Drejtësia

‘Metamorfoza’, GJKKO i refuzon lirinë biznesmenit Pëllumb Gjoka

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për biznesmenin Pëllumb Gjoka, pasi kishte bërë ankimim për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj rrëzoi pretendimet e avokatit të Gjokës, Ylli Manjani, për zbutjen e masës.

Prej korrikut të vitit të kaluar, Gjoka mbahet në paraburgim për disa akuza të rënda penale, në kuadër të operacionit të koduar policor “Metamorfoza”.

Pëllumb Gjoka u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar "Sky ECC", ku në pranga përfunduan efektivë policie, prokurorë e ish-prokurorë.

Gjoka, Edmond Preka, Ardrit Hasanbegaj, Xhevahir Lita dhe Oltian Bistri kanë bërë rekurs për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Posaçme që i mbylli në qeli.

SPAK po i  heton ata për akuza të ndryshme nga vrasja, te përgatitja e atentateve në Tiranë e Shkodër, si dhe korrupsion e shpërdorim detyre.

Nga hetimet e kryera pas zbardhjes së bisedave nga aplikacionet “Sky” dhe “Encro”, policia zbuloi katër ngjarje kriminale të ndodhura në vend, siç ishte tentativa e vrasjes së Gjin Borici Ndoj, ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020.

Në një bisedë midis Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, dyshja planifikojnë eliminimin e Ndojit. Gjoka kërkon me çdo kusht vrasjen e tij, prandaj i kishte vënë në dispozicion Bajrit që të kërkonte sa para të dëshironte, shuma këto që shkonin 100-110 mijë euro.

Gjithashtu, është zbardhur tentativa për vrasjen e Taulant Pepës, po në Shkodër në shkurt 2021.

Nga ana tjetër, është konfirmuar se pjesëtar të këtij grupi kanë siguruar mjetet për vrasjen e Kleant Musabelliu në Tiranë gjatë vitit 2020, si edhe për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorjan Dolit, Gentian Tafilajt dhe  I.Doli  (vëllai i Dorjanit), ndodhur gjatë vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë