Analize

Migrimi po fundos shumë udhëheqës, nga Biden tek Macron. Kush e ka radhën?

Nga Gazeta ‘Si’-Udhëheqësit perëndimorë e kanë shumë të vështirë teksa po përballen me dy luftëra që po përcaktojnë epokën tonë në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Por një problem tjetër, shumë më pranë shtëpisë, po i zhyt në krizë qeveritë në Evropë dhe Amerikë: migrimi.

Ditët e fundit, presidenti i SHBA Joe Biden, homologu i tij francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, janë përfshirë në më shumë telashe për shkak të presioneve të mëdha të brendshme për të adresuar sfidën e emigracionit. Pozitat e të treve janë dobësuar ndjeshëm nga kjo problematikë akute.

Ndërsa votuesit amerikanë, britanikë dhe evropianë po shkojnë drejt qendrave të votimit në vitin 2024, rreziqet janë jo pak të larta. “Ka një tundim për të kërkuar zgjidhje të shpejta. Por migrimi i parregullt, është një çështje tepër sfiduese. Dhe zgjidhja e tij kërkon një strategji politike afatgjatë që shtrihet përtej kufijve kombëtarë”- thotë Rashmin Sagoo, drejtor i programit të së drejtës ndërkombëtare në institutin kërkimor “Chatham House” me qendër në Londër.

Teksa kanë nisur fushatat zgjedhore, mund të jetë e vështirë të hartohen plane afatgjata. Populistët e ekstremit të djathtë që janë haptazi kundër emigrantëve. Ata premtojnë përgjigje të ashpra, dhe po fitojnë një mbështetje të gjerë tek shumë demokraci perëndimore, duke i detyruar partitë kryesore të llogarisin kostot e qëndrimeve të tyre aktuale. Më pak se një muaj më parë në Holandë, centristët holandezë pragmatikë humbën përballë një politikani radikal kundër emigrantëve. Po kush do të jetë i munduri i radhës?

Rishi Sunak, Britania e Madhe 

Në Britani, kryeministri Sunak ndodhet nën presionin e fortë të anëtarëve të Partisë së tij Konservatore, të cilët druhen se votuesit do t’i ndëshkojnë ata për dështimin e qeverisë për

të kontrolluar migracionin e paligjshëm. Shtatë vjet më parë, votuesit e mbështetën Brexit-in sepse aktivistët euroskeptikë premtuan se do të “rimarrim kontrollin” e kufijve kombëtarë.

Në fakt situata sot është më kaotike se kurrë më parë. Mbretëria e Bashkuar regjistroi shifra rekord të migracionit muajin e kaluar, ndërsa qeveria ka dështuar deri më sot të ndalojë varkat e vogla të mbushura me azilkërkues që ta kalojnë Kanalin Anglez. Sunak është tani në qendër të kritikave.

Edhe pse ia doli t’i mbijetojë një mocioni të martën e javës së kaluar, kryeministri britanik përballet ende me një betejë të fortë mbi projektligjin e Ruandës në fillim të vitit të ardhshëm. Sunak nuk ka shumë kohë në dispozicion për të gjetur një zgjidhje, pasi vjeshtën e vitit të ardhshëm mbahen zgjedhjet parlamentare.

Emmanuel Macron, Francë

Presidenti francez pësoi një goditje të fortë javën e kaluar, kur dhoma e ulët e parlamentit hodhi poshtë projektligjin e tij kryesor për migracionin. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare vitin e kaluar, Macron a ka shumë të vështirë të miratojë ligjet që synon, duke u detyruar të mbështetet në jo pak raste tek votat e partisë së krahut të djathtë, Les Républicains (Republikanët).

Projektligji i Macron mbi migracionin, synonte të kënaqte si konservatorët ashtu edhe qendrën e majtë, me një përzierje masash represive dhe liberale. Pas refuzimit të tij, Macron po kërkon një kompromis, por ka të ngjarë që drafti i ri të jetë më i ashpër se ai fillestar, duke pasur parasysh se Senati dominohet nga qendra e djathtë, dhe ky do të jetë një problem për ligjvënësit me prirje të majtë të Macron.

Nëse nuk gjendet një kompromis, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen do të përfitojë nga dështimi i Macron, vetëm pak muajt përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që do të mbahen qershorin e vitit të ardhshëm.

Joe Biden, Shtetet e Bashkuara  

Biden e mori detyrën e presidentit duke u zotuar të ndryshojë politikat e paraardhësit të tij, Donald Trump, dhe të ndërtojë një sistem migrimi “të drejtë dhe njerëzor”. Por Kongresi e ka refuzuar planin e tij mbi reformën gjithëpërfshirëse të sistemit migracionit.

Ndërkohë SHBA kanë vazhduar të hyjnë qindra mijëra emigrantë nga kufiri jugor i vendit. Teksa po afrohen zgjedhjet e reja presidenciale, republikanët po përpiqen të përfitojnë nga situata. Nëpër shtete të veçanta ata kanë ngritur padi kundër administratës Biden, dhe kanë dërguar autobusë me emigrantë në qytetet e udhëhequra nga demokratët.

Në Uashington, republikanët në Kongres e kanë kushtëzuar miratimin e paketës së ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin me ndryshimet gjithëpërfshirëse në politikat kufitare, duke e vendosur në një pozitë shumë të vështirë Shtëpinë e Bardhë.

Olaf Scholz, Gjermani

Në një vend që renditet ndër destinacionet më të lakmuara për azilkërkuesit, paaftësia për të kufizuar numrin e refugjatëve, e ka vënë nën një presion të jashtëzakonshëm kancelarin gjerman Olaf Scholz. Duke shpresuar të frenojë disi fluksin, Gjermania ka rivendosur kohët e fundit kontrollet kufitare me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën.

Megjithatë edhe me kontrollet kufitare, numri i refugjatëve mbetet i lartë, dhe kjo ka qenë një ndihmë për të djathtën ekstreme. Partia kundër emigrantëve Alternativa për Gjermaninë, ka arritur një mbështetje rekord në sondazhe, 22 për qind, e dyta vetëm pas Kristian Demokratëve të qendrës së djathtë. Ndërkohë kjo e fundit po e ashpërson qëndrimin e saj ndaj migracionit dhe po i kthen shpinën politikës së kufijve të hapur të ish-kancelares Angela Merkel.

Karl Nehammer, Austri

Ashtu si Scholz, edhe lideri austriak ka rënë ndjeshëm në sondazhe për shkak të shqetësimeve mbi migrimin. Austria ka ndërmarrë hapa për të forcuar kontrollet në kufijtë e saj jugorë dhe lindorë. Edhe pse kjo masë ka çuar në një rënie të ardhjeve nga azilkërkuesit, kjo do të thotë nga ana tjetër se Austria ka pezulluar regjimin e udhëtimit të lirë në BE, që ka qenë prej dekadash një ndihmë për ekonominë rajonale. Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, kryeson prej një viti sondazhe dhe është favorite për të fituar zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Giorgia Meloni, Itali

Ajo bëri emër në opozitë, duke premtuar në fushatë një axhendë radikale të së djathtës ekstreme. Por qëkur u zgjodh kryeministre në zgjedhjet e vitit të kaluar, është zhvendosur në pozicione më të moderuara mbi Ukrainën dhe Evropën. Megjithatë ajo duhet të qetësojë bazën e saj të mbështetësve në lidhje me problemin e migracionit të paligjshëm, një temë që e ka dominuar për vite me radhë debatin në politikën italiane.

Por në vend të kësaj, ajo është detyruar të japë viza për qindra mijëra për emigrantët e ligjshëm për të mbuluar mungesën e fuqisë punëtore. Ndërkohë zbarkimet e paligjshme në Itali janë rritur me rreth 50 për qind nga viti në vit, pavarësisht disa politikave dhe marrëveshjeve tërheqëse për të ndaluar mbërritjet.

Çështja e migracionit e ka futur atë në konflikt me Francën dhe Gjermaninë, ndërsa po përpiqet të krijojë imazhin e një konservatoreje të moderuar. Nëse ajo nuk arrin ta adresojë si duhet këtë çështje, ka të ngjarë të humbasë mbështetjen e gjerë që gëzon. Partneri i saj në koalicioni Matteo Salvini, njihet për qëndrimet e tij ashpra mbi migracionin. Ata janë për momentin zyrtarisht aleatë, por më vonë do të jenë sërish rivalë.

Pedro Sánchez, Spanjë

Qytetet autonome të Spanjës, Ceuta dhe Melilla, në Afrikën Veriore, janë të preferuara nga emigrantët që synojnë të hyjnë në Evropë nga pjesa jugore. Pasi kalojnë kufirin tokësor, kontinenti mund të arrihet lehtësisht përmes tragetit. Pjesa tranzit përmes kufirit tokësor që ndan territorin evropian nga Maroku kontrollohet nga të dyja vendet.

Por vitet e fundit autoritetet e Marokut kanë shprehur pakënaqësi me homologët e tyre spanjollë, duke lejuar kalimin e qindra emigrantëve, që zmbrapsen me forcë nga spanjollët, duke prodhuar incidente që kanë shkaktuar edhe të vdekur. Për këtë arsye, kryeministrit Pedro Sánchez ka ndryshuar qasjen e qeverisë spanjolle ndaj territorin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore, duke përkrahur planin e Rabatit për të zyrtarizuar pushtimin e tij gati 50-vjeçar të zonës. Por ky ndryshim i ka zemëruar aleatët e majtë të Sanchez.

Kyriakos Mitsotakis, Greqi

Greqia ka qenë në ballë të krizës së migracionit që ka prekur Evropën që nga viti 2015, kur qindra mijëra njerëz hynë në kontinent përmes ishujve të Detit Egje. Organizatat e të drejtave të njeriut, por edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, e kanë akuzuar qeverinë konservatore greke të Kyriakos Mitsotakis për “dëbime” të paligjshme të emigrantëve që kanë hyrë në territorin grek.

Athina i mohon këto akuza, duke pretenduar se hetimet e pavarura nuk kanë gjetur asnjë provë. Mitsotakis këmbëngul se Greqia ndjek një politikë “të ashpër por të drejtë”, por shumë investigime e hedhin poshtë profilin e moderuar që dëshiron të shesë në publik lideri konservator grek.

Kur një varkë plot me emigrantë u mbyt në qershor, duke i marrë jetën qindra njerëzve, Amnesty International dhe Human Rights Watch, akuzuan autoritetet greke se kontribuan në atë tragjedi. Ndërkohë, Greqia ka dëshpërimisht nevojë për mijëra punëtorë që të mbështesin sektorët e bujqësisë, turizmit dhe ndërtimit.

Marrë me shkurtime nga Politico.eu/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë