Futboll

Milani gjithmonë e më amerikan, ofertë 20 milionë euro për mesfushorin Musah

Gazeta Si – Pas Pulisiç, klubi kuqezi kërkon edhe futbollistin e ri të Valencias. Mesfushori ka dhënë ‘ok’-in, tani duhet bindur edhe klubi spanjoll.

Milani amerikan i RedBird po përgatit një tjetër goditje ‘made in USA’, pasi veshi kuqezi Kristian Pulisiç. Drejtuesit e klubit po përpiqen të mbyllin sa më parë marrëveshjen për Yunus Musah, mesfushorin e datëlindjes 2002 të Valencias. Musah zotëron 4 pasaporta: amerikane, italiane, angleze dhe ganeze. Ai do të kompletonte mesfushën e Piolit, pas zyrtarizimit të Loftus-Çik dhe Reijnders, që të martën kryen vizitat mjekësore.

Trajneri Pioli kërkon një mesfushë me muskuj, agresivitet dhe vertikalizime, prandaj dhe prej kohësh ka në shënjestër lojtarin e lindur në Nju Jork, por që është rritur Kastelfranco Veneto. Musah luan si në mesfushën me tre, ashtu edhe në skemën 4-2-3-1.

Valencia, me të cilën mesfushori ka kontratë deri në 2026-ën, kërkon 25 milionë euro, ndërsa Milani ka afruar fillimisht 13 dhe 4 bonuse. Tani që synon përshpejtimin e bisedimeve, klubi kuqezi mund ta rritë ofertën deri në 18 milionë euro, plus 2 bonuese, për të ngushtuar diferencën me atë që kërkon Valencia.

Drejtuesit kuqezinj kanë një akord paraprak me lojtarin për një kontratë me 2 milionë euro në sezon. Bashkë me Musah do të shkonin në 4 blerjet e Milanit për këtë verë dhe të gjitha me të ardhurat e siguruara nga shitja e Tonali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë