Futboll

Milan zgjedh Igli Taren

Ish Drejtori i Lazio-s ishte pranë marrëveshjes me Furlanin që prej mesit të Prillit. Por duket se tani është momenti i duhur dhe palët janë aq pranë sa shtrëngimi i duarve është formal dhe puna për ndërtimin e skuadrës së re (duke filluar nga traineri) është çështje ditësh. Tare gjithnjë ka qënë në tavolinën e Giorgio Furlani-t si dhe më herët në atë të binomit Ibrahimovic-Cardinale.

Është takuar me të gjithë dhe ju pëlqen natyrisht. Prej 15 Prillit ka qënë periudhë reflektimi dhe Tare nuk ka dalë asnjëherë nga objektivat e kuqezinjve në Milano. Konkurenca nuk ka munguar, Fabio Paratici mbi të gjithë. Brenda javës pritet zyrtarizimi i bashkëpunimit pasi te Milan duan dikë që e njeh mirë tregun e futbollistëve.

Transferimet e Sergej Milinkovic Savic, Luis Alberto dhe Miroslav Klose në parametra zero janë emrat në favorin e shqiptarit. Personazh që mungon në Milanello, njeri që administron të përditshmen, respekton rregullat e vendosura nga klubi dhe fiton besimin e futbollistëve. E thënë ndryshe, Tare ka përpara një punë komplekse.

Të rindërtojë Milan-in dhe të rigrupojë lojtarë që në sezonin e fundit nuk e arritën potencialin e tyre. Tare ishte në tribunë për Finalen e “Coppa Italia” dhe pa një skuadër që humbet pa luftuar dhe që nuk i motivon lojtarët e saj as taktikisht e as moralisht. Gjë që duhet të ndryshojë dhe te Milan duan ta bëjnë në kuartetin Furlani – Tare – Moncada – Ibrahimovic.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë