Ne rrjet

Mickovski mandatohet si kryeministër i RMV-së: Së shpejti Qeveria e re. BDI po bën lojë të rrezikshme

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski është mandatari i cili në 20 ditët e ardhshme duhet që të formojë qeverinë.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, pasi i dha mandatin, deklaroi se Mickovski ka mundësi serioze të formojë qeverinë.

“Gjatë konstituimit të Kuvendit, të rikujtoj se kryetari i Kuvendit u zgjodh me 76 vota pro. Ky rezultat dhe bisedimet që vijojnë, më japin të drejtë, që të vlerësoj se lideri i VMRO-DPMNE-së, zotëri Hristijan Mickoski, ka mundësi serioze të formojë qeveri, gjegjësisht të marrë 61 vota”, deklaroi Gordana Siljanovska, presidente e RMV-së.

Nga ana tjetër, Mickoski, pasi e mori mandatin, duke paralajmëruar reforma rrënjësore në çdo sferë, deklaroi se së shpejti pritet që të formohet qeveria, konkretisht para afatit të parashikuar ligjor.

“Dua të paralajmëroj se prej sot, së shpejti do të formohet qeveria e re reformuese. Qeveria e cila do të ketë qëllimin dhe detyrën kryesore që të merret me reformat. T’i lëvizë proceset përpara. Të mos fundosemi si shtet dhe shoqëri në moçalin politik, grindjeve politike, por ta zhvillojmë shtetin tonë. Qytetarët e vendit të ndjehen mirë, të mos ketë qytetarë, të rendit të parë dhe të dytë, por të gjithë ne të jemi të barabartë”, tha Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski, tha se qeveria mund të votohet që nesër, por sfidë do të jetë të sigurohet shumicë prej dy të tretave në Kuvend, e cila, do të jetë e nevojshme për ristrukturimin e qeverisë dhe një sërë ligjesh të tjera reformuese.

“Realizimi dhe votimi në kuadër të Kuvendit mund të jetë që nesër, pasi siç është e strukturuar qeveria VMRO-DPMNE-ja ka 61 deputetë. Formalisht, ne mundemi të zgjedhim qeverinë e re, që nesër. Duke i pasur parasysh bisedimet të cilat kanë mbaruar, koalicioni i cili është bërë. Atëherë mund të them se sfida jonë është që do të ketë shumicë prej dy të tretave në Kuvend”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickovski: Funksionarët e BDI-së po luajnë lojë të rrezikshme

Mickovski u tërhoqi vërejtjen funksionarëve të caktuar të BDI-së, që sipas tij, po luajnë lojë të rrezikshme, duke tentuar që bisedimet për formimin e qeverisë t’i zbresin në një nivel të garave numerike dhe etnike. Ai tha se këta individë, e bëjnë këtë lojë prej vitesh, por VMRO nuk do të lejojë as retorikë e as veprimtari të tillë.

“I shoh deklaratat etnocentrike që cilat vijnë nga disa persona zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Në atë mënyrë shohin që sërish të imponojnë provokime etnike në bashkëjetesën në Maqedoni, me faktin që këto bisedime për formimin e qeverisë së re dhe institucioneve të zbriten në çështje se sa kanë fituar shqiptarët, maqedonasit, serbët, vllehët dhe të tjerët. E ndjek me kujdes këtë lojë shumë të rrezikshme, të individëve të cilët, e kanë luajtur këtë lojë në 7 vitet e kaluara. Dhe nëse ashtu vazhdojnë, shumë shpejtë sot, e vërteta do të dalë në shesh”, deklaroi Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickovski tha se procesi i bisedimeve është një përpjekje e partnerëve të rinj për krijimin e një qeverie të re, të denjë për zgjidhjet dhe vendimmarrjet cilësore.

“Nuk dua që këto bisedime të jenë numra dhe të shihen numerikisht. Bisedimet që kemi pasur me partnerët VLEN dhe partia politike ZNAM. Para se gjithash dua që ai të jetë proces, i cili do të ishte vlerë e shtuar, proces i zgjidhjeve dhe vendimeve cilësore. Dhe mendoj se është i tillë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickovski, nuk zbardhi shumë detaje rreth bisedimeve me partnerin tjetër ZNAM, por në opinion qarkullojnë zëra se partia e Maksim Dimitrieskit, do të ketë dy ministri, atë të Drejtësisë dhe të Administratë

Ai brenda 20 ditëve duhet të dorëzojë në Kuvend programin dhe përbërjen qeveritare. Gjatë kësaj periudhe, duhet të mbahet seanca kuvendore ku së paku 61 deputetë duhet të votojnë për formimin e qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë