Ne rrjet

Mijëra armenë etnikë largohen nga Nagorni Karabak pas mësymjes ushtarake nga Azerbajxhani

Po shkojnë në Armeni, sepse kanë frikë nga dhuna apo diskriminimi nga Azerbajxhani, i cili ka marrë kontrollin e territorit. Presidenti armen flet për “spastrim etnik”

Gazeta Si – Midis të dielës dhe të hënës, pothuajse 3 mijë armenë etnikë që jetonin në Nagorni Karabakh, një shtet separatist që ndodhet në territorin e Azerbajxhanit, por që banohet kryesisht nga armenë etnikë, braktisën shtëpitë e tyre për të shkuar në Armeni.

Ata ishin të parët ndër dhjetëra mijëra, të cilët besohet se do të largohen nga Karabaku për shkak të operacionit ushtarak të javës së kaluar, në të cilin ushtria e Azerbajxhanit mori kontrollin e pothuajse të gjithë territorit dhe detyroi autoritetet lokale (të lidhura me qeverinë e Armenisë) të dorëzoheshin.

Nagorni Karabaku është një territor me rreth 120 mijë banorë, kryesisht armenë etnikë: që nga viti 1993 ishte një shtet i vogël “de fakto” i pavarur, por tani ka shumë të ngjarë të shpërbëhet brenda Azerbajxhanit, i cili ka një shumicë myslimane dhe turq etnikë.

Zona kishte qenë në qendër të pretendimeve etnike dhe territoriale për dekada të tëra, të cilat në të kaluarën kishin shkaktuar edhe dy luftëra, në të cilat u vranë mijëra njerëz.

Shumë armenë etnikë që jetonin në Nagorni Karabakh tani kanë frikë nga persekutimi.

Qeveria armene tha se 1,050 njerëz nga Nagorni Karabakh kishin kaluar kufirin për në Armeni të dielën në mbrëmje.

Deri të hënën në mëngjes shifra tashmë kishte tejkaluar 2,900. Disa njerëz mbërritën me makinat e tyre dhe të tjerë me autobus; 23 nga të cilët u plagosën gjatë operacionit ushtarak të Azerbajxhanit, udhëtuan me ambulancë, falë bashkëpunimit të Kryqit të Kuq

Për dekada, Azerbajxhani ishte përpjekur të rimarrë Karabakun dhe në vitin 2020 nisi një luftë të re kundër Armenisë, të cilën arriti ta fitonte, duke ripushtuar një pjesë të madhe të territorit të rajonit.

Armenëve të Nagorni Karabakut u kishte mbetur një pjesë e vogël e territorit që ata ende e qeverisnin në mënyrë të pavarur dhe që lidhej me Armeninë me vetëm një rrugë, “korridorin e Laçinit”.

Në nëntë muajt e fundit, Azerbajxhani e kishte bllokuar pothuajse tërësisht këtë korridor, nga i cili Nagorni Karabahu merrte 90 për qind të nevojave të tij elementare, duke i shkaktuar vuajtje të mëdha popullatës vendase.

Të martën e kaluar, Azerbajxhani sulmoi edhe këto territore të fundit të mbetura, të cilat përfshijnë kryeqytetin Stepanakert, me pretekstin e kryerjes së një “operacioni antiterror”.

Brenda 24 orëve, autoritetet e Nagorni Karabakut ishin detyruar të dorëzoheshin dhe të pranonin një armëpushim që në fakt ishte një dorëzim.

Tashmë javën e kaluar kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, kishte bërë të ditur se vendi ishte gati të mirëpresë rreth 40 mijë familje nga Nagorni Karabaku.

Në një fjalim të dielën, Pashinyan tha se armenët etnikë që mbeten në territor rrezikojnë “spastrimin etnik” nëse nuk futet një “mekanizëm efektiv mbrojtës”.

Fillimisht, rreth 800 armenë etnikë të zhvendosur nga operacioni ushtarak u mirëpritën nga një mision rus i cili zyrtarisht merret me ruajtjen e paqes, domethënë mbështetjen e autoriteteve lokale në “ruajtjen e paqes”.

Për dekada, Rusia kishte mbajtur marrëdhënie me Armeninë dhe Azerbajxhanin, duke ndihmuar në sigurimin e paqes në rajon.

Kur Azerbajxhani sulmoi territoret armene të Nagorni Karabakut të martën, Rusia nuk bëri asgjë.

Paqeruajtësit rusë, të cilët kishin për qëllim të ruanin gjendjen e punëve dhe ekuilibrin midis azerëve dhe armenëve, nuk reaguan ndaj sulmit dhe qëndruan në bazat e tyre.

Sheila Paylan, një aktiviste për të drejtat e njeriut dhe eksperte për konfliktin në rajon, pohon megjithatë se Azerbajxhani nuk do të kishte vepruar pa pëlqimin e Rusisë.

Sipas disa analistëve, duke vendosur të mos ndërhynte në favor të Nagorni Karabakut, Rusia në njëfarë kuptimi donte të ndëshkonte Armeninë dhe veçanërisht Pashinyanin për përpjekjen e tij për t’u afruar me Perëndimin.

Tradicionalisht Rusia duhet të ketë një aleancë më të fortë me Armeninë, me të cilën ka nënshkruar edhe një traktat të ndërsjellë të mbrojtjes ushtarake.

Por, Armenia është një vend i vogël dhe i varfër, Azerbajxhani është një nga eksportuesit kryesorë të gazit në botë, shumë më i pasur dhe një treg më i madh dhe më i begatë për produktet dhe armët e prodhimit rus.

Prandaj, për disa kohë, Rusia e ka konsideruar më të përshtatshme të mbajë marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin sesa me aleatin e saj të vjetër armen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë