Drejtësia

‘Metamorfoza’, Apeli lë nën sekuestro pasuritë e Pëllumb Gjokës në Velipojë

Gazeta Si - Pasuritë e biznesmenit Pëllumb Gjoka do të mbeten nën sekuestro, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit nuk e pranoi kërkesën për lirimin e 3 sipërfaqeve toke në plazhin e Velipojës. 

Prokuroria e Posaçme la nën sekuestro 3 sipërfaqe pylli në Pulaj Plazh të Velipojës, të poseduara nga shoqëri tregtare dhe persona të lidhur me biznesmenin Pëllumb Gjoka.

Ai ndodhet në qeli i arrestuar me dyshimet se ka qenë i përfshirë në porositje vrasjesh në Shkodër dhe Tiranë. Gjoka, i cili ndër të tjera, hetohet nga SPAK edhe si pjesë e një grupi kriminal, dyshohet se i ka përfituar këto prona, duke falsifikuar dokumente në bashkëpunim me persona të tjerë.

Ky sekuestrim erdhi pas hetimit penal të nisur ndaj tij, teksa SPAK ka të hapur edhe hetimin pasuror prej gushtit dhe është duke kaluar në sitë edhe pasuri të tjera në pronësi të biznesmenit dhe të afërmve të tij.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka ra në pranga në fund të muajit korrik, pas zbardhjes së disa komunikimeve në platformën SKY, të sjella nga autoritetet franceze.

Ai dyshohet se ka porositur një atentat në Tiranë të pafinalizuar dhe ka qenë në dijeni dhe siguruar kushte për krime të tjera të kryera, nga Behar Bajri dhe persona të tjerë të arrestuar në këtë dosje të njohur si "Metamorfoza".

Nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve nga Gjoka në bashkëpunim me persona të tjerë.

Gjoka akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”,  si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Anëtarët e grupit, ku është i përfshirë dhe Gjoka, akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikës, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërsa zyrtarët e arrestuar, mes tyre oficeri i policisë Oltian Bistri, akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë