Analize

Mike Pompeo, dikur kundërshtar, tani krahu i djathtë i Presidentit Trump

Nga "New Yorker"- Në dimrin e vitit 2016, Donald Trump ishte duke fituar përparësi në zgjedhjet e brendshme të Partisë Republikane dhe Mike Pompeo ishte i vendosur ta ndalonte. Pompeo, asokohe një kongresmen pak i njohur nga Wichita, e bindi senatorin Marco Rubio të sfidonte Trump në Kansas. Si shumë republikanë në Kongresin Amerikan, edhe Pompeo besonte se Rubio ishte ai që kishte njohuritë e sigurisë kombëtare dhe gjykimin e duhur për të qenë President, dhe jo Trump. I nxitur nga Pompeo, ekipi i Rubios nisi një fushatë të mirëfillte politike edhe në shtetet e tjera për të mundur Trump. Kansasi ishte një nga pak shtetet e mbetura në të cilat Rubio ende shpresonte të mposhte Trumpin, të cilin e konsideronte si një "showmen" që donte të merrte përsipër Partinë Republikane".

Pompeo kundër Trump

Më 5 mars, Trump dhe senatori i Teksasit Ted Cruz arritën në Wichita për t’u përballur me Rubion, i cili ia la argumentin përmbyllës Pompeos.

"Unë do të flas me zemër për atë që besoj se është rruga më e mirë përpara për Amerikën dhe mendoj që zgjedhja e duhur do një veteran ushtarak që doli i pari në klasën e tij”, deklaroi Pompeo duke iu drejtuar elektoratit amerikan. Ai paralajmëroi se Trump, ashtu si Barack Obama, do të ishte "një president autoritar që do të injoronte Kushtetutën. “Ushtarët amerikanë nuk betohen për besnikëri ndaj Presidentit Trump ose ndonjë Presidenti tjetër ", deklaroi Pompeo. "Ata bëjnë betimin për të mbrojtur Kushtetutën tonë, qofshin konservatorë apo republikanë. Marco Rubio nuk do të poshtërojë kurrë ushtarët tanë duke thënë se ai do t'i urdhërojë atë bëjnë gjëra që janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë” deklaroi Pompeo, duke iu referuar deklaratave të Trump se “ushtarët duhet t’i bindeshin vetëm tij”.

Qëndrimi i rreptë i Pompeos ndaj Trump mori vëmendjen e shtypit vendor dhe disa ditë më vonë, fushata e Rubios kishte mbaruar. Në maj, Trump siguroi delegatët e nevojshëm për emërimin e tij dhe Pompeo u bashkua me ngurrim me pjesën tjetër të delegacionit të Kansasit. Sidoqoftë, Pompeo i kishte deklaruar për gazetën “Capital-Journal”, në prill të atij viti se Trump nuk “besonte në konservatorizëm", dhe, disa javë më vonë, ai tha, për CNN se “shumë politika të tij nuk ishin pjesë e vizionit të Pompeos për mënyrën sesi ai dëshironte të përfaqësonte Kansasin ”.

Në atë pikë, Pompeo nuk e kishte takuar kurrë Trump. Ashtu si shumë republikanë që e quajtën Trump një "kancer" dhe një kërcënim për demokracinë para se ta mbështesnin, Pompeo nuk u pajtua me pjesën më të madhe të platformës së Trump. Ai u mor në veçanti me sloganin e fushatës “Amerika e Para” dhe planet e presidentit në lidhje me rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Pompeo ishte një konservator, i formuar nga shërbimi i tij ushtarak në epokën e Luftës së Ftohtë dhe mbetet edhe sot besimtar i fuqisë amerikane, si garant i stabilitetit global. Megjithatë, pasi Trump fitoi Presidencën, Pompeo kërkoi një post në Administratën e tij dhe nuk ngurroi të shërbejë si drejtor i CIA-s. Në vitin 2018, pasi Trump pushoi nga puna ish-sekretarin Rex Tillerson, Pompeo e zëvendësoi si diplomati më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pompeo, një i krishterë ungjillor që mban një Bibël në tryezën e tij, tani thotë se është e mundur që Zoti e ringjalli Trump siç ringjalli Mbretëreshën Esteri, figura biblike që e bindi Mbretin e Persisë për të kursyer popullin hebre. Duke folur për punën me Presidentin, ai thotë se është i gatshëm të bëjë gjithçka që kërkon Trump.

"Një Sekretar Shteti duhet të dijë se çfarë dëshiron Presidenti" tha ai, në një fjalim të mbajtur së fundmi në Uashington. Pompeo ka qëndruar pranë Trump, pavarësisht lëvizjeve të papritura të Presidentit. Siç më tha një ish-zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, “nuk do të ketë kurrë asnjë përplasje publike mes tij dhe Trump". Ish zyrtari tha se edhe në ambiente private, Pompeo është ndër zyrtarët më të besuar dhe më besnikë ndaj presidentit”.

Transformimi i Pompeos pasqyron edhe historinë sesi pjesa më e madhe e anëtarëve të Partisë Republikane shkuan nga përçmimi i Trump drejt “përqafimit” të tij.

Pesëdhjetë e pesë vjeçari jeton me gruan e tij të dytë, Susan dhe qenin e tyre Sherman, në një shtëpi me qira pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. I apasionuar pas kinematografisë dhe grupit të rrokut AC/DC, ai shfaqet mjaft modest në ambientet ku ndihet komod. Por kur përfshihet në një debat, veçanërisht për çështje që lidhen me Presidentin, ai bëhet agresiv. Ai parapëlqen kostume gri dhe shfaqet gjithnjë me flokë të prera shkurt. Trump nga ana tjetër, e ka kthyer besnikërinë e Pompeos në një armë të administratës së tij. Në një vizitë të fundit në Korenë e Jugut, ai e thirri Pompeon në skenë bashkë me vajzën e tij Ivankën, duke iu referuar atyre si e "bukura dhe bisha".

Mike Pompeo, Gazeta Si, 2 shtator 2019

Pompeo si biznesmen lokal

Natyra e Pompeos ka pak ngjashmëri me atë të Sekretarëve të fundit të Shtetit, pasi të gjithë diplomatët që kanë mbajtur këtë post kanë pasur karriera të gjata në jetën publike dhe përvojë të gjerë ndërkombëtare. Por ky nuk duket të jetë rasti i Pompeos. Një dekadë më parë, ai ishte i panjohur jo vetëm në Uashington, por edhe në shtetin e tij të ku sapo kishte humbur fushatën e tij të parë për t'u bërë kryetar i degës së Partisë Republikane në Kansas. Trump shpesh mburret se Pompeo ka qenë një nga studentët më të mirë të Harvardit, por në gjashtë vjet si anëtar i Kongresit ai kurrë nuk kryesoi një komision ose nuk u përball me zgjedhje vërtet konkurruese dhe shërbeu pak më shumë se një vit në CIA.

Ai e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij duke drejtuar një kompani aviacioni në Wichita. Të dhënat e Pompeos zbulojnë se ai është anëtari më i varfër i kabinetit të presidentit Trump, duke deklaruar në vitin 2019 se pasuria e familjes se tij ishte dyqind mijë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë dollarë. I lindur në vitin 1963, Pompeo është një nga tre fëmijët e një familjeje të klasës punëtore në Kaliforninë Jugore. Babai i tij, Wayne, ishte pjesë e marinës amerikane në Luftën Koreane. Pompeo nuk flet publikisht për mosmarrëveshjet e tij politike me babanë e tij, por ato filluan që në adoleshencë kur Pompeo lexoi "The Fountainhead" të Ayn Rand dhe u bë një konservator.

Pompeo doli i pari në Universitetin e West Point-it, ku u diplomua për inxhinieri. “ Është e vështirë të jesh numri një”, më tha një shok klase i Pompeos. "Nuk do të thotë thjesht të jesh personi më i zgjuar. Do të thotë të jesh edhe personi që shkëlqen më së shumti dhe që ka gjithashtu aftësitë më të mira atletike ”.

Pompeo u martua me të dashurën e kolegjit, Leslie Libert, fundjavën që u diplomua. Më pas ai u emërua komandant në Regjimentin e dytë të Armatës së Ushtrisë amerikane , i cili patrullonte kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit në Gjermani.

Pesë vjet më vonë, me mbarimin e Luftës së Ftohtë, kufiri u zhduk dhe Pompeo u largua nga ushtria, pasi u ngrit në gradën e kapitenit. Ai shkoi në Shkollën Juridike të Harvardit dhe më pas u transferua në Uashington D.C. dhe u bashkua me firmën e avokatisë “Williams & Connolly”.

Sidoqoftë, në fund të viteve nëntëdhjetë, Pompeo ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Ai u largua nga avokatia pas dy vjetësh u nda edhe nga gruaja e tij. (Ai mbajti qenin e tyre Bajron; ajo mori macen, Keats.) Ai u transferua në Kansas, ku në fillim të viteve 1997 bashkë me tre miqtë e tij krijuan një kompani të quajtur “Thayer Aerospace”. Qëllimi i tyre ishte të blinin firma që prodhonin makineritë të specializuara për kompanitë.

Ndërkohë që blinte një nga kompanitë për firmën e re, ai u takua me Susan Justice Mostrous, zëvendëspresidenten e një banke lokale, e cila ishte ulur në anën tjetër të tryezës së bisedimeve. Në vitin 2000, ai dhe Susan u martuan dhe ai adoptoi djalin e saj nga martesa e saj e parë.

Me kalimin e kohës, Pompeo u njoh me disa nga biznesmenët më të pasur të qytetit, përfshirë David Murfin, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Kansas dhe Charles dhe David Koch, donatorët miliarderë republikanë . Në vitin 1998, fondi i kapitalit të sipërmarrjes së Koch bëri një investim kryesor në kompaninë e Pompeos.
Në vitin 2010, mes reagimit të Partisë Republikane për Presidentin Obama, Pompeo filloi një tjetër karrierë, duke garuar për një vend në Kongres. Pompeo zhvilloi një garë të dobët kundër demokratit Raj Goyle, i cili, ndryshe nga Pompeo, ishte rritur në Wichita. Fushata e Pompeos kishin logon "Votoni amerikanët, votoni Pompeon”, pasi kundërshtari i tij ishte indiano-amerikan . Falë kësaj fushate, ai fitoi me lehtësi zemrat e republikanëve. "Aftësia më e madhe e Pompeos është në fuqia për t’u afruar me njerëz me ndikim", thotë Goyle. "Për këtë unë kam shumë respekt për Pomepon. Për mënyrën se si ai e hartoi garën në Wichita, mënyrën se si kapi pushtetin në D.C dhe mënyrën si u afrua me Trump".

Vëllezërish Koch ishin mbështetës shumë më domethënës të biznesit të tij nga sa ai e ka pranuar publikisht. Në vitin 2011, “Washington Post” raportoi se, sipas Pompeo dhe investimi nga fondi i kapitalit të ndërmarrjeve të Kochs "arriti në më pak se 2 për qind" të totalit të kompanisë së tij, por shuma e vërtetë ishte shumë e madhe”.

Në fjalimet e tij, Pompeo shpesh e përshkruan “Thayer” si një kompani "të vogël" dhe veten e tij si një "biznesmen të vogël", por në fakt, deri në vitin 2000, investitorë të tjerë të pasur kishin investuar nëntëdhjetë milion dollarë në firmën e Sekretarit të Shtetit. Por pavarësisht mirë-financimit, nën drejtimin e Pompeos “Thayer” ishte duke luftuar vazhdimisht në beteja financiare, një aspekt tjetër i së kaluarës së tij që Pompeo është munduar ta fshehë. Gjatë kandidimit të tij të parë për në Kongresin, në vitin 2010, një nga rivalët e tij kryesorë republikanë, një milioner vendas i quajtur Wink Hartman deklaroi se Pompeo e kishte keqmenaxhuar kompaninë dhe e kishte futur në telashe të mëdha financiare, prandaj edhe ishte detyruar të largohej. Pompeo e mohoi akuzën, duke thënë se ai e la “Thayer”në "kushte të shkëlqyera". Ai pranoi se kishte kaluar disa vështirësi, për të cilat fajësoi rënien e industrinë e aviacionit pas sulmeve të 11 shtatorit.

Por problemet e kompanisë filluan para këtyre sulmeve dhe vazhduan edhe pas tyre. Në vitin1999, “Thayer” filloi të shkojë drejt greminës. Sipas dëshmisë se Randy Birchfield, një shok klase në West Point, të cilin Pompeo e rekrutoi në kompaninë e tij, biznesi ishte ngadalësuar, duke çuar në shkurtime dhe pushime të vazhdueshme nga puna.

Mike Pompeo, Gazeta Si, 2 shtator 2019

Vështirësitë e firmës vazhduan. Ish menaxheri i burimeve njerëzore të “Thayer”, Kenneth Bollinger, tha se ai "drejtoi largimin sistematik të gati gjysmës së punonjësve pas 11 shtatorit". Një bilanc i kompanisë tregoi se, nga maji i vitit 2004, “Thayer” kishte vetëm tridhjetë e një mijë dollarë para të gatshme dhe një vlerë neto negative prej gati tridhjetë e tre milion dollarësh. Në vitet 2005 dhe 2006, shitësit paditën Thayer për më shumë se treqind mijë dollarë në fatura të papaguara..

Në prill të vitit 2006, Pompeo nuk po e drejtonte më kompaninë, e cila iu shit në firmën “Highland Capital”. Pompeo personalisht mbajti dhjetë për qind të aksioneve, por pasuria e tij modeste tregon se ai nuk fitoi shumë para nga shitja e saj.

Si u bë Pompeo pjesë e Partisë e Republikane

Por ai e mori veten shpejt, falë kontakteve me David Murfin, manjatin më të madh të naftës në Kansas. Murfin e emëroi Pompeon president të “Sentry International”, një firmë që prodhonte makineri për nxjerrjen e naftës në Kinë. Si Kochët, ashtu edhe Murfin ishte një zyrtar me ndikim në selinë e Partisë Republikane në Kansas. Në janar të vitit 2007, Pompeo kandidoi për kryesinë e Partisë Republikane të Kansasit, kundër Tim Huelskamp, një kongresmeni të ardhshëm dhe Kris Kobach, një zjarrfikës që përfaqësonte krahun e anti-emigrantëve të Partisë dhe ia doli të fitonte.

Shpejt pasi mbërriti në Capitol Hill, në vitin 2011, ai ishte subjekt i disa artikujve në “Los Angeles Times” dhe në “Washington Post”, në të cilët u portretizua, si "kongresmeni i ri i Kochëve". Dy gazetat e njohura shkruanin se Pompeo dhe ndihmësit e tij i keqpërdorën investimet e Koçëve në “Thayer”, por kur kandidoi për t’u rizgjedhur si kongresmen në vitin 2014, ai deklaroi vazhdimisht gjatë fushatës se kishte korrur"sukses të jashtëzakonshëm", ndërkohë që drejtonte kompaninë.

Në Uashington, Pompeo gjeti një mënyrë për të drejtuar Komitetin e Energjisë dhe Tregtisë, një panel thelbësor për interesat e biznesit të klientëve të tij në Kansas. Ai emëroi një ish-avokat të familjes Koch si shefin e tij të shtabit dhe fitoi një reputacion si një mbrojtës i ashpër i tyre. Besnikëria e tij u shpërblye, pasi në vitet 2010, 2012, 2014 dhe 2016 ai mori më shumë fonde fushate nga vëllezërit Koch sesa çdo kandidat tjetër në vend.

Pompeo arrit më vonë të bëhej pjesë e Komitetit të Inteligjencës duke ndihmuar kryetarin e komitetit, Mike Rogers, i cili kërkoi ndihmën e tij në shuarjen e një rebelimi nga anëtarët e tjerë të Partisë.

Në këtë komitet, Pompeo vlerësohej nga kolegët e tij si njeri i zgjuar dhe punëtor. “I mprehtë shumë politik", siç thoshte Adam Schiff, një senator i njohur demokrat. Pompeo mori vëmendje si një nga promovuesit e teorive të komplotit në lidhje me vrasjen e ambasadorit amerikan dhe tre amerikanëve të tjerë në Libi, në vitin 2012. Për vite me radhë, Pompeo kritikoi Sekretaren e Shtetit Hillary Klinton për zvarritjen e incidentit.
Pompeo argumentoi se Klinton e dinte që ajo që ndodhi në Benghazi ishte një "sulm terrorist", por me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, ajo e mbuloi atë.

Pompeo u përball me Klinton kur ajo dëshmoi para trupit gjykues më 22 tetor të vitit 2015. Përballja e tyre u pa gjerësisht si një fatkeqësi për Pompeon, dhe ai më vonë i tha një grupi republikanësh lokal në Kansas se edhe gruaja e tij, Susan, i kishte dhënë një “katër” për performancën e tij.

Marrëveshja bërthamore e Obamës me Iranin ishte një tjetër obsesion i Pompeos. Ai u miqësua me senatorin e Arkansasit, Tom Cotton duke argumentuar se kjo marrëveshje jo vetëm që do të dështonte për të ndaluar Iranin të ndërtonte armë bërthamore, por do të nxiste gjithashtu edhe për terrorizmin. Në vitin 2015, ata udhëtuan së bashku në Vjenë, ku sipas tyre zbuluan se ekipi i Obamas kishte arritur disa "marrëveshje të fshehta” me iranianët. Argumentet e Pompeos për sulmin në Benghazi dhe marrëveshjen për Iranin, bënë që ai të kthehej në një nga kritikët më të ashpër të politikës së jashtme të Obamës.

Si u bë Pompeo pjesë e Administratës Trump

Por në vitin 2016, Pompeo u ndje i kërcënuar nga senatori i Kansasit, Pat Roberts me frikën se ky i fundit mund t’i zinte vendin në Komitetin e Inteligjencës. Pompeo thirri një republikan në Kansas, i cili kishte punuar për Trump dhe i tha atij se shpresonte të bëhej drejtor i CIA-s. Të dy vendosën që ai duhet të kërkonte ndihmën e David Urban, një republikan që kishte drejtuar fushatën e Trump në Pensilvani.

Më 16 nëntor, Pompeo u thirr në “Trump Tower” për një intervistë me Presidentin e zgjedhur. Ata nuk ishin takuar kurrë dhe ende nuk ishin pajtuar për çështjet kryesore, siç është Rusia. Trump dëshironte të hiqte sanksionet ndaj regjimit të Vladimir Putin dhe përçmonte komunitetin e inteligjencës amerikane që pretendonte se Rusia kishte ndërhyrë në emër të tij në zgjedhjet presidenciale. "Ju e keni gabim për Putinin," i tha Trump, Pompeos, sipas një bisede që Sekretari i Shtetit kishte zhvilluat me senatorët republikanë.
"Jo", tha Pompeo, "Ju e keni gabim”.

Dy ditë më vonë, Trump njoftoi se Pompeo ishte kandidati i tij për të drejtuar CIA-n. Trump dukej se dinte shumë pak rreth Pompeos, por nuk do të pendohej kurrë për zgjedhjen e tij.

Pompeo u kujtoi republikanëve të tjerë që ai dhe Trump kishin një armik të përbashkët: Barack Obaman.

Donald Trump dhe Mike Pompeo, Gazeta Si, 2 shtator 2019

“Vetëm disa muaj më parë, Pompeo e kishte krahasuar " qëndrimin autoritar” të Obamës me qëndrimin që Trump kishte mbajtur gjatë fushatës, por tani që ishte bashkuar me kabinetin e Trump, ai kishte ndryshuar totalisht qëndrim”, tha një ish- zyrtar i Administratës Bushi. Më 23 Janar, Pompeo u konfirmua si drejtori i ri i CIA-s, por kur arriti atje, ai u përball me një zemërim politik të krijuar nga Presidenti i ri. Disa ditë përpara betimit të tij, Trump kishte krahasuar komunitetin e inteligjencës amerikane me Gjermaninë naziste për hartimin e një dosjeje sekrete mbi lidhjet e Rusisë me Trump.

Pastaj, në një ceremoni përshëndetëse në hollin e CIA-s, Presidenti kishte sulmuar përsëri agjencinë se kishte dalë me pretendime të rreme për madhësinë e turmës në inaugurimin e tij. Megjithatë, Pompeo arriti të qetësojë CIA-n nëpërmjet burokracisë. “Ai u zotua të shërbejë si një urë e rëndësishme dhe një mburojë, jo vetëm nga Shtëpia e Bardhë, por nga çdo lloj sulmi politik", tha Juan Zarate, një ish zyrtar amerikan të cilit Pompeo i kërkoi të drejtonte kalimin e tij me zyrtarët e CIA-s.

Pompeo i përdori seancat e sigurisë kombëtare për të vendosur një marrëdhënie miqësore me Presidentin, në kontrast nga marrëdhëniet e vështira të Trump me këshilltarët e tjerë të lartë të sigurisë kombëtare.

Christopher Ruddy, një mik i afërt i Trumpit tha se presidenti do të takonte Mike Pompeo para se të takonte Tillersonin, për të marrë vlerësimin e tij për çështje të rëndësishme, pasi ai kishte besim të jashtëzakonshëm për gjykimin e Pompeos.

Pompeo dhe gruaja e tij ndërtuan marrëdhënie të afërta jo vetëm me Trump, por edhe me të gjithë njerëzit e afërt të tij. Një prej tyre ishte miqësia me çiftin më të ndritshëm të Kabinetit, Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin dhe gruan e tij, Louise Linton. Ata afruan anëtarin më të varfër të rrethit të brendshëm të Trump dhe e bënë pjesë të cdo takimi të nivelit të lartë në Uashington D.C.

Ndërkohë, nga vjeshta e vitit 2017, Rex Tillerson ishte në telashe me Presidentin.
Atë verë, ai e kishte quajtur Trumpin në bisedat më këshilltarët e tij "ndyrësirë" dhe shpesh nuk ishte dakord me presidentin për vendimet e politikës së jashtme, të tilla si tërheqja nga marrëveshja e klimës dhe transferimi i Ambasadës Amerikane në Izrael, në Jeruzalem. Kur Trump kërkoi tërheqjen e menjëhershme nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Tillerson u mundua ta shtynte edhe për disa kohë. Shumica e këshilltarëve të tjerë u pajtuan me Tillersonin, por Pompeo ishte i vetmi që mbështeti daljen nga marrëveshja me Iranit, pavarësisht shqetësimeve të CIA-s.

Marrëveshja me Iranin ishte një nga temat mbi të cilën Trump dhe Pompeo u rreshtuan në të njëjtin krah përpara vitit 2016. Një tjetër ish-zyrtar i lartë i inteligjencës më tha që Pompeo u dha "një përgjigje të ftohë" ekspertëve të CIA-s, pasi ata arritën në përfundimin se Irani po zbatonte kushtet e marrëveshjes së negociuar nga Obama, ndërkohë që Trump pretendonte se Irani nuk po i respektonte. Ish-zyrtari i lartë i inteligjencës më tha që Pompeo sfidoi analistët e agjencisë, duke i pyetur vazhdimisht , “çfarë provash keni?”

Në Shtëpinë e Bardhë, Pompeo zhvilloi një fushatë më vete për të zëvendësuar Tillersonin. Lufta e brendshme mbi Iranin ishte një ndihmesë e madhe. “Pompeo po punonte shumë. Ai nxori mësimet e veta nga largimi i Tillersonit” më tha ish-zyrtari. "Ai po afrohej gjithnjë e më shumë me Trump, duke i thënë vazhdimisht presidentit se kishte shumë njerëz rreth vetes që nuk pajtoheshin me të, por se ai do të ishte gjithnjë në krahun e tij”.

Një përkrahës i rëndësishëm i Pompeos ishte Jared Kushner, i cili u përplas në mënyrë të përsëritur me Tillerson pasi Trump i caktoi dhëndrit të tij një portofol që përfshinte gjithçka nga Kina në Meksikë e deri në paqen e Mesme. Në një konferencë në Uashington në fund të vitit 2017, një zyrtar e pyeti Kushner për problemet e Tillersonit me Trump.

"Problemi do të zgjidhet shumë shpejt," u përgjigj Kushner. Kur një mysafir tjetër sugjeroi që Pompeo, i cili ishte i pranishëm, ta zëvendësonte, Kushner u përgjigj: "Sigurisht".

Disa muaj më vonë, në mars të vitit 2018, Tillerson po kthehej në shtëpi nga një udhëtim në Afrikë, kur Trump e pushoi dhe e njoftoi Pompeon si zëvendësuesin e tij. Në pranverën e vitit 2018, në ditën e tij të parë si Sekretar i Shtetit, Pompeo u takua me ish-gjeneralin e Luftës së Dytë Botërore George Patton, duke u zotuar se SHBA do të “jetë madhështore sërish”. Referenca për një figurë të tillë jo-diplomatike ishte e çuditshme, sepse pak e dinin që Patton është gjenerali më i admiruar i Trump dhe se filmi për jetën e Pattonit është një nga të preferuarat e tij.

Donald Trump dhe Mike Pompeo, Gazeta Si, 2 shtator 2019


Përplasjet e brendshme

Sidoqoftë, administrimi i Departamentit të Shtetit ishte më i vështirë për Pompeon sesa drejtimi i CIA-s.

Në kohën që drejtonte agjencinë, Pompeo kalonte shumë orë me Presidentin, duke e këshilluar për heshtje të rëndësishme të politikës së jashtme. Tani atij i duhet të udhëtojë larg, ndërkohë që Bolton, këshilltari i ri i sigurisë kombëtare të presidentit kishte çdo ditë kohë për të takuar Trumpin. Departamenti i Shtetit gjithashtu ishte në gjendje të keqe nga mandati i dështuar i Tillersonit. Ai kishte larguar diplomatët me përvojë të Shërbimit të Jashtëm, pasi Tillerson hartoi një plan të gjerë riorganizimi, duke larguar të gjithë zyrtarët që kishin bërë fushatë kundër Trump.

Pompeo u këshillua me të gjithë ish sekretarët e Shtetit, përfshirë Hillary Clinton, duke marrë konfirmimin në senatit edhe nga shumë senatorë demokratë. Pompeo e përdori afrimin e tij me Presidentin si një shtyllë stabiliteti në drejtimin e DASH.

"Departamenti e vlerëson faktin se ata kanë një sekretar të cilit Presidenti i beson," më tha Fred Fleitz, këshilltar i lartë i Bolton. Demokratët janë gjithashtu më të kënaqur, pasi Pompeo ka vendosur në poste drejtuese diplomatë me shumë përvojë.

"Ka një të mirë organizimi në Departamentin Amerikan të Shtetit që madje edhe kritikët si unë nuk mund t'i injorojnë”, thotë Fleitz.

Megjithatë, impulsiviteti i Trump ka krijuar probleme dhe komplikime të vazhdueshme për Pompeo dhe për zyrtarët e tjerë të administratës së tij. Trump e nënvleftësoi Pompeon me vendimin e tij të papritur, për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria dhjetorin e kaluar, (e cila çoi në dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes James Mattis).

Sipas një ish-zyrtari të lartë amerikan, Pompeo ishte po ashtu "shumë skeptik” se bisedimet mes Trump me Kim Jong Un nuk do të çonin në çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut, pasi detyra e parë që Trump i dha Pompeos ishte për të mbikëqyrur këto negociata. Gjatë kësaj periudhe, Trump ka alarmuar disa herë aleatët historike të SHBA-së, duke kërcënuar me anulimin e traktatit të mbrojtjes me Japoninë, tërheqjen e trupat amerikane nga Koreja e Jugut dhe duke kritikuar vendet e Evropës për kontributin e ulët për NATO-n

"E gjithë kjo ka bërë që vizitat e Pompeos në vende normalisht miqësore të jenë të tensionuara.
Sidoqoftë, në Uashington, Pompeo ka arritur të ruajë besimin e Trump, ndërkohë që mbetet këshilltari i tij i besuar për politikën e jashtme.

“Ai është në një farë kuptimi i rrituri i Administratës Trump", më tha Ian Bremmer, themeluesi i firmës gjeopolitike të “Eurasia Group. "Ndoshta kjo është më pak nga ajo që ai do të donte, por shumë më tepër se ajo që ka arritur kushdo tjetër. Ai është një njohës i mirë i Trump dhe bën shumë për ta menaxhuar. Të tjerët besojnë se Pompeo është zyrtari më i qëndrueshëm i Administratës, por ai është një politikan që e njeh mirë audiencën e tij. Ai dëshiron të japë përshtypjen se përgjithësisht pajtohet me presidentin, por e di shumë mirë se po punon me njeri të egër", thotë Bremmer.

Kur bëhet fjalë për personelin, Pompeo ka dërguar sinjalet e duhura në Kongres duke punësuar disa kundërshtarë republikanë të Presidentit. Ai e emëroi Elliott Abrams, një zyrtar që doli kundër Trump në vitin 2016, si i dërguari i tij i veçantë për Venezuelën. (Trump bllokoi përpjekjen e Tillerson për të punësuar Abrams.) Ai i kërkoi Jim Jeffrey, zëvendës këshilltarit të sigurimit kombëtar të George W.Bush, të shërbente si i dërguari special për Sirinë, edhe pse ai bëri fushatë kundër Trump.

Në secilin rast, Pompeo e menaxhon me kujdes Presidentin. " Nëse ai nuk bie dakord me presidentin, ai do të punësojë këdo që të dëshirojë," më tha një zyrtar i lartë i Administratës.

Ndonjëherë, shqetësimi i Pompeos për imazhin e tij politik mund të duket se formon vendime politike. Shtatorin e kaluar, ai urdhëroi mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin irakian të Basras, pavarësisht kundërshtimeve nga disa zyrtarë të Departamentit të Shtetit. "Ai nuk donte që Basra të ishte Benghazi", tha një ish zyrtar i lartë amerikan që diskutoi për këtë vendimin me Pompeon.

John Bolton, Donald Trump dhe Mike Pompeo, Gazeta Si, 2 shtator 2019

Në një fjalim të mbajtur së fundmi në Institutin Claremont, në Kaliforni, Pompeo përshkroi versionin e tij të doktrinës Trump, duke pretenduar se "realizmi" dhe "respekti" përcaktonin qasjen e Presidentit ndaj botës. Fjalimi i Pompeos ishte një shpjegim ambicioz i politikës së jashtme të Administratës Trump, duke pohuar se nacionalizmi është i nevojshëm pasi SHBA përballet me një epokë të re konkurrence me Kinën dhe Rusinë.

"Problemi me këtë fjalim ishte se ai nuk pasqyronte politikën e jashtme të Trump," tha Brett McGurk, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit që u largua në pas vendimin të Trump për të larguar trupat amerikane nga Siria. "Strategjia e Trump nuk bazohet në realizëm. Nuk bazohet në kufizim, por në deklarimin e objektivave madhore, pak prej të cilave Administrata është e gatshme ose është në gjendje t’i përmbushë.”.

Për Sirinë, për shembull, Pompeo, Bolton dhe zyrtarë të tjerë nuk u pajtuan me urdhrin e Trump për të tërhequr menjëherë forcat amerikane. Në publik, Pompeo mbrojti vendimin, duke argumentuar, në kundërshtim me faktet, se ky vendim përbënte një vazhdim të politikës së jashtme të Trump.

Ky episodi ishte një nga shumë çështjet për të cilat Pompeo është përpjekur të shmangë konfliktin publik me Presidentin. Në ambientet private, ankesat e Pompeos ndonjëherë janë të ngjashme me ato të shprehura nga paraardhësit e tij, mes tyre H. R. McMaster, këshilltari i dytë i sigurisë kombëtare të Trump. Një nga ish-zyrtarët e vjetër më tha që ai kishte dëgjuar ankesa identike nga Pompeo: "Ne krijojmë politika të hartuara me kujdes dhe Presidenti i hedh poshtë me një postim në Twitter”, ishte shprehur Pompeo në një takim me këshilltarët.

Por deri më tani, Pompeo ka qenë i aftë të mbijetojë. Siç e ka thënë senatori Chris Coons, një demokrat në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, Pompeo ka një “aftësi speciale”, duke paramenduar “si ta bëjë Trump të lëvizë në drejtimin që ai dëshiron”.

Por rreziqet për t’u përballur publikisht me Trump janë rritur. Mundësia e një përçarje të vërtetë u shfaq në qershor, pasi Irani rrëzoi një avion amerikan. Pompeo dhe rivali i tij i brendshëm, Bolton, mbështetën nisjen e një sulmi ushtarak dhe Trump ra fillimisht dakord, por ndërroi mendje në momentin e fundit, kur aeroplanët ishin tashmë në ajër.
Por pavarësisht konvergjencës së tyre ideologjike për Iranin, marrëdhëniet midis Pompeos dhe Boltonin duket se janë përkeqësuar muajt e fundit, aq sa dy zyrtarët nuk flasin me njëri-tjetrin dhe komunikojnë kryesisht përmes ndërmjetësve. Pompeo, i pyetur muajin e kaluar për marrëdhëniet e tij me Bolton, vuri në dukje se "ka gjithmonë tension midis zyrtarëve të larë".

Në mars, Pompeo u kthye në Kansas për një samit të Departamentit të Shtetit mbi sipërmarrjen globale. Mes spekulimeve nëse ai do të kandidojë për një vend në Senat vitin e ardhshëm, Pompeo u pyet për sa kohë planifikonte të shërbente nën Administratën Trump. "Unë do të jem në këtë post derisa Trump të më heqë nga detyra," u përgjigj ai.

Pompeo në publik shpesh thotë se ai ishte pjesë e "grupit të misionit" të caktuar nga Trump, duke e prezantuar veten si një ekzekutues të thjeshtë të komandave të Presidentit. "Ai është shumë i përqendruar në çfarëdo misioni. Nëse Trump dëshiron arritjen e një marrëveshjeje, Pompeo e realizon brenda ditësh", më tha një ish-zyrtar i DASH.

Kjo sjellje është arsyeja që Pompeo ka arritur të jetë i mbijetuari i fundit i ekipit origjinal të sigurisë kombëtare të Trump. Në fillimin e administratës së tij, Presidenti ishte mburrur për "gjeneralët e tij", por tani shumica janë larguar për shkak se nuk mund të mendonin në mënyrë të pavarur.

Trump donte një Mike Pompeo, jo një Jim Mattis, një kapiten të stërvitur për të ndjekur urdhrat, dhe jo një gjeneral që do t’i jepte urdhra. Dhe ky duket të jetë misioni i vërtetë i Mike Pompeos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë