“Shumë i lumtur të merrja pjesë sot në Mëngjesin e Lutjeve në Berlin me temë: ‘Kërkojeni paqen dhe mos iu ndani asaj’. Theksova fort mesazhin për çeljen sa më shpejt të negociatave të pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda qershorit”, kështu shprehet presidenti Ilir Meta për takimin e 24-t Ndërkombëtar në Berlin në Mëngjesin e Lutjeve.
Mëngjesi i Lutjeve është moderuar nga anëtarët e parlamentit gjerman (Bundestag-ut) Albert Weiler dhe Bernd Rützel, me pjesëmarrjen e zotit Joachim Herrman, ministrit të Brendshëm të Landit të Bavarisë dhe shumë politikanëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të fushave të ndryshme.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit dha një mesazh të fortë për BE-në, duke kërkuar çeljen e negociatave për Shqipërinë. Meta tha se shqiptarët presin hapjen e negociatave këtë muaj.
“Bashkatdhetarët dhe bashkatdhetarët e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, është shprehur presidenti Meta në fjalën e tij.
Meta i ftoi të pranishmit që të bashkohen me lutjet, që Shqipëria të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme europiane të merituar.
“Kohët e fundit, bashkësitë e krishtera dhe myslimane nëpërmjet Këshillit të tyre Ndër-fetar bënë apel për urtësi e bashkim kombëtar si dhe për një dialog të mirëfilltë, për t’u dhënë fund politikave ndarëse që turbullojnë vendin. Me përulje ju ftoj të bashkoheni me lutjet tona, që vendi im të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme evropiane të merituar. Lutem gjithashtu që Bashkimi Europian dhe NATO-ja, që mundësuan dhe siguruan paqen, stabilitetin dhe lirinë për këtë kontinent, do të vazhdojnë të kenë sukses dhe të përparojnë, si paqeruajtës të fortë për brezat e ardhshëm”, është shprehur ndër të tjera Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




