Politike

Meta: Vendi ka nevojë urgjente për gjyqtarë, harta e re gjyqësore nuk e zgjidh problemin   

Presidenti Ilir Meta ka reaguar rreth debatit që ka sjellë propozimi për hartën e re gjyqësore, duke theksuar se vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë e prokurorë të plotësojnë vendet bosh të krijuara në sistemin e drejtësisë.

Situata, sipas Metës, nuk zgjidhet me shkrirje drastike të gjykatave në gjithë vendin.

Presidenti sjell në vëmendje se situata në Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe ngarkesës së lartë është drejt kolapsit dhe thotë se kjo gjendje është e papranueshme dhe “duhet t’i shqetësojë të gjithë”.

“Shkrirja e një numri kaq të madh të Gjykatave të Shkallës së Parë në Rrethe (13 gjykata) dhe Gjykatave të Apeleve (5 Gjykata), me justifikimin se nuk ka gjyqtarë, nuk është zgjidhja as më e mirë, as më e përshtatshme, dhe kurrësesi nuk mundet të jetë në përputhje me standardet europiane”, shkruan më tej Meta në reagim.

“Grumbullimi i gjyqtarëve në një godinë, as nuk përshpejton proceset gjyqësore, as nuk zgjidh problematikën tepër shqetësuese të stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017, dhe as e ul mbingarkesës e gjyqtarëve, aq më pak, as nuk plotëson vendet bosh të krijuara në sistem.

Nisur nga këto zhvillime evidentoj edhe një herë se, vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë dhe prokurorë të cilët të plotësojnë numrin e madh të vendeve bosh të krijuara në sistemin e drejtësisë.

Kjo situatë nuk zgjidhet me shkrirje drastike të disa gjykatave në vend, pasi një riorganizim i tillë, cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes në çështjet penale, civile dhe administrative.

Nisur nga numri i vogël i gjyqtarëve në sistem sot, por dhe nga numri i lartë i çështjeve gjyqësore stok (të mbartura dhe të pashqyrtuara), nëse harta e re gjyqësore, do të miratohet përfundimisht sipas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, atëherë natyrshëm do të kemi:

shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.

Kufizim/cenim të aksesit në sistemin e drejtësisë;

Rritjen e kostove për qytetarin dhe përdoruesit real të gjykatave, si dhe gjithë profesionet e lira të lidhura me sistemin gjyqësor;

Tronditje të sistemit gjyqësor në tërësi përgjatë fazës tranzitore;

Përqendrim të vendimmarrjes së formës së prerë, vetëm në disa gjyqtarë në Tiranë;

Përmes vështirësive, kohës së gjatë të pritjes për një vendim, si dhe rritjes së kostove të ndjekjes së rrugës gjyqësor, do të rritet ndjeshëm humbja e interesit të qytetarit për të ndjekur rrugën ligjore, dhe kjo natyrshëm përligj shqetësimin se mund të sjellë rritjen e fenomenit të vetëgjyqësisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë