Politike

Meta shpall “non grata” ambasadorin e OSBE, nuk e pret në Presidencë

Presidenti Ilir Meta shpall “non grata” ambasadorin e OSBE ne Tirane Bernd Borchardt. Kjo është bërë e ditur nga presidenca e cila sot ka firmosur një letër drejtuar Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Gjithashtu për këtë vendim, presidenti ka njoftuar edhe ministrinë e Jashtme, drejtorinë e Protokollit të Shtetit.
Dy janë arsyet se Meta ka ndërmarrë një vendim të tillë kaq ekstrem. “Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”, thuhet në letrën që Gazeta “Si” ka siguruar.

Letra e drejtuar nga Presidenca ku bëhet e ditur vendimi i marrë nga Meta kundër ambasadorit të OSBE-së. Gazeta Si 18 nëntor 2019

Pikërisht kjo letër ka qenë arsyeja që sot Borchardt nuk ka qenë prezent në takimin që presidentit Meta pati me presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli. Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën për ” NATO, Demokracia dhe Siguria përballë rreziqeve të avancimeve të shpejta të teknologjisë së informacionit”.
Ndërsa Meta nuk e njeh, qeveria dhe Parlamenti kanë mendim të kundërt. Në takimet që presidenti i Asamblesë së OSBE-së ka pasur me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, Borchardt ka qenë i pranishëm.

Ruçi në takimin me Tsereteli ku i pranishëm ka qenë eshte ambasadori i OSBE. Gazeta Si, 18 nëntor 2019


Në këto dy takimet në fokus kanë qenë reforma zgjedhore dhe bashkëpunimi i ngushtë ku Shqipëria pret të marrë presidencën e radhës së OSBE-së, së bashku me Sllovenisë dhe Italinë, si pjesë e trojkës.
Ruçi në këtë takim ka theksuar se Shqipëria është një lidership në zgjidhjen e problemeve rajonale dhe se polarizimi politik nuk prek Presidencën shqiptare të OSBE. Ndërsa i përket reformës zgjedhore, kryeparlamentari theksoi se është momenti për dialogun politik.
Asambleja parlamentare e OSBE-së ka kërkuar që Shqipëria të jetë e bashkuar për rastin e marrjes së Presidencës së OSBE-së, duke kërkuar kështu edhe zgjidhjen e krizës politike.

Ambassadori Borchardt duke u shoqëruar presidentin e Asamblesë në takimin me kryeministrin Rama. Gazeta Si 18 nëntor


Më 10 qershor të këtij viti, ambasadori duke komentuar dekretin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve u shpreh se kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë, dhe se për këtë duhet të shprehen institucionet. “Kryetari i Radhës i OSBE-së bëri një deklaratë shumë të qartë për këtë javën e shkuar. Ai tha se vendosja e datës së zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tani, është çështje e debatit të brendshëm. Kam besimin se institucionet shqiptare do të gjejnë një vendim të mençur se cila palë ka argumentin më të mirë ligjor”, do të deklaronte ambasadori i OSBE-së.

Ambasadori Borchardt duke u ngritur gishtin e mesit protestuesve

Ndërsa i përket gjestit fyes të kryer më 13 tetor ndaj protestuesve të zonës së Astirit, ambasadori kërkoi publikisht falje. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, prezenca e OSBE-së thekson se ambasadori kërkon ndjesë nëse protestuesit janë fyer. “Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, shkruante ambasadori Borchardt. Reagimi i tij erdhi pas reagimeve të shumta të ardhura nga politikanë të opozitës dhe qytetarë të tjerë në lidhje me gjestin e bërë të dielën gjatë përballjes me protestuesit në rrugë përpara drejtorisë së Policisë.

Pasi njoftimit të shpalljes “non grata” në zyrë të Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, Presidenti Ilir Meta shpërndau për mediat një njoftim mbi një takim që kishte patur këtë të hënë me një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Delegacionit të nivelit të lartë të OSBE që u takua këtë të hënë me Presidentin Ilir Meta i mungonte Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt. Gazeta Si, 18 nëntor 2019

Delegacioni kryesohej nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Roberto Montella dhe në të mungonte Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt.

Sipas njoftimit të Presidencës, kreu i shtetit falënderoi Asamblenë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen që ka dhënë ndër vite për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike të vendit dhe ka kërkuar forcimin e avancimin e reformës në drejtësi, por vetëm sipas Kushtetutës të miratuar me konsensus në 2016.

“Presidenti Meta theksoi me forcë domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi vetëm sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më parë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sa i takon procesit të integrimit, Meta përsëriti besimin e tij se 9 kërkesat e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave.

Në lidhje me kryesimin nga Shqipëria të OSBE-së për vitin 2020, Presidenti mendon se Shqipëria ka mundësinë që të japë një kontribut thelbësor për Organizatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë