Drejtësia

Metamorfoza/ Tentativa e vrasjes së vëllezërve Nela dhe trafik droge, dënohen ish-shefi i Krimeve dhe 5 të tjerët

Nga Gazeta Si- GJKKO ka dhënë dënimet për Metamorfoza 2. Gjykata e Posaçme ka dënuar me 15 vite burgim Ismail Zenelin, i cili akuzohet se donte të vriste vëllezërit Albert dhe Edmond Nela në Britani për hakmarrje.

Ismail Zeneli përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul në 10 vite burg, që do e vuajë një burg të sigurisë së lartë.

Ish shefi i Krimeve, Dedan Gjoni është dënuar me 12 vite burg për veprat penale për sigurim kushtesh për vrasje, grup i strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe shpërdorim detyre. Nga gjykimi i shkurtuar, ulet në 8 vite burg.

Ndërsa Bujar Ajeti (Gremizi) është dënuar me 9 vite burg për veprat penale sigurim kushtesh për vrasje, përkrahja e autorit të krimit, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Përfundimisht, në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai do të bëjë 6 vite burg në një burg të sigurisë së lartë.

GJKKO ka dhënë vendimin edhe për anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal:

Adrian Cenaj (Dedja) dënohet me 4 vite burg.

Besmir Murati dënohet me 8 vite burg.

Albert Prenga dënohet me 8 vite burg.

SPAK thotë se nëpërmjet zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”, kishte dokumentuar 4 raste të përfshirjes në trafik të kokainës nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian.

Gjithashtu ata akuzohen se kanë bashkëpunuar për realizimin e një atentati ndaj dy vëllezërve Albert dhe Edmond Nela.

Ngjarja nuk u realizua, teksa ish-efektivi Dedan Gjoni rezulton t’i ketë ndihmuar me informacione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë