Suadela Balliu - Në vitet ’70, disa të afërm që kishin emigruar në Kanada, i dërguan një magnetofon dhe një kasetë me shirit. Brenda, kishte të regjistruara këngë vllahe. “I dëgjonim dhe na pëlqenin shumë! Këtë këngë e kemi mësuar përmes kasetës”, do t’u thoshte Spiro Gramozi dy studiuesve muzikologë. E kishte fjalën për “Americă laiă”, që në shqip do të përkthehej Amerikë e zezë, një këngë kushtuar emigrimit. “Me ta dëgjuar këtë histori interesante, as e vumë më në diskutim që do ta përfshinim”, rrëfen Mikaela Minga, muzikologe në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe studimeve të artit, ndërsa zbulon hollësi rreth historisë si u ngjiz albumi muzikor “Këngë arumune të Drenovës” , i përuruar vetëm pak ditë më parë, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Bëhet fjalë për një album me këngë folklorike, përgatitur nga Mikaela dhe i ati, studiuesi dhe muzikologu Josif Minga, i publikuar nga shtëpia diskografike me qendër në Itali, “Squilibri Editore”. Publikimi, rrëfen më tej Mikaela Minga, është rezultat i një kërkimi thuajse trevjeçar me këtë komunitet dhe paraqet, të dokumentuar, repertorin e interpretuar nga brezi i vjetër i këngëtarëve vllehë.
“Nisi në fillim të 2016-ës”, kujton Minga, “Im atë më tha; “Është një grup vlleh në Drenovë. Më kanë kërkuar vazhdimisht të shkoj t’i dëgjoj, pse nuk vjen edhe ti?!” Kështu shkuam”. Ajo thotë se i ati, Josif Minga, dy prej këngëtarëve, Spiro Gramozin dhe Aleks Mihallarin, i njihte prej vitesh. “Me t’i dëgjuar, bëra disa regjistrime të vogla dhe ajo që më bëri përshtypje ishte cilësia shumë e mirë e zërit të secilit dhe mënyra sesi funksionin sëbashku.”Ajo që ia shtonte edhe më kërshërinë ishte fakti se bëhej fjalë për një pjesë të trashëgimisë kulturore të një komuniteti, si ai arumun apo i njohur ndryshe edhe si vllehët e Shqipërisë. Vllehët, të vendosur kryesisht në Europën Juglindore, mendohet të jenë pasardhës të popujve vendas, të Ballkanit të romanizuar. Ka hipoteza se origjina e tyre është prej ilirëve dhe thrakëve të romanizuar dhe nga kolonizatorët romakë.
I njohur në kohët moderne si arumunë dhe në Mesjetë si vlleh, rrjedh nga “walha”, e përdorur nga popujt gjermanë për popujt që flisnin gjuhë romane apo latine e po ashtu, edhe për fqinjët keltë. Për origjinën e tyre ekzistojnë disa teza. Studiuesja Elena Bosch, ka thënë se asnjë prej tyre nuk ka saktësi në njëqind përqind, pasi popullsia vllahe ka ngjashmëri gjenetike me të gjithë popujt e Ballkanit.
"Kanë këngë për emigrimin, jetën nomade, ngjarjet në komunitet" - Mikaela Minga
Në Shqipëri, të vendosur kryesisht në malësitë e Korçës janë thirrur gjithashtu edhe çobanë. Të njohur për kulturën e gjerë, ata i kanë prekur të gjitha sferat shoqërore dhe historikisht kanë kontribuuar në bashkëjetesën me popullin shqiptar. Dikur nomadë, vllehët do të vendoseshin në vendbanime fikse nga gjysma e dytë e shekullit të 20 –të, të integruar në aspektin social të shtetit komunist dhe, të detyruar të përqafojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare.Albumi, me këngët e përzgjedhura nga vetë ky grup këngëtarësh e muzikantësh të komunitetit vlleh, të ruajtura me shkrim dore në një fletore e të kënduara brez pas brezi, do të realizohej në Drenovë, në verën e 2017-ës. “Nuk bëmë ndryshime të mëdha; ishin këngët që kërkonin ata të regjistronin, duke shtuar një melodi instrumentale, Vallen e Kapedan Ilias”, kujton Minga.
Kompakt disku mban pesëmbëdhjetë këngë në arumanisht, një në gjuhën shqipe , titulluar “Në këtë dynja” dhe një instrumentale, që është vallja e Kapedan Ilias.
“Në këtë dynja” e këndojnë në shqip”, do të sqaronte Josif Minga gjatë përurimit të albumit muzikor. “ Ka edhe këngë të tjera që i këndojnë në shqip, thotë ai, por gjithmonë duke ruajtur identitetin e tyre. “Në këtë dynja, ç’jemi?, thonë. Do të na mbulojnë me baltë, do të na mbulojnë me dhe…” Sipas profesor Mingës, të dyja kulturat, ajo arumune dhe ajo shqiptare, kanë dhënë e kanë marrë me njëra-tjetrën. Në këtë repertor të përzgjedhur dëgjohen zërat e gjashtë këngëtarëve; Aleks Mihallari, Spiro Gramozi, Spiro Bello, Thanas Tona, Jorgo Malelli dhe Agim Hysenllari, protagonistë të të kënduarit në tri pjesë vokale, me tre role, ku i pari dhe i dyti bazohen tek solisti dhe e treta është isoja, që ka një rol funksional shumë të rëndësishëm në përcjelljen e fizionomisë së këngës.
“Polifonia toske ka një karakteristikë, që ndahet në tre role: marrësi, pritësi dhe isoja.”, vijon muzikologia, “E tha bukur Vasil Tole, që kjo polifoni shtrihet në trajtë horizontale dhe komunikimi i zërave është interesant”, i referohet ajo profesorit të saj, studiuesit Vasil Tole, ndërsa ky i fundit, do të thoshte gjatë përurimit të albumit se polifonia toske polifoni shumëpalëshe, ku secili nga zërat ecën në një linjë të caktuar, tamam si valë. “Janë melodi të kufizuara në shtrirjen e tyre, por mënyrat e ndërhyrjes janë aq të ndryshme, sa të habisin ndonjëherë”, vijon Minga, ndërsa zbërthen hollësi teknike të të kënduarit. “Ka momente ku zëri kryesor bie dhe shfaqet zëri i dytë, ka momente kur japin e marrin në formën e një dialogu apo ku zëra të caktuar, krijojnë efekte timbrike, duke i përdredhur zanoret.” Sipas saj, larmia brenda këngëve është e pasur.
Kur Ministria e Kulturës më 2003-2004, mori nismën të regjistronte iso-polifoninë në Unesco, do të rrëfente Vasil Tole, i cili ishte pjesë e grupit të punës për përgatitjen e dosjes “ me një krenari të ligjshme, regjistruam në Unesco edhe trashëgiminë muzikore të arumunëve të Shqipërisë”. Sipas Toles, e natyrshme është të thuhet se, trashëgimia e shumëzërëshe i përket njësoj shqiptarëve, arumunëve dhe grekëve. “Si pjesë e shumëzërëshit të polifonisë që kultivohet në Shqipëri, vllehët dhe trashëgimia e tyre ka zënë një vend të veçantë në trashëgiminë muzikore, botërore.”Sipas Toles, ky kompakt disk e bën dëgjuesin të bjerë në kontakt me një pjesë të trashëgimisë botërore të Unesco-s. “Ka disa gjëra që lidhen me veçori teknike që etnomuzikologjia jonë nuk i ka dhënë përgjigje. Këndojnë si toskët. Nuk kemi gjetur në asnjë rast që arumunët të këndojnë si labët. Lidhet më shumë me polifoninë e Toskërisë, polifoninë çame dhe atë të Skraparit, një polifoni e veçantë vokale, ku zëri përdoret si instrument”, do të thoshte etnomuzikologu Tole.
Mikaela Minga sjell shembullin e një prej këngëtarëve, në rolin e pritësit apo bartësit, me një talent të rrallë sipas saj, “madje edhe cilësitë vokale i ka shumë skenike, edhe pse nuk është në skenë. Potenciali, aftësia për të arritur notat e regjistrit të sipërm janë mbresëlënëse. Këndon shumë lart për regjistrin e një mashkulli.” Ajo kujton sesi ulej me trupin drejt, “me impostim tepër krenar dhe të mbështetur mirë në tokë, shumë kërkues ndaj zërave të tjerë. Ka një komunikim tepër interesant edhe në grup.” Vasil Tole, do të sqaronte më herët edhe vështirësitë e regjistrimit të polifonisë toske. “Polifonia toske është polifoni shumëvalëshe; secili nga zërat ecën në një linjë të caktuar, ndërsa labja është ndryshe, silabike - i gjithë grupi këndon dhe i rrahin rrokjet dhe, është më kollaj për të regjistruar polifoninë labe, sepse vijnë perkusionet, zhurmat e natyrës, ashtu në fakt edhe shijohet, por kur bëhet një CD si kjo duhet pasur parasysh polifonia toske, isoja solide dhe pastërtia e zërit.” Sipas Toles, kjo polifoni ngjan me ison e gajdes dhe unisonin e këndimit bizantin. “Kërkon njerëz të përgatitur për të mbajtur në kohë të gjata nivele pedali që të bëjnë të mundur shkrirjen brenda shumëzërëshit të madh.”
Në brendësi të repertorit të propozuar në këtë kompakt disk, dallohen dy lloje këngësh; disa ndjekin metrikën e vargut të kënduar, të tjera referojnë qeliza ritmike, të rregullta. Këto të fundit bëjnë pjese tek vallja e kënduar. Në këtë tipologji këngësh dallojnë këngëtarët Thanas Tona dhe Spiro Bello, veçanërisht tek kënga “Mi Sculai dit tahini”, “Ni pitricu dada cu oili”, “Na-atseli sti-abată” dhe “Napărti di-amari”. Tekstet e gjashtëmbëdhjetë këngëve rrëfejnë histori të thjeshta të jetës së të shkuarës, por edhe probleme bashkëkohëse. Përmbajtjet kapërcejnë një sërë zhanresh tekstuale: nga lirikja tek tragjikja, nga alegorikja tek humoristikja. Në këtë kuptim rezultojnë shumë interesante dy këngët mbi emigrimin, “Americă laiă” dhe “Tşi mi lo doru”, ku marrësi ose solisti i parë, që është Spiro Gramozi, ekzekuton një regjistër të spikatur të sferës akute.
Një tjetër material është “Di cănd deadi laia lună”, që në shqip do të përkthehej “Hënë moj e zeza hënë” paraprihet nga një introduktë e ngadaltë instrumentale, metrikisht e lirë, për klarinetë, violinë, llautë dhe tambur, kur Aleks Mihallari, më i moshuari mes këngëtarëve, i datëlindjes 1935, performon edhe pjesën e dytë. Ai ia merr dhe ia pret këngës, shpjegon Josif Minga kompozitor, kërkues shkencor si edhe drejtor artistik i grupeve muzikore.
Katër instrumentet, të luajtura nga Telando në klarinetë dhe Eraldo Feto violinë, Agron Murati llautë dhe Agron Nasi, në dajre , hyjnë në skenë tek vallja, instrumentalja “Djocul al capedan Ilia”, Vallja e Kapedan Ilias. Albumi fikson kështu një fenomen muzikor me vlerë të madhe, me zëra unikë që do të mbetet si trashëgimi e vlerave kulturore të këtij komuniteti. Pasi albumi u regjistrua pritej përgjigja e publikimit nga “Squilibri”, me të cilët Mikaela Minga kishte pasur përvoja të mëhershme me botimin e librit “Spanja Pipa dhe kënga urbane e Korçës”, në vitin 2015. “Në Shqipëri nuk kemi një etiketë apo shtëpi diskografike të mund të publikojë muzikën me të gjitha parametrat e duhura”, thotë muzikologia. Mikaela Minga, duke i studiuar nga afër këngët e tyre, thotë se kanë tekste për emigrimin, jetën nomade, ngjarjet në komunitet. “Nuk hapen tek fenomene apo ngjarje historike. Janë të mbledhura në jetën nomade dhe me personazhet e komuniteti të tyre. Ka një këngë tjetër, krijuar në nder të Vasil Trashës, pilotit vlleh që humbi jetën në aksident dhe ishte homazh që donin t’i bënin atij, dhe ishte një nga të afërmit e një prej këngëtarëve. Kanë gjithashtu këngë për fenomenin e gjakmarrjes.”
Bashkë me iso-polifoninë në Unesco, është edhe trashëgimia muzikore e arumunëve të Shqipërisë
Deri më tani, albumet muzikore me këngë arumune kanë nisma individuale të publikuara në Shqipëri. “Jo me parametrat, për të cilat flas”, thotë Minga, ndërsa shton se ekziston një antologji e disa studiuesve, ndër të cilët Thede Kahl, një nga njohësit më të rëndësishëm të arumunëve, këngë të Andon Poçit, një fshat në afërsi të Gjirokastrës. “Është kërkim muzikologjie, sepse përfshin edhe rrëfimet, edhe këngët, kurse në këtë rast publikimin do ta konsideroja a të veçantë, sepse bën bashkë edhe elementin dokumentar, edhe elementin artistik, performancën e kuruar.”
Pas viteve ’90, shpjegon Minga, komuniteti arumun do të kalonte një tjetër përplasje kulturore, si ajo e viteve ’50, kur shteti i bëri të integroheshin në shoqërinë shqiptare, por duke sakrifikuar shprehjen me gjuhën e tyre. E megjithatë , në mjediset intime, festa e gëzime, e praktikonin. “Pas viteve ’90 , ndodhi polarizimi dhe politizimi. Emigrimi i largoi nga qendrat e tyre dhe sot kemi brezin e fundit. Në biseda flitej shqetësimi për të ardhmen, brezat që rriten nuk e këndonin këtë këngë. Ky regjistrim është një lloj dokumentimi, Aleks Mihallari, është mbi 80 vjeç…”. Spiro Gramozi dhe Aleks Mihallarin, pas 25 vitesh emigrim në Greqi, i bëri bashkë dëshira për të kënduar si edhe për të rrëfyer jo vetëm historinë e trashëguar, por edhe atë të jetuar. “Në kohën kur Spiro Gramozi, iniciator për këtë projekt, kthehet në Shqipëri, fëmijët e tij emigrojnë në Angli dhe këtë ndarje dhe mall e mbështeti me këngë”, zbulon Minga, duke shtuar se është edhe ndër të parapëlqyerat e saj kjo këngë. Minga, rrëfen më tej se, ndërsa albumi ishte në fazën e post-produksionit, shteti shqiptar e njohu komunitetin arumun si pakicë kombëtare, pasi për 18 vite ishin njohur si pakicë kulturore. “Dhe kjo tregon shumë”, shton studiuesja. Për anëtarin e Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, vlera më e madhe e këtij kompakt disku është dokumentimi i vlerave muzikore polifonike të arumunëve të Shqipërisë.
"Karvanët arumunëve e kanë marrë këngën bashkë me të mirat materiale dhe e kanë qarkulluar, sepse nëse kënga nuk qarkullon në vende dhe grupe të ndryshme shoqërore është e destinuar të shuhet"- Vasil Tole
“Kjo trashëgimi ka qenë pjesë e trashëgimisë muzikore e popullit shqiptar, ka dhënë e ka marrë me të dhe, jo më kot, këto këngë ekzistojnë në të dyja gjuhët, sa në gjuhën e mëmës por edhe në vendin ku u mirëpritën dhe si të tilla kanë qarkulluar në repertorin muzikor të popullit shqiptar, kur i dëgjon dhe i krahason.”Tole thotë se arumunët kanë meritë në përhapjen e këngëve popullore nga njëra krahinë në tjetrën. “Neve që merremi me studimin e trashëgimisë muzikore na bëjnë përshtypje se këngë të veçanta ekzistojnë në dy cepa të ndryshme, në Selenicë të Vlorës apo Gramsh e Pogradec, karvanët arumunëve e kanë marrë bashkë me të mirat materiale dhe e kanë qarkulluar, sepse nëse kënga nuk qarkullon në vende dhe grupe të ndryshme shoqërore është e destinuar të shuhet.” Tole i cilëson të bukura deri në dhimbje këto këngë. “E kanë arritur përsosmërinë përmes këtij qarkullimi, element i pazëvendësueshëm për ekzistencën e tyre.”
Mikaela Minga mendon se për një kohë të gjatë, gjatë polifonia u kthye në një lloj aseti, u përdor dhe u shpërdor për të identifikuar burimin, lashtësinë, duke i larguar nga thelbi, që ishte marrëdhënia me komunitetin dhe vendin kur praktikoheshin. “E kemi vuajtur gjatë komunizmit, por edhe tani me globalizimi, lëvizjen e njerëzve që kjo praktikë të humbasë ndikimin e madh, kur më 1957, sfiduesit Ramadan Sokoli apo Eric Stockman bënë ekspeditën e parë dhe e vunë re si gëlonte kjo praktikë, veçanërisht në jug të Shqipërisë. Na ka çuar ta dëgjojmë ndryshe praktikën shumëzërëshe, e na bëjnë të mos kapemi pas thelbit”, thotë ajo.Sjell, si shembull për këtë, paraqitjen e këtij grupi muzikor në festivalin e iso-polifonisë, në Vlorë, më 2017-ën. “Dhe juria u irritua jo pak, për faktin se nuk kishin kostume. Nuk kishin si të kishin kostume, sepse ishte hera e parë që dilnin. Shpesh priremi ndaj sipërfaqes…”
Kompakt disku muzikor është një tribut edhe për ata që nuk kanë mundur ta përcjellin zërin për më tej. “I bën nder atij komuniteti dhe Pavllo Shollës, mjeshtrit arumun, që ka bërë për muzikën popullore shqiptare sa asnjë nga ne nuk ka bërë”, do ta cilësonte Vasil Tole, duke e parë këtë CD, si një fillesë, për një nismë që, institucionet e shtetit shqiptar, mund të ndërmarrin për të dokumentuar trashëgiminë e minoriteteve. “Një shoqëri do të jetë e kulturuar dhe e zhvilluar nëse bën për kulturën e minoriteve, po aq sa bën për të veten. Dokumentimi dhe popullarizimi mes këtyre formave vetëm na fisnikëron.”Edhe Josif Minga është i mendimit se ky album i bën nder polifonisë toske. “Po shijoja profilin real të këtyre këngëtarëve, shprehur nga forca e karakterit. Siç piktura kthen kohën në hapësirë, muzika kthen hapësirën në kohë. Mbi të gjitha po t’i mendojmë këta personazhe atje në ajrin e pastër, kur fryn era dhe blegërijnë kafshët ka një kuptim, me të vërtetë magjik.”
Siç shkruajnë historianët grekë dhe romakë, rreth viteve 168-146 para erës se re, nga krahina e Toskanës, në Itali u sollën në këto troje afro 150 mijë banorë, të cilët u vendosën si rojtarë buzë rrugës Egnatia, në pika të ndryshme të saj – nga portat e kësaj rruge që ishin në Durrës, Vlorë e Artë e deri në Selanik apo edhe pak më tej. Banorët për të mbijetuar nisën të merreshin edhe me blegtori. Kur në viset e Ballkanit erdhën fiset gjermanike, rreth shekullit të pestë, i dëbuan nëpunësit romakë dhe ata që e cilësonin veten si qytetarë të tillë, por jo vllehët, sepse përgjatë gjashtë shekujve, ata ishin kthyer tashmë në një popullsi dygjuhëshe dhe nuk e quanin veten romakë, por ishin bërë vendas. Mbas rënies së Perandorisë Romake, u kthyen ne një popullsi thjesht blegtorale që shtegtonte gjatë verës, nga fushat drejt maleve. Kështu jetuan gjatë shekujve. Termat arumunë dhe vlleh janë të dyja emërtime të jashtme. Ata e quajnë veten rrãmãn ose armãn, sipas grupeve dialektore të cilëve u përkasin dhe identifikohen si pjesë e Fara Armãneascã “fisi arumun” ose Populu Armãnescu, “populli arumun”, ndërsa gjuha cilësohet si gjuhë romance, dialekt popullor i latinishtes. “Disa nga tekstet i kishin shkruar me alfabetin shqip”, tregon Minga. “Duke mos pasur një alfabet dhe duke mos e shkruar gjuhën, kënga fshihet në dimensionin e folur, të kënduar.”
Minga thotë se do të dëshironte ta vijonte edhe më tej këtë projekt. “Më pëlqen që punën të përpiqem ta përhap, të mos rrijë brenda asaj strukturës së ngushtë shkencore dhe kjo është arsyeja pse synoj drejt këtyre formateve”. Por nuk i fsheh vështirësitë në realizim. “Më duhet të falënderoj tim atë, i cili ishte thelbësor në mënyrën si hyra, ; një femër studiuese, mes gjithë burrave. Nuk do ta kisha pasur të lehtë pa ndërmjetësinë e tij, është mirë të ketë më shumë publikime muzikore, është e rëndësishme, qofshin online, CD, LP, nuk ka rëndësi”, thotë Minga, duke prekur fenomenin e YouTube, që i largon njerëzit gjithnjë e më shumë nga një objekt i prekshëm, siç do të ishte një kompakt disk, në këtë rast. Për Mikaela Mingën, etnomuzikologjia nuk është vetëm renditje e fjalëve dhe melodive. Është e rëndësishme për të zbuluar rëndësinë e praktikave muzikore dhe lidhjet me botën tej muzikës, ku ato gjallojnë, si ky album që dokumenton ndoshta brezin e fundmë të atyre që e këndojnë ende, këngën arumune.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.