Biznes

Meta planifikon mijëra pushime nga puna brenda kësaj jave

Meta Platforms, pronari i Facebook dhe Instagram, po planifikon një raund të ri pushimesh nga puna dhe do të shkurtojë mijëra punonjës brenda kësaj jave, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.

Kompania më e madhe në botë e rrjeteve sociale po eliminon më shumë vende pune, përveç një reduktimi prej 13% në nëntor, në një përpjekje për t’u bërë një organizatë më efikase.

Në raundin e saj të mëparshëm të shkurtimeve, Meta shkurtoi 11.000 punëtorë në atë që ishte pushimi i saj i parë i madh ndonjëherë. Kompania gjithashtu ka punuar për të rrafshuar organizatën e saj, duke u dhënë paketa blerjeje menaxherëve dhe duke shkurtuar ekipe të tëra që i konsideron jo thelbësore, raportoi Bloomberg News në shkurt, një lëvizje që është ende në finalizim dhe mund të prekë mijëra punonjës.

Raundi i afërt i shkurtimeve po nxitet nga objektivat financiarë. Meta, e cila ka parë një ngadalësim në të ardhurat nga reklamat dhe ka zhvendosur fokusin në një platformë të realitetit virtual të quajtur metaverse, u ka kërkuar drejtorëve dhe nënkryetarëve të bëjnë lista të punonjësve që mund të hiqen, thanë njerëzit. Një zëdhënës i Meta-s nuk pranoi të komentojë mbi planet.

Kjo fazë e pushimeve nga puna mund të finalizohet në javën e ardhshme.

Shkurtimet e nëntorit ishin një surprizë, por një tjetër raund shkarkimesh është pritur gjerësisht nga fuqia punëtore e Metës. Zuckerberg e ka quajtur vitin 2023 si “viti i efikasitetit” të Metës dhe kompania ua ka komunikuar këtë temë punonjësve gjatë rishikimeve të performancës, të cilat u përfunduan javën e kaluar, thanë njerëzit.

Punëtorët në kompaninë me bazë në Menlo Park, Kaliforni përshkruan ankthin e shtuar dhe moralin e ulët mes kolegëve kohët e fundit. Disa punonjës shprehën shqetësimin nëse do të merrnin shpërblimet e tyre, të cilat janë caktuar të shpërndahen këtë muaj, nëse humbin punën paraprakisht, thanë njerëzit.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë