Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për zonat e përmbytura. Sipas presidentit, në bazë të situatës së përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës,për shkak të reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumnjëve Drin dhe Buna, po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.
“Liqeni i Shkodrës, që ka shkuar në kuota maksimale ka përmbytur tashmë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, ku niveli i ujit raportohet të jetë 40-50 cm.Në pak ditë, sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektar është rritur në rreth 4000 ha dhe sipas paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pritet zgjerim i zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës,” ka deklaruar Meta.
Më tej Presidenti ka shtuar se alarmi i dhënë dhe situata në terren është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen e veçantë të Qeverisë dhe pushtetit vendor, që pa vonesa të mëtejshme duhet të marrin të gjitha masat efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara nga uji, si dhe të bagëtive, që priten të izolohen.
“Sot bisedova edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, znj.Voltana Ademi, e cila më informoi në detaje për gjendjen e rënduar dhe shqetësimin e drejtë të saj për përkeqësimin e mundshëm të situatës, që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse.Duke i garantuar të gjithë mbështetjen institucionale, kërkova prej saj, që Bashkia e Shkodrës të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve. Duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre,” vijon më tej Presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.