Ne rrjet

Mickovski propozon një serb në krye të Marrëveshjes së Ohrit/ BDI kundër: Stoillkoviç ka qasje putiniste

Nga Gazeta ‘Si’ - Mes emrave të kabinetit të ri qeveritar që kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristjan Mickovski propozoi, njëri prej tyre ka ngjallur veçanërisht shumë aludime.

Ivan Stoillkoviç, kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni dhe partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së, është propozuar për zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve. Këtë Ministri deri më tani e ka udhëhequr Artan Grubi.

Të parët që kanë reaguar me vrik kundër këtij emri të propozuar, ishin politikanët nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Nënkryetari Arbër Ademi deklaroi se e shikon shqetësues faktin që tashmë në krye të Marrëveshjes së Ohrit do të jetë një serb i cili ka mbështetur hapur Rusinë.

“Marrëveshja e Ohrit për herë të parë pas vitit 2001 në dorë të një serbi me bindje putiniste! Ndryshimi sapo filloi!”, shkroi Ademi në Facebook.

Por kush është Stoillkoviç?

Ai konsiderohet një politikan i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përpos qëndrimit të tij kundër Rezolutës së OKB-së për gjenocidin e Srebrencicës, Stoillkoviç njihet gjithashtu për marrëdhëniet e mira me Rusinë.

Sëbashku me Rexhep Ismail Haktanin dhe Borislav Krmovin nga Levica, ai ishte njëri nga tre deputetët të cilët javën e kaluar ishin mysafirë në pritjen shtetërore me rastin e festës kombëtare – Ditës së Rusisë të organizuar nga Ambasada ruse në Shkup.

Në maj të vitit të kaluar Stoilkoviç mori pjesë në forumin ndërkombëtar të sigurisë në Moskë ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik dhe drejtori i Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informacion, Aleksandar Vulin, gjithashtu i shpallur 'non-grata'.

“Përvojë me vlerë të madhe dhe shumë njohuri të reja, ky është bilanci i udhëtimit tim në Rusi”, komentoi ai në Facebook pas pjesëmarrjes në këtë event.

Po bashkëpunime me rusë Stoillkoviç ka pasur edhe më herët. Në 2018-tën ai ishte pjesë e një delegacioni të partive parlamentare të Maqedonisë që u takuan me zëvendëssekretarin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë “Rusia e Bashkuar”, Sergej Zheljeznak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë