Politike

Meta: Të zbulohen autorët dhe paratë. Rama akuzon kompaninë kineze

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Rinas ditën e djeshme, ku u grabit një shumë prej disa miliona eurosh në brendësi të pistës së aeroportit.

Për kreun e shtetit, në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kjo ngjarje është e rëndë dhe e papranueshme, në kushtet kur është përsëritur edhe më parë, pasi ka cenuar sigurinë kombëtare.

“Si president i Republikës e konsideroj ngjarjen cenim serioz të sigurisë kombëtare, të rendit publik dhe imazhit të vendit tone”, nënvizoi Meta.

Ai solli në vëmendje mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në maj të 2018-ës ku u evidentuan problemet e sigurisë në Aeroportin e Rinasit.

“Pika e tretë e axhendës së këtij takimi ishte pikërisht raporti për pikat strategjike portuale dhe aeroportuale të Republikës së Shqipërisë, – vijoi kreu i shtetit. – Kam ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e përgjegjësive të qarta që viheshin re mbi garantimin e sigurisë në aeroportin Nënë Tereza, mangësitë në akses dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në raste rreziku”. Kreu i shtetit kërkoi kapjen e autorëve dhe gjetjen e parave të grabitura, por po ashtu edhe përgjegjësit.

“U kërkoj të gjithë agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri dhe intensitet operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve përgjegjës si dhe për gjetjen e vlerave monetare të grabitura. Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë dhe të përsëritur”.

Meta shtoi se institucioni i Presidentit të Republikës vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe të gjitha konkluzioneve të tij.

Kreu i Shtetit kërkoi nga Prokuroria  të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi të papërgjegjëm që nuk ka kryer detyrën.

Rama: Kompania kineze dështoi me sigurinë e Rinasit

Për herë të parë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka paralajmëron se shteti do të marrë kontrollin e perimetrit të jashtë të sigurisë së brendshme në aeroport.

Ashtu si ministrat e tjerë të linjës në lidhje me këtë ngjarje, Rama tha se kompania kineze ka dështuar në garantimin e sigurisë së aeroportit.

“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme. Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht”, – shkruan Rama në “Twitter”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë