Politike

13 tetori iku, Meta: Në 22 nëntor nis ‘beteja’ për Kushtetutën

Presidenti Ilir Meta thotë se ai është në krye të institucionit që po mbron demokracinë, kushtetutshmërinë dhe llogaridhënien e qeverisjes në këtë vend. Meta e cilëson Presidencën “kështjellë të pamposhtur” dhe fton qytetarët që të marrin në dorë të ardhmen e tyre.

“Kjo është një betejë që bëhet në emër të demokracisë. Objektivi i saj është shumë i qartë: duhet të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të marrin në dorë të ardhmen e tyre dhe sovranitetin mbi të ardhmen e tyre, por edhe mbi institucionet, që duhet të japin llogari përpara qytetarëve. Jemi në kushtet kur praktikisht sistemi i llogaridhënies në vend është pothuajse i nivelit zero. Jemi në kushtet e një antagonizmi politik të paprinciptë e artificial, që nuk reflekton raportet e përditshme tolerante të qytetarëve tanë, pavarësisht nga bindjet apo përkatësitë e ndryshme politike. Institucioni i Presidentit është një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe në radhë të parë e vetë Kushtetutës dhe e parimeve të saj”, tha kreu i shtetit në një intervistë për Ora News.

Presidenti Meta thotë se vendi është në një betejë mes kaosit dhe shtetit paralel me shtetin e së drejtës dhe vetë pretendon se është në krah të shtetit të së drejtës.

“Unë e kam quajtur shteti i propagandës dhe i PPP-ve kundër shtetit të së drejtës. Unë jam tepër i vendosur të sillem gjithmonë si President i shtetit të të drejtës, që të mbroj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet e saj themelore dhe të drejtat kushtetuese themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Po përjetojmë një situatë dezinformimi në tërësi në mediat tona dhe kjo është e papranueshme. Është dhunim i një të drejte kushtetuese”, deklaroi ai.

Çfarë mund të bëjë Presidenti i vendit përballë një strukture paralele shtetërore?

“Duke u sjellë në mënyrën më kushtetuese, më institucionale dhe sigurisht duke kërkuar edhe ndihmën e të gjithë aktorëve të tjerë të cilat nuk kanë interesa afatshkurtra politike, por të cilët janë realisht të preokupuar për këtë lloj pengmarrjeje të demokracisë dhe për këtë antagonizëm politik të paprinciptë, që u imponohet nga lart dhe që nuk i shërben Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve”, thotë Meta.

Presidenti i cilësoi shpikje informacionet që flasin për një përballje mes institucionit që ai drejton dhe Parlamentit dhe jep edhe arsyen se përse u shfaq përballë Komisionit Hetimor të ngritur nga socialistët për shkarkimin e tij.

“Beteja e vërtetë është midis shtetit të propagandës dhe PPP-ve dhe shtetit të së drejtës. Unë kam qenë në Kuvend për arsye, sepse nuk mund t’i lejoja shtetit të propagandës luksin që të pretendonte se Presidenti ka bërë një shkelje kushtetuese dhe prandaj nuk ka ardhur. Opinioni publik është bombarduar në mënyrë të vazhdueshme me terma të shpikur që nuk ekzistojnë asgjëkund si “çdekretim” e fjalë të tjera, ndërkohë që ju e patë vetë dhe nga paraqitja ime dhe nga përpjekja ime për t’u përqendruar te çështjet kryesore dhe për të dhënë sqarime sa më shteruese, se Presidenti nuk kishte bërë, nuk ka bërë dhe nuk mund të bënte asnjë shkelje kushtetuese, përveçse ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës, parimeve të saj themelore dhe sidomos të të drejtës për të zgjedhur të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.

Sa u takon hapjes së negociatave, Presidenti Meta përsërit propozimin e tij që BE të ngarkojë me detyra dhe përgjegjësi të posaçme institucionet në Shqipëri. Ai shprehet pesimist se më 18 tetor do të dalë një vendim pozitiv.

“Çdo institucion të vihet para përgjegjësisë në raport me këtë objektiv kombëtar të të gjithë qytetarëve shqiptar, të cilët janë penalizuar padrejtësisht nga ky konflikt, nga ky antagonizëm i paprinciptë politikë. Ne këtë “PO”-në e kemi pasur edhe vitet e kaluara, nuk është se na ka munguar optimizmi, por realisht nuk kemi patur një datë dhe situata është e vështirë që të themi që është përmirësuar, qoftë edhe në raport më zgjedhjet dhe jo vetëm kaq”, thotë Meta.

Në lidhje me 13 tetorin, edhe vetë Presidenti është dorëzuar tërthorazi se kjo datë nuk është datë zgjedhjesh dhe zgjedhe një tjetër datë si tejet të rëndësishme për të.

“Duhet t’ju siguroj që për mua tani ka dy data. Data e parë është 18 tetori, pra unë, nuk do të lodhem më që t’u kujtoj partive që dekreti për 13 tetorin është në fuqi, apo që siç thotë qartë Raporti Final i OSBE/ODIHR: “mosbotimi në Fletoren Zyrtare nga ana e qeverisë, i dekretit të 13 tetorit, është i paligjshëm. Për mua data tjetër përveç 18 tetorit është 22 nëntori, dita kur shqiptarët në vitin 1998 me referendum miratuan Kushtetutën, që natyrisht është sakatuar padrejtësisht që nga viti 2008 e në vazhdimësi”, shtoi ai.

Pikërisht më 22 nëntor, Meta paralajmëron një nismë si President i Republikës.

“Do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptar dhe kjo do të jetë një nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirorganizuar në mënyrë që të mos tolerojmë më në këtë vend shkeljen dhe dhunimin sistematik të të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë”, tha ai.

Presidenti sinjalizoi se në këtë betejë nuk është i vetëm.

“Kjo është një betejë që bëhet për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe këtu janë të gjithë të ftuar të kontribuojnë. Secili duke mbrojtur këto të drejta, secili në këtë mënyrë merr në dorë mundësinë për të ndikuar në qeverisjen e vendit, merr mundësinë për t’u mbrojtur nga çdo papërgjegjshmëri dhe arbitraritet sikurse ka ndodhur”, tha ai.

Nisma nuk varet nga zhvillimet politike, edhe nëse bëhet fjalë për një marrëveshje Rama-Basha.

“Kjo nuk ndryshon asgjë në angazhimet e mia, në rast se të gjitha palët angazhohen t’i respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, kjo është një gjë e mrekullueshme. Por Presidenti në çdo rast do të ketë një axhendë të tij dhe këtë do ta bëjë publike në ditën e referendumit për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë më 22 nëntor, e cila për Presidentin është një ditë e Kushtetutës”, shton ai.

Meta deklaroi personalisht se nuk është i shqetësuar nga një marrëveshje Rama-Basha, por i druhet se një pakt i ngjashëm me 17 majin e 2017-ës mund të çojë vendin në një tjetër krizë. Ai thotë se ka këmbëngulur për një marrëveshje më të gjerë se Rama-Basha.

“Kam insistuar për një bashkëpunim, për një marrëveshje, jo thjesht midis Ramës dhe Bashës, por midis pozitës dhe opozitës. Por absolutisht, që qytetarët shqiptarë janë mjaft të vëmendshëm që çdo marrëveshje në të ardhmen të mos riprodhojë krizë, por të garantojë një reflektim të dy palëve dhe ajo që është më e rëndësishme t’u kthejë atyre sovranitetin. Qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatin e tyre, duhet të zgjedhin deputetët e tyre, sepse këtu ka humbur koncepti i zgjedhjes, që jo vetëm në vend, por edhe nga mënyra sesi bëhen ato, kur bëhen edhe me kandidatë alternativë, sipas edhe atyre dosjeve problematike, që kanë rrjedhur edhe në mediat e huaja edhe këtu edhe kudo”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë