Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, pret përgjigje nga Brukseli se si do të vijojnë negociatat me Bashkimin Evropian (BE) nëse miratohen ndryshimet kushtetuese.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka ndikim rus në vend, por se euroskepticizmin e nxit një pjesë e politikanëve bullgarë.
“Fatkeqësisht, për shkak të padrejtësisë që iu është bërë qytetarëve të Maqedonisë, ne sot nuk mundemi as negociatat t`i fillojmë. Kjo nuk është një garë ku vetëm duhet të marrim pjesë. Ne kemi ardhur në situatë se kur duhet ta nisim garën, duhet ta dimë ta përfundojmë këtë garë, e jo sërish të kemi pengesa dhe sërish të duhen dekada, nënçmime etj. Unë nuk jam bashkëbisedues i tillë. Po, jam i gatshëm për kompromise, por vetëm nëse kompromisi do të thotë rezultate që do të nënkuptojnë anëtarësimin tonë fuqiplotë në BE” – tha Mickovski.
“Është e logjikshme të punoj me njerëz të besueshëm” – thotë Mickovski për Drejtorin ri të Agjencisë për Siguri Kombëtare, duke paralajmëruar, sic thotë ai, një skandal të madh me përgjimet.
“Dy agjenci, në të kaluarën ishin kala, ku janë targetuar individë të opozitës, në vend që të merren me sigurinë e shtetit. Duhet të frikësohen, për shkak se informacionet e para që po i marr janë të tmerrshme. Për keqpërdorime të ashpra gjatë punës në kundërshtim me interesat e vendit, spiunime të opozitës me të dhëna të fabrikuara e të falsifikuara, ndjekjen e përfaqësuesve opozitar, është dicka që do të jetë një skandal i madh dhe në këtë moment nuk do të flas për detaje, t`ia lëmë kohës” – tha Mickovski.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.