Bota

Miçigan, Biden i bashkohet në grevë punëtorëve të makinave: Meritoni një rritje pagash

Gazeta Si – Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden shkoi në Wayne County në Detroit në shtetin e Miçiganit, për t’u bashkuar me punëtorët në grevë të automobilave.

Mobilizimi u promovua nga Sindikata e Bashkuar Auto Workers kundër prodhuesve të makinave “Ford”, “General Motors” dhe “Stellantis” pas skadimit të kontratës së punës. “Ju meritoni ngritje të konsiderueshme”,  tha Biden, duke folur në një megafon.

Me mbërritjen e tij në mesin e tubuesve, Biden u mirëprit nga presidenti i sindikatës, Shawn Fain, i cili deklaroi se “është një ditë historike”.

Punëtorët “shpëtuan industrinë e automobilave në 2008 dhe më parë dhe bënë shumë sakrifica kur kompanitë ishin në vështirësi. Dhe tani që ata po bëjnë jashtëzakonisht mirë, ju duhet të bëni të njëjtën gjë”, tha numri një i Shtëpisë së Bardhë sërish mes duartrokitjeve të punëtorëve të pranishëm.

UAW, në grevë që prej 15 shtatorit, kërkon rritje pagash prej 36% në katër vjet dhe përmirësime në pensione dhe shëndetësi.

Kundëroferta e kompanive ka mbetur në më pak se gjysma e kërkesave të tyre. Pas një bllokimi fillestar në tre fabrika, greva u shtri në 38 fabrika në njëzet shtete të premten.

Biden tha se UAW bëri sakrifica “të pabesueshme” gjatë krizës së industrisë së automjeteve në 2009. “Ne i shpëtuam ata, është koha që ata të vijnë tek ne”. Në fakt, nuk është për t’u habitur: ai shpesh e ka përcaktuar veten si presidenti më pro sindikatës në histori.

Por kalimi te automjetet elektrike në konkurrencë me Kinën varet gjithashtu nga produktiviteti, për të cilin kompanitë thonë se është i kufizuar nga kostot e punës.

Vazhdimi i grevës mund të ketë pasoja për ekonominë dhe Trump do ta shtrembërojë këtë imazh me megafon kundër Bidenit.

Republikanët besojnë se shtytja për makina elektrike është e papëlqyeshme në mesin e punëtorëve. Sipas këshilltarit të Trump, Jason Miller, është një faktor që “e ka rikthyer Michiganin në lojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë