Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka nisur këtë të enjte shqyrtimin e çështjes “Metamorfoza”, ndërsa pjesa më e madhe e të pandehurve, ish-prokurorë, ish-zyrtarë policie dhe të dyshuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, kërkuan ndarjen e dosjes dhe gjykim të shkurtuar, në mënyrë që nëse gjenden fajtorë, t’iu ulet 1/3-ta e dënimit.
Por SPAK tha se është kundër ndarjes së çështjes, pasi dëgjoi disa nga të pandehurit, që kërkuan jo vetëm gjykim të shkurtuar, por edhe veçim. Në këto kushte, GJKKO shtyu seancën për në datën 23 prill për një vendim.
Pëllumb Gjoka dhe Edmond Preka
Vetëm biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe i pandehuri tjetër, Edmond Preka nuk pranojnë gjykimin e shkurtuar, por të zakonshëm.
Gurali Braimllari, avokat i Pëllumb Gjokës, tha: “Në kushtet kur nuk u pranua pavlefshmëria e papërdorshmëria e akteve, Goka akuzohet në bashkëpunim me të tjerët si grup i strukturuar kriminal. Gjykata duhej të njihej me qëndrimon tonë, më pas të shprehej ose jo për formën e gjykimit. Nuk mund t’i qëndrojmë në asnjë mënyrë gjykimit të shkurtuar”.
Ndarje e çështjes
Arben Nela, avokati i ish-prokurorit Xhevahir Lita, kërkon ndarjen e çështjes ndaj tij me pjesën tjetër të të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”.
“Kërkojmë ndarjen e çështjes për të pandehurin Xhevahir Lita. Për shkak se hetimi ndaj tij ka qenë i plotë. Lita ka paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar”, – u shpreh Nela.
Gjykim të shkurtuar
Gentian Rumano, përfaqësuesi ligjor i Ardit Hasanbegajt kërkon, gjykim të shkurtuar për klientin e tij. Të njëjtën gjë kërkoi edhe avokati i Astmer Bilalit, i pandehur dhe i akuzuar nga SPAK për dosjen “Metamorfoza”.
Edhe ish-oficeri i Operacionales, Oltion Bistri, gjithashtu përmes avokatit kërkoi gjykim të shkurtuar. “S’ka kërkesa për marjen e provave të reja, nuk ka kërkesa për pavlefshmëri të provave. Kërkojmë të ndahet çështja ndaj tij”, tha Elton Domi, avokati i Bistrit.
Elton Hyseni, avokat i Behar Bajroviçit, shprehu të njëjtën gjë: “Kërkoj gjykim të shkurtuar. Për ndarjen e çështjes e lëmë në vlerësim të gjykatës”.
SPAK kundërshton kërkesat e të pandehurve
Prokuroria e Posaçme (SPAK), përfaqësuar nga prokurori Arben Kraja, kundërshtoi kërkesat për ndarjen e çështjes, duke argumentuar se kjo mund të ndikojë negativisht në shqyrtimin e përgjithshëm të dosjes. Sipas tij, provat janë të qarta dhe të përshkruara konkretisht në fashikujt nga faqja 86 deri në 100, ndërsa të dhënat e siguruara nga aplikacioni i komunikimit të koduar Sky ECC janë harmonizuar me prova të tjera materiale.
“Provat janë të përshkruara konkretisht nga faqja 86-100. Të dhënat e SkyECC janë harmonizuar me prova të tjera. Për ndarjen e çështjes jemi kundër sepse mund të dëmtohet shqyrtimi i çështjes”, tha Kraja.
Pasi dëgjoi palët dhe u tërhoq për një vendim, GJKKO vendosi të marrë kohë për t’u shprehur mbi ndarjen ose jo të çeëhtjes duke shtyrë seancën për më daten 23 prill.
Të pandehurit
Sipas SPAK, biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 si dhe për bashkëpunim në dy vrasje të tjera. Ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-shefi i Forcave Operacionale të Policisë, Oltion Bistri akuzohen për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit.
Po ashtu, të akuzuar për këtë çështje janë Astmer Bilali, Behar Bajri, Edmond Preka dhe ish-oficeri i policisë, Ardit Hasanbegaj.
Grupi u zbulua pas zbërthimit të mesazheve që ata kishin shkëmbyer në aplikacionet “Encro Chat” dhe “SKY ECC”.
Grupit i janë sekuestruar edhe një sërë pasurish të paluajtshme, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tyre janë ende në kërkim, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj, i cili rezulton akoma i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.