Nga Gazeta ‘Si’-Herën e fundit që Kremlini e sulmoi Finlandën, përdori tanke dhe avionë luftarakë. Tetëdhjetë vjet më vonë, Moskës i duhet vetëm një minibus. Së fundmi autoritetet ruse transportuan 55 azilkërkues nga pikëkalimi kufitar tashmë i mbyllur në Salla, në pikën e fundit të kontrollit të mbetur të hapur në Lotta në veriun e largët, pranë Murmanskut.
Imazhet ishin të tmerrshme:njerëz të dëshpëruar nga Somalia, Iraku dhe Siria që qëndronin në temperatura nën zero gradë, vetëm disa qindra metra larg njërit prej vendeve më të sigurta dhe më të mirë-udhëhequra në botë. Por skenari i hartuar është shumë cinik.
Rusia (dhe vasalja e saj Bjellorusia) i përdorin emigrantët e gjorë si armë në një lojë gjeopolitike, të cilën ata e kanë përdorur për vite me radhë kundër Finlandës, Norvegjisë, shteteve baltike dhe Polonisë. Synimi fillestar është që këto vende të duken mizore dhe hipokrite me dëbimin apo mos-pranimin e njerëzve, kërkesa e të cilëve për azil, meriton të paktën sipas ligjit një shqyrtim të ndershëm.
Ndërkohë qëllimi i dytë dhe më kryesori, është krijimi i tensioneve politike në vendet fqinje. Aktivistët e shoqërisë civile shkojnë në kufi për të ndihmuar emigrantët. Ata më radikalët, thonë se nëse vendet e synuara nga emigrantët mbyllin njëri sy dhe bëjnë disa përjashtime për arsye humanitare, shifrat e të ardhurve të rinj do të rriten nga dhjetëra në qindra, dhe më pas në mijëra.
Besimi tek autoritetet është minuar. Ndërkohë është shtuar frika nga aftësia e Rusisë për të bërë kërdinë në këtë aspekt. Kremlini po përfiton aktualisht nga dy faktorë të ndërlidhur midis tyre. Njëri është kaosi dhe mjerimi që krijojnë refugjatët në vendet në jug dhe lindje të Evropës.
I dyti është frika e votuesve evropianë, se migrimi është i dëmshëm në aspektin ekonomik dhe destabilizues në atë social. Disa nga këto shqetësime, mund t’i atribuohen propagandës ruse. Por shumica nuk janë të tilla. Qoftë për shkak të fatit apo gjykimit të keq, qeveritë evropiane kanë bërë një punë shumë të keqe në menaxhimin e këtyre çështjeve gjatë dekadave të fundit.
Nga Saheli në Lindjen e Mesme vazhdojnë konfliktet, varfëria shkakton mjerim, ndërsa njerëzit vazhdojnë të largohen. Nga ana tjetër, kërkesa në rritje në vendet ku ata shkojnë, i vendos shumë nën presion shërbimet publike. Integrimi në shumë vende duket se ka dështuar. Paaftësia e menaxhimit të situatave të tilla, forcohet për shkak të dështimit të politikave aktuale.
Partitë e establishmentit i thanë publikut të mos shqetësohej, ose i shpërfillën si raciste shqetësimet e tyre. Por fyerja e votuesve ka sjellë efektin e kundërt. Kjo është ajo që ne kemi parë së fundmi edhe në Holandë, ku Partia e Lirisë që është haptazi kundër emigrantëve (dhe miqësore ndaj Kremlinit) e kryesuar nga Geert Wilders, sapo ka fituar shumicën e vendeve në parlament.
Ajo që nuk kanë arritur të kuptojnë vendimmarrësit, është se shqetësimet e votuesve të tyre përbëjnë një pikë të dobët në aspektin e sigurisë kombëtare. Së pari, aktorët e shtetit armiqësor mund ta përdorin arsenalin e mashtrimeve të pista për të rritur frikën, polarizimin dhe mosbesimin.
Së dyti, këto ndjenja do të nxisin ngritjen e partive anti-establishment që i dënojnë angazhimet e gjata shumëpalëshe të sigurisë, dhe që ashtu si Wilders mund të flirtojnë madje edhe me idetë Putiniste për familjen, traditën dhe sovranitetin (natyrisht, realiteti rus është i ndryshëm, por pak nga fansat e huaj të Kremlinit do të marrin mundimin ta zbulojnë).
Në demokracitë e forta dhe me traditë, dëmi është i kufizuar. Jeta do të vazhdojë si zakonisht në Holandë, ashtu siç ka ndodhur në vende të tjera si Danimarkë, Suedi dhe Itali, ku partitë populiste kanë fituar njëfarë fuqie politike.
Çmimi real do të paguhet në Ukrainë, e cila po humbet mbështetjen e jashtme që i nevojitet për ta mundur Rusinë në fushën e betejës. Uniteti evropian, çuditërisht i fortë që nga pushtimi i plotë i vitit 2022, po bie tani. Hungaria po e bllokon këstin e fundit të mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian për Kievin.
Gjermania duket se ka rënë pre e keqkuptimit, sipas të cilit lejimi i fitoreje të pjesshme për Vladimir Putinin, do ta bëjë më të sigurt botën. Shtetet e Bashkuara janë të zëna me atë që po ndodh në Izrael. Polonia po i përshkallëzon politikat e saj proteksioniste, e nxitur nga frika rreth konkurrencës nga ana e shoferëve ukrainas të kamionëve.
Ndërkaq Ukrainës nuk po i dërgohen predha e reja të artilerisë, sikurse i ishin premtuar. Zgjedhjet parlamentare në Holandë dhe rezultati që prodhuan, e errësojnë akoma më tej këtë panoramë të zymtë. Përgjigja afatgjatë është një qeverisje më e mirë. Ndërsa ajo afatshkurtër, duhet të jetë një strategji parandalimi më e mirë. Mjerisht, ne nuk po shohim asnjërën prej tyre.
Burimi: Center for European Policy Analysis/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.