Prej ditësh në zyrë duke punuar për ciklin e zi kuqezi në Milano, Igli Tare hedh sytë nga kuqezinjtë përtej Adriatikut. Me paratë e siguruara nga shitja e Reijnders (te Manchester City) dhe në bashkëpunim me Allegri-n, Drejtori Tare rikthehet për Armando Brojën. Nuk është hera e parë që Milan kërkon sulmuesin shqiptar por në vitet 2023 dhe 2024, përpjekjet rezultuan të pasuksesshme. Por këtë herë përveç situatës së sulmuesit (Chelsea nuk e dëshiron dhe në Premier League nuk ka më interes për të) në Milanello shpresojnë që faktori Tare të mjaftojë për bindjen e Brojës. Mirëpo Igli nuk mjaftohet me kaq, ai ka gjetur dhe zëvendësuesin e holandezit Reijnders, për këtë ka shkuar në Gjermani te Leverkusen.

Bëhet fjalë për shqiptarin (me pasaportë zvicerane) Granit Xhaka. “Leader” nën drejtimin e Alonso-s në dy vitet e fundit, mesfushori pritet të largohet nga Bundesliga dhe eksperienca e tij do të ndihmonte shumë në ringritjen e Milan. M’gladbach, Arsenal dhe Leverkusen duket se do të pasohen nga Milan, ku shqiptari pritet të marrë në dorë frenat e mesfushës dhe organizimit të lojës. Tare është në krye të detyrës dhe përvç bluzës, Milan do të jetë kuqezi dhe në përbërje. Tare ka punuar me sukses me patriotët e tij edhe më parë. Në kohën që ai drejtonte në të njëjtin pozicion Lazio-n, transferoi portierin Thomas Strakosha (Panionios) si dhe mesfushorët Lorik Cana (Galatasaray) dhe Valon Berisha (Salzburg).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.