Një studim i ri sugjeron se shëndeti i zorrëve të fëmijëve të vegjël mund të ndikojë në rrezikun e tyre për të zhvilluar probleme të shëndetit mendor më vonë në fëmijëri.
2-vjeçarët me më shumë baktere në zorrë nga grupet Clostridiales dhe Lachnospiraceae kishin më shumë gjasa të përjetonin depresion, ankth dhe simptoma të tjera të ashtuquajtura “të brendshme” pesë vjet më vonë, sipas studimit, i cili u botua në revistën Nature Communications.
Studiuesit besojnë se lidhja mund të shpjegohet nga boshti tru-zorrë, ose lidhjet dypalëshe midis trurit dhe zorrëve që ndikojnë në humorin, stresin, njohjen dhe një mori funksionesh të tjera.
Bridget Callaghan, autorja kryesore e studimit dhe profesoreshë e asociuar e psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles, tha se gjetjet sugjerojnë që bakteret e hershme të zorrëve mund të ndihmojnë në programimin e qarqeve të trurit që janë të lidhura me shëndetin mendor dhe emocional në fëmijëri.
“Duke lidhur modelet e mikrobiomës në jetën e hershme me lidhjen e trurit dhe simptomat e mëvonshme të ankthit dhe depresionit, studimi ynë ofron prova të hershme se mikrobet e zorrëve mund të ndihmojnë në formësimin e shëndetit mendor gjatë viteve kritike të moshës shkollore”, tha Callaghan në një deklaratë.
Gjetjet janë të fundit që hedhin dritë mbi mënyrën se si shëndeti i zorrëve ndikon në mirëqenien e përgjithshme. Mikrobioma e zorrëve, ekosistemi i baktereve dhe organizmave të tjerë të vegjël që jetojnë në traktin tretës, është lidhur me kancerin, pagjumësinë, sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, lindjen e parakohshme dhe probleme të tjera shëndetësore, megjithëse shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht pse ndodh në shumicën e rasteve.
Në studimin e fundit studiuesit mblodhën të dhëna shëndetësore në moshat dy, gjashtë dhe 7.5 vjeç, duke përfshirë mostra jashtëqitjeje, skanime të trurit dhe anketa të prindërve mbi problemet e sjelljes.
Studiuesit lidhën modelet e trurit në moshën gjashtë vjeç me simptomat e brendshme, shenja të shqetësimit emocional si për shembull, ankthi, depresioni dhe tërheqja sociale në moshën 7.5 vjeç, dhe më pas punuan në drejtim të kundërt për të analizuar profilet e mikrobiomës së zorrëve të tyre në moshën dy vjeç.
Kështu ata identifikuan grupet e baktereve Clostridiales dhe Lachnospiraceae në fëmijërinë e hershme si potencialisht të lidhura me ankthin dhe depresionin më vonë.
Gjetjet janë në përputhje me hulumtimet e mëparshme që tregojnë se bakteret nga këto grupe janë të lidhura me simptomat e depresionit tek të rriturit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



