Gazeta Si – Dy bileta të tjera të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve do të jepen sot në mbrëmje, pas sfidave Totenhem-Milan dhe Bajern Mynih-PSG. Dy ndeshjet e para kanë përfuduar me të njëjtin rezultat, 1-0, në favor të Milanit dhe Bajernit.
Në Londër do të jetë e vështirë për italianët. Trajneri Stefano Pioli është pak më i qetë, pasi ka rikuperuar sulmuesit Zhiru dhe Diaz. Ai do të luajë sërish me tre mbrojtës, ndërsa në mesfushë, në krah të Tonali, do të jetë Kruniç. Për të arritur kualifikimin, Milani ka nevojë për Leaon më të mirë.

Konte në anën tjetër synon përmbysjen me Totenhemin, duke u bazuar te kapiteni Kejn, që do të mbështetet nga Son dhe Kulusevski. Te skuadra angleze kthehet danezi Hojberg në mesfushë.
Një përballje e madhe është ajo mes Bajernit të Mynihut dhe PSG-së. Vetëm një skuadër kalon më tej dhe bavarezët kanë avantazhin që u jep fitorja 0-1 në Paris. Trajneri Nagelsman nuk u zë besë Mesit me shokë dhe ka bërë apel për kujdes maksimal, sidomos në kundërsulmet e kundërshtarit.
Do të mungojë Nejmar, i cili pas dëmtimit e ka mbyllur sezonin. Edhe pse gjermanët shihen favoritë, mbetet një ndeshje e hapur, me francezët që synojnë minimalisht ta çojnë kualifikimin në shtesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




