Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të pandehurit e dosjes “Metamorfoza 2”, Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni.
Të gjithë akuzohen për trafik kokaine nga Amerika Latine, sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe pastrim parash.
Çështja u nda për ish-zëvendës drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe ish-punonjësen e policisë, Jonida Babameto. Të dy, ata do të gjykohen me procedurë të zakonshme.
LEXO EDHE:
– Grup kriminal dhe trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK çon në gjyq dosjen me 11 të akuzuar. Roli i Erzen Breçanit dhe ish-shefit të Krimeve, Dedan Gjoni
– Përgjimet e SKY/ Ana e errët e Erzen Breçanit
Gjithashtu gjykata shpalli moskompetencën duke dërguar dosjen në ngarkim të Breçanit dhe Babametos në Gjykatën e Tiranës.
Ish-oficeri i lartë i policisë, në sallën e gjyqit u shpreh se nuk mund të pranojë të gjykohet me provat e paraqitura nga SPAK.
“Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e ‘pastrimit të parave’, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite me disa biznese”, – u shpreh Breçani.
Por gjatë seancës, prokurori i dosjes, Vladimir Mara u shpreh se Erzen Breçani ka përdorur një kod-pin në aplikacionin “Sky Ecc”, të cilin më parë e ka përdorur bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Ndërkohë, gjykata i ka ndarë nga ky proces personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim, mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023.
Ky grup i strukturuar kriminal akuzohet për “trafik ndërkombëtar droge” në disa episode, “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, “nxjerrje e informacionit sekret”.
Hetimet ndaj tyre janë kryer në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze, holandeze, belge, gjermane, braziliane dhe kolumbiane.
Grupi i strukturuar kriminal, sipas Prokurorisë së Posaçme karakterizohet nga një organizim i mirëkoordinuar dhe bashkëpunim i ngushtë mes anëtarëve të tij.
Përveç trafikut të narkotikëve, ky grup shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal.
Grupi kriminal është i përfshirë po ashtu në sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve dhe në përkrahjen e autorëve të krimit, duke strehuar dhe ndihmuar individët e kërkuar nga ligji. Nga hetimet është dokumentuar përfshirja e këtyre personave në të paktën 7 aktivitete kriminale.
Ky fakt penal i atribuohet të pandehurve Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, ende në arrati dhe i shpallur në kërkim.
Këta persona në bashkëpunim Ergys Dashi, i ekzekutuar në Ekuador në janar të vitit 2022 dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, për trafikimin e kësaj sasie kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë.
Në datën 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.
Sekuestrimi i kësaj ngarkese me lëndë narkotike të llojit kokainë i është atribuar të pandehurve Ismail Zeneli (në rolin e porositësit dhe financuesit), Artan Sulejmani (financues), Eralbi Breçani (porositës dhe financues), Besmir Murati (porositës dhe financues) dhe shtetasi Ergys Dashi, i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës si dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




