Futboll

Milan dhe anglezet nuk gabojnë, dështon Lacio dhe spanjollet pretendente

Janë luajtur ndeshjet e raundit të dytë të fazës së grupeve në Europa League. Të ndara në dy orare, pasdite dhe në mbrëmje, 24 sfidat e kësaj të enjte kanë prodhuar disa rezultate surprizë. Të mëdhatë e këtij kompeticioni, Milan, Chelsea, Arsenal dhe Leverkusen nuk kanë gabuar, duke marrë tre pikët e radhës. Ndryshe ka qenë kjo mbrëmje për Lacio dhe ekipet spanjolle pretendente si Sevilla dhe Villareal që kanë zhgënjyer. Nga lojtarët shqiptare që aktivizohen në ekipet e këtij kompeticoni askush nuk ka lënë gjurmë. Agolli humbi me Qarabag, Grezda nuk luajti asnjë minutë me Rangers, teksa edhe Strakosha nuk është aktivizuar, duke u lënë pushim këtë sfidë nga trajneri Inzagi.

Në ndeshjet e pasdites janë evituar surprizat e mëdha, me ekipet pretendente që kanë marrë fitore në këtë raund të dytë të Europa League. Milan ia ka dalë që përballë tifozëve të saj në “San Siro” të merrte një fitore 3-1 me grekët e Olympiakos. Triumfi nuk ishte aq i thjeshtë për kuqezinjtë që iu desh të përmbysnin golin në pjesën e parë të ekipit nga Pireu. Me këtë fitore skuadra e Gatuzos ka konsoliduar pozitat e saj në grup dhe tashmë hedh një hap të sigurt drejt kalimit në raundin tjetër.

Edhe Arsenal ka triumfuar 0 me 3 kundër Qarabag. Topçinjtë e patën shumë të thjeshtë përballë ekipit të Ansi Agollit, që luajti për 90 minuta, por nuk mundi të bënte asgjë për të shmangur humbjen. Fitore të rëndësishme ka marrë RB Leipzig në fushën e Rosengborg, por edhe Leverkusen që ka mposhtur skuadrën greke të AEK Larnaca. Me tre pikë ka dalë edhe Sporting nga transfreta e vështirë e Vorskla Portava. Sakaq ndeshja që në letër dukej si më e barabarta, mes Anderleht dhe Dinamo Zagreb është mbyllur me triumfin e ekipi kroat, 0-2.

Në sfidat e mbrëmjes nuk kanë munguar surprizat sa i përket rezultateve, por edhe lojës që kanë prodhuar ekipet kryesore. Dy surprizat më të mëdha ishin humbja e Sevilla në Ukrainë me Kransodar dhe barazimi i Marselie në Qipro me Apollon Limasol.

Edhe Villareal ka zhgënjyer në sidën me Spartak Moscow, duke barazuar me rezultatin 3-3. Sfida është luftuar deri në fund dhe vetëm në minutën e 96’ ekipi spanjoll ka barazuar me penallti. Edhe humbja e Genk 3-1 në fushën e Sarpsborg nuk pritej. Por as disfata 4-1 e Lacio në fushë e Eintracht Frankfurt nuk ishte një rezultat i parashikueshëm.

Ndërkohë nga ekipet e mëdha në mbrëmje vetëm Chelsea nuk ka gabuar, duke fituar me Mol Vidi. Edhe pse duhet theksuar se kjo fitore e londinezëve erdhi me jo pak vuajtje, pasi goli u shënua vetëm në minutën e 70’ nga Morata. Skocezët e Rangers kanë mposhtur 3 – 1 Rapid Vienna, ndërsa sulmuesi shqiptar Eros Grezda nuk është preferuar nga tekniku Gerrard për asnjë minutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë