Politike

Meta-Veliaj, përplasje në Pezë për zgjedhjet e integrimin

Përvjetori i 77-të i Konferencës së Pezës bëri bashkë pas disa kohësh presidentin Ilir Meta dhe socialistët, që nga zv.kryeministri Erjon Braçe deri te kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Një dalje e parë publike e përbashkët pas akuzave të shumta mes Presidentit dhe mazhorancës dhe mbi të gjitha pas nismës së socialistëve për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Metës. Në këtë ceremoni ishte e pranishme dhe ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, e cila është një nga zërat më të fortë kundër qëndrimeve të Presidentit. Ishte një ceremoni e ftohtë e që në dukje sikur doli jashtë protokollit zyrtar për sa i përket radhës së diskutimeve. Presidenti Meta foli i katërti apo i pesti në radhë dhe pas zëvendëskryeministrit Erjon Braçe.
Ndonëse mes Metës dhe Veliajt pati një shtrëngim duarsh, fjalimet e tyre u shoqëruan me polemika sa i përket pluralizmit dhe çështjes së integrimit në Bashkimit Europian.

Meta dhe Veliaj gjatë takimit në Pezë

“Peza nuk mund të mbetet vetëm histori, por është amaneti i gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për të realizuar vendimin madhor të Konferencës së Pezës për bashkimin e shqiptarëve për çlirimin e Shqipërisë. Sot objektivi ynë kombëtar është integrimi i Shqipërisë, ndaj është koha për të mos e vonuar më këtë proces për shkak të antagonizmit politik të paprinciptë, por është koha për të forcuar bashkëpunimin duke lënë mënjanë interesat afatshkurtra të ngushta në mënyrë që e ardhmja evropiane e Shqipërisë të jetë sa më e shpejtë, sa më e prekshme për fëmijët tanë”, tha Meta.
Pas kësaj fjalën e ka marrë kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj që nuk ngurroi që t’i përgjigjet Presidentit për qëndrimin e mbajtur mbi zgjedhjet apo dhe çështjet e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, duke theksuar se duhet inkurajuar pluralizmi kudo dhe të mos flitet keq për Shqipërinë në kancelaritë e huaja.

Presidenti Meta në ceremoninë e zhvilluar në Pezë, një veteran e ndan atë me zv.kryeministrin Braçe


“Zoti presidenti e tha me të drejtë se ka qenë edhe një hapësirë pluralizmi, ka qenë edhe një hapësirë ku njerëzit pa dallime feje, krahine e bindjesh politike. Megjithatë të gjithë e dinë se pluralizmi ishte këtu në Pezë, por ku u shkrehën armët vetëm partizanët vajtën në betejë për të luftuar. Ndaj patjetër që duhet ta inkurajojmë pluralizmin por kudo, edhe kur shkojmë në kuti të votimit, edhe kur shkojmë e flasim me kancelaritë e huaja, edhe kur përfaqësojmë bindje të caktuara, ama kurrë nuk do të shkrehim pushkë kundër Shqipërisë. Dhe pushka sot nuk është vetëm me plumb, por dhe me fjalë, me çfarë shkruajmë dhe flasim edhe me mënyrën se si sikterisim vendin tonë. Ndaj unë do t’i bashkohem thirrjes “duhet pluralizëm”, por duhet kudo dhe në çdo kohë, edhe kur kemi këto beteja. Nuk mundet “pluralizëm në tavolinë dhe partizanët shkojnë luftë”, kurse të tjerët bëjnë komente se pse nuk u luftua në luftë”, theksoi Veliaj.

Aktiviteti në Pezë


Por përplasjet nuk do të mjaftonin me kaq, Meta do t’i përgjigjej kryebashkiakut të Tiranës përpara gazetarëve duke deklaruar: “Nuk ka pasur asnjë institucion më koherent në respektimin e pluralizmit, bashkëpunimit dhe të standardit dhe të shtetit të së drejtës sesa Presidenti i Republikës. Të gjithë ata që kanë paqartësi, të lexojnë raportin e OSBE/ODIHR”. Sipas tij, aktorët politikë duhet t’i kërkojnë BE-së të hapen negociatat pavarësisht problematikave. “Antagonizmi politik e ka vonuar shumë procesin e integrimit, çdo akt i imi ka qenë në funksion të realizimit të këtij qëllimi. Nëse do të ketë kushte do të ketë për çdo institucion dhe aktor, që secili të mbajë përgjegjësi. Nga këtu do të kuptohet se kush realisht është pengesë për procesin në fjalë”, u shpreh kreu i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë