fushën e tij. Pas barazimit 0-0 me Sampdorian, skuadra e Alegrit barazoi 1-1 me Romën në Torino. Vlahoviç shënoi sapo nisi ndeshja, më pas Juventusi shpërdoroi shumë raste. Abraham realizoi golin e barazimit në pjesën e dytë.

Pas ndeshjes, trajneri Mourinjo pohoi se Roma pati shumë fat që nuk pësoi golin e dytë në pjesën e parë. Marash Kumbulla luajti në fundin e ndeshjes, teksa zuri vendin e Dibalës në minutën e 78-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë