Nga Gazeta ‘Si’- Në mesnatë përfundon afati për emigrantët, të cilët duan të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Interesi i lartë i emigrantëve që u pa ditët e fundit në sistemin PER, bëri që Partia Demokratike të ngrejë pretendimet mbi afatet.
Prej më shumë se një jave, kreu i PD Sali Berisha ka kërkuar që afatet të zgjaten minimumi deri me 9 mars. Mirëpo, as në seancën plenare të së enjtes së kaluar dhe as më pas, mazhoranca nuk ka qenë dakord me propozimin e opozitës.
‘Topi’ për të gjetur të mesmen e artë i kaloi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë, kreu i tij, Ilirjan Celibashi deklaroi dje(3 mars) në një konferencë për media se nuk bën dot asgjë pa konsensus politik.
Zgjidhja e vetme, sipas tij, është që të mos priten aplikime të reja pas 8 marsit, por thjesht të ndihmohen për të ribërë saktë aplikimin 42 mijë aplikantët që janë refuzuar.
“Kemi mundësinë t’i kontaktojmë online dhe t’i udhëzojmë”, sugjeroi Celibashi.
Në fakt, ky është dhe propozimi i vetëm me të cilën ra dakord edhe Partia Socialiste.
Përfaqësuesja e socialistëve pranë KQZ, Elena Xhina, tha se afati nuk ka përse të shtyhet për të gjithë emigrantët, por të ndihmohen vetëm ata që kanë shprehur vullnetin për të votuar, kërkesat e të cilëve janë refuzuar nga KQZ-ja.
“Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42.000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qenit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund t’u krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin.
Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER”, tha ajo.
Sipas socialistëve, çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vetë logjikën e afateve në një proces të tillë.
Por, për PD-në, as ky plotësim i pjesshëm i dëshirës së tyre, nuk është i mjaftueshëm.
Lideri i saj Sali Berisha, në një konferencë për media, i bëri sërish thirrje KQZ-së, për zgjatje të afatit. Madje ai akuzoi kryeministrin Edi Rama, se duke pasur frikë sipas tij nga vota e diasporës, ka urdhëruar përfaqësuesit e tij në KQZ që të mos lejojnë zgjatjen e afateve.
Deri tani, pak orë para përfundimit të afatit, sipas të dhënave në PER, janë regjistruar 285 mijë kërkesa nga diaspora, ku janë miratuar vetëm 228 mijë prej tyre.

Kërkesat më të mëdha sipas shteteve janë nga Italia, Greqia dhe Gjermania. Ndërkohë, sipas qarqeve mbeten Tirana dhe Fieri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



