Futboll

Milani i jep besimin trajnerit Pioli, por me kusht. Ibrahimoviç fillon ‘nxemjen’

Gazeta Si – Stefano Pioli ka ende besimin e Kardinales. Ky është përfundimi i samitit të djeshëm në Milanelo mes pronarit të RedBird dhe trajnerit të Milanit. Por nuk është një besim pa limit.

Vendi i 4-t në kampionat është objektivi minimal i kuqezinjve, pa kualifikimin në Champions për sezonin e ardhshëm asgjë nuk vlen. Aktualisht Milani mban vendin e 3-të, +5 nga Roma, një avantazh që duhet ruajtur, pse jo dhe thelluar, prandaj dhe ndeshja e së shtunës me Frozinonen vlen shumë. Humbja është e ndaluar.

Me një këmbë e gjysmë jashtë Championsit dhe zbritjen në Ligën e Europës, puna e Stefano Piolit do të gjykohet nga ecuria në kampionat e skuadrës. Kjo do të thotë se nuk lejohen më hapa falsë. Nëse nuk arrihet kualifikimi në Championsin e sezonit të ardhshëm, shkarkimi i trajnerit është i pashmangshëm.

Për momentin nuk vlejnë pistat e Galtier, Tudor, Donadoni dhe Shevçenko si zëvendësues të mundshëm. Më e pranueshme do të ishte ardhja e Injacio Abates në stolin e skuadrës së parë nga të rinjtë e Milanit. Në bashkëpunim me Zllatan Ibrahimoviç. Kjo dyshe ka më shumë shanse, sipas ‘La Repubblica’, në rast të largimit të Piolit.

Shpresat janë për ta parë suedezin vetëm në nivel drejtuesi të klubit javët e ardhshme, që do të thotë se Milani duhet të rifillojë të vrapojë rregullisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë