Mjedis

Mikroplastika është kudo: A është e mundur ta zvogëlojmë ekspozimin tonë ndaj saj?

Mikroplastika gjendet sot në çdo pjesë të planetit. Grimcat e vogla të këtij materiali antropogjen, janë gjetur madje edhe në akullin e detit Antarktik, brenda zorrëve të kafshëve detare që banojnë në thellësitë më të mëdha të oqeanit, por edhe tek uji i pijshëm në mbarë botën.

Tani një studim i ri, ka zbuluar se uji i ambalazhuar, mund të përmbajë deri në 100 herë më shumë copa të vogla plastike sesa ishte vlerësuar më parë. Sipas një studimi nga studiuesit në universitetet e Kolumbia dhe Rutgers në SHBA, 1 litër ujë në shishe përmban mesatarisht gati çerek milionë fragmente nano-plastike.

Studiuesit analizuan 5 mostra të 3 markave të zakonshme të ujit në shishe dhe gjetën nivele nanoplastike që varionin nga 110.000-400.000 për litër, me një mesatare prej rreth 240.000 fragmentesh. Shkencëtarët thonë se shumica e plastikës duket se vjen nga vetë shishja.

Dhe ende nuk dihet nëse gëlltitja e plastikës përbën një rrezik serioz për shëndetin tonë. Një rishikim i gjerë i disa studimeve shkencore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitet 2019-2020, arriti në përfundimin se kishte ende shumë pak kërkime, për të përcaktuar nëse konsumimi ose thithja e mikroplastikës, përbën një rrezik për shëndetin e njeriut.

Megjithatë, ai paralajmëroi se fragmentet më të vogla, me përmasa më pak se 10 mikrometra, ka të ngjarë që të përthithen nga trupi. OBSH-ja ka bërë thirrje për një reduktim të ndotjes plastike për të reduktuar ekspozimin e njerëzve. Por a është vërtet e mundur të shmangim mikroplastikën?

Mikroplastika gjendet edhe në ushqimin që hani çdo ditë

Plastika nuk gjendet vetëm kudo ku ka ujë. Ajo është shumë e përhapur edhe në tokat bujqësore, dhe mund të përfundojë edhe tek ushqimi që hamë. Sipas një analize të vitit 2022, llumi i ujërave të zeza, i cili përdoret si pleh organik, ka ndotur gati 20 milionë hektarë tokë bujqësore në SHBA.

Kjo llum përmban mikroplastikën PFAS, e njohura edhe si “kimikati që ekziston përgjithmonë”. Një studim nga Universiteti i Kardifit në Britaninë e Madhe, zbuloi se 86- 710 trilion grimca mikroplastike ndotin çdo vit tokat bujqësore në Evropë. Kjo do të thotë që ne mund të konsumojmë pa dijeninë tonë fragmente të vogla plastike me çdo kafshatë që hamë. Por disa bimë duket se i përthithin këto mikroplastika më shumë se të tjerat. Për shembull, disa analiza duket se tregojnë se plastika priret të grumbullohet në rrënjët e bimëve dhe kjo do të thotë se perimet me gjethe mund të kenë përqendrime më të ulëta se karotat dhe rrepat. Ndërsa efektet shëndetësore të gëlltitjes së mikroplastikës nuk janë ende të qarta, është zbuluar se ato edhe hyjnë në qarkullimin e gjakut tek njeriu.

A mund të ndihmojë plastika e biodegradueshme?

Reagimi kundër plastikës njëpërdorimëshe, ka bërë që shumë kompani të kërkojnë përdorimin e alternativave që pretendojnë se janë më të biodegradueshme apo të kompostueshme. Por në disa raste, këto alternativa mund të jenë në fakt duke e ndërlikuar më tej problemin e mikroplastikës.

Studimet e fundit të kryera nga shkencëtarët në Universitetin e Plajmauthit në Britaninë e Madhe, zbuluan se edhe qeset e etiketuara si “të biodegradueshme”, mund t’u duhen vite që të shpërbëhen. Madje edhe atëherë, ato ndahen kryesisht në copa më të vogla, në vend të zhdukjes së pjesëve kimike të tyre përbërëse.

Po kalimi te shishet prej qelqi?

Ndërrimi i ambalazheve plastike, mund të ndihmojë potencialisht në reduktimin e ekspozimit ndaj mikroplastikës. Për shembull uji i rubinetit, ka nivele më të ulëta të mikroplastikës sesa uji që konsumojmë nga shishet plastike. Por edhe kjo qasje, do të kishte sërish pasoja mjedisore.

Sepse ndërsa shishet e qelqit kanë një shkallë të lartë riciklimi, ato zënë ndërkohë më shumë hapësirë sesa paketimet plastike dhe të llojeve të tjera të përdorura për lëngjet, si kutitë tetrapak dhe kanaçet e aluminit. Kjo sepse çlirimi i silicit, nga i cili prodhohet xhami, mund të shkaktojë dëme të mëdha në mjedis, përfshirë përkeqësimin e cilësisë së tokës dhe humbjen e biodiversitetit.

Pra edhe me këto enë jo plastike, është e vështirë të shmangim tërësisht mikroplastikën. Studimet e udhëhequra nga Sherri Mason në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë në SHBA, kanë zbuluar se ato nuk janë të pranishme vetëm në ujin e rubinetit, ku pjesa më e madhe e ndotjes plastike vjen nga fibrat e veshjeve, por edhe tek kripa e detit dhe madje edhe tek birra.

Ç'mund të bëhet për të reduktuar mikroplastikën?

Për fat të mirë, ka njëfarë shprese. Studiuesit po zhvillojnë një sërë qasjesh, për të ndihmuar në reduktimin e ndotjes plastike në mjedisin tonë. Njëra prej tyre, është kultivimi në masë i kërpudhave dhe baktereve që ushqehen me plastikë, duke i shpërbërë ato gjatë procesit.

Një zgjidhje tjetër të mundshme, ofron edhe një lloj larve e brumbullit, e cila mund të gllabërojë polistirenin. Të tjerët janë fokusuar tek përdorimi i teknikave të filtrimit të ujit, apo trajtimet kimike që mund të zhdukin mikroplastikën.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë