Drejtësia

‘Metamorfoza’ / Lirohen Oltion Bistri dhe ish-prokurori i Kukësit, rreth 21 vite burg për të tjerët

Gazeta Si – Pas një seance që zgjati vetëm 5 minuta, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin ndaj anëtarëve të grupit kriminal të arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Në total, 3 prej të akuzuarve u dënuan me 21.6 vite burg, falë edhe gjykimit të shkurtuar që kanë përfituar sipas ligjit, ndërsa për ish-shefin e forcave operacionale, Oltion Bistri, masa u shua dhe u urdhërua lirimi i menjëhershëm nga qelia.

Edhe ish-Prokurrori i Kukësit, Xhevahir Lita u lirua menjëherë në sallën e gjyqqit, pasi kishte shlyer dënimin e plotë.

Ata akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre, përkrahje të autorit të krimit apo dhe për falsifikim dokumentash.

Oltion Bistri – U dënua me 2 vite burg për zbulim të të dhënave sekrete dhe u shpall i pafajshëm për korrupsion dhe pastrim parash. Ai lirohet sot, pasi dënimi i është llogaritur i shlyer gjatë paraburgimit. Ish-shefi i forcave Operacionale, akuzohej se kishte informuar biznesmenin Gjoka për një operacion policor kundër lojërave të fatit.

Xhevair Lita, ish-kryeprokuror i Kukësit – U dënua me 5 vite burg, që me gjykim të shkurtuar u ul në 3.4 vite. Për shkak të shlyerjes së dënimit, u urdhërua gjithashtu lirimi i menjëhershëm.

Xhevahir Lita dyshohej se kishte favorizuar lirimin e parakohshëm të Behar Bajrit në këmbim të përfitimeve monetare.

Edmond Preka – 10 vite burg, të reduktuara në 7 vite. Do t’i vuajë në burg të sigurisë së lartë.

Behar Brajoviç (Bajri) – 13 vite burg, të ulura në 8.8 vite me gjykim të shkurtuar. Vuajtja e dënimit në burg të sigurisë së lartë.

Astmer Bilali – 8 vite e 6 muaj burg, që pas uljes shkojnë në 5.8 vite. Edhe ai do të vuajë dënimin në burg të sigurisë së lartë.

Vendimi për ish-drejtuesin e policisë Ardit Hasanbegaj dhe biznesmenin strategjik Pëllumb Gjoka do të jepet më 2 dhjetor, pasi avokatët e tyre nuk kanë paraqitur ende mbrojtjen. Gjoka akuzohet se ka falsifikuar dokumentat me qëllim përfitimin e një sipërfaqeje toke në zonën bregdetare të Velipojës.

Të gjithë përfituan nga gjykimi i shkurtuar, që ul automatikisht 1/3 e dënimit në rast shpalljeje fajtor. Për vrasjen e Gjin Ndojit, pjesë e transkriptimeve të “Metamorfoza”, ku akuzohen Gjoka, Bajri dhe Preka, procedimi vazhdon veçmas me gjykim të zakonshëm.

Po ashtu, SPAK akuzon Behar Bajrin, Pëllumb Gjokën dhe Edmond Prekën për sigurimin e kushteve që do të mundësonin vrasjen e shtetasve Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Klanthi Musabelli.

Zbardhja e dosjes u bë mbi bazën e komunikimeve të siguruara nga aplikacioni SKY ECC, përdorim i të cilave është kundërshtuar nga disa prej avokatëve të të pandehurve, të cilët pretendojnë se provat janë marrë në mënyrë të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë