Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Ervin Mete u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të përforcojnë bashkëpunimin me qëllim tejkalimin e Tregut Rajonal dhe prekjen e Tregut të BE-së, duke i siguruar vendeve të Ballkanit më shumë investime dhe biznese më konkurruese.
Në fjalën e tij gjatë Forumit të Biznesit në Tiranë, Mete theksoi se realizimi i këtyre objektiva do të thotë akses në një treg me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm që mund të mbijetojnë, por edhe të konkurrojnë me atë që 27 vendet e BE-së kanë aktualisht për të ofruar.
Ai rikujtoi se kur u miratua plani i veprimit në 2020-n parashikohej një rritje e PBB-së së rajonit me 6.7%, por kjo nuk ndodhi për shkak të goditjeve të jashtme, por edhe për shkak të ndarjeve që ekzistojnë në BP.
“Ne nuk jemi ende atje! Anketa e Barometrit Ballkanik 2023 tregon se tregtia brenda BP është pothuajse e bllokuar nga pikëpamja rajonale dhe e fokusuar vetëm në tregjet e brendshme. Ekzistojnë sfida që lidhen me përafrimin rregullator, barrën administrative dhe infrastrukturën, avantazhet i tejkalojnë pengesat. Hyrja në Tregun e Vetëm do të lehtësonte aksesin në ngritjen e një biznesi, procedura të thjeshtuara për të investuar dhe akses në mundësitë e prokurimit të BE-së”, tha ministri i sapoemëruar në Forum.
Mete u kërkoi vendeve të Ballkanit Perëndimor të synojnë një rritje të qëndrueshme dhe të gjelbërt duke u fokusuar tek Korsitë Blu, Korsitë e Gjelbëra, pikat e kalimit kufitar me një ndalesë me shtetet anëtare të BE-së apo Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar ndërmjet vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




