Një ditë pas Konventës, Presidenti i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta ka njoftuar ndryshimin e ngjyrave të logos së partisë. Meta, teksa ka ndarë një video me ish-zv.kryeministren e Kosovës, Edita Tahiri, lajmëroi se logoja e re e PL-së do të ketë edhe ngjyrën e gjelbër.
Sipas Metës, kjo ngjyrë simbolizon pranverën dhe rigjenerimin, ndërsa përmes Konventës synohet Rithemelimi i partisë.
“Me këtë rast shpreh kënaqësinë që ngjyrën e gjelbër të pranverës dhe rigjenerimit, nga dje e kemi pjesë të logos së Partisë të Lirisë”.
Meta, gjithashtu në një postim tjetër në mediam sociale, mori kohën për të uruar Erisa Xhixhon “për zgjedhjen e saj shumë të merituar si zëvendëspresidente, të testuar dje përmes një gare të vërtetë me dy zonja të tjera të nderuara si Miranda Rira dhe Myrvete Asqeri”.
Cfarë ndodhi në Konventën e 27 Prillit?
Meta u zgjodh president, kësaj here jo në krye të shtetit, por të Partisë së Lirisë.
Në Konventën e zhvilluar të shtunë, ai mori 690 vota ndërsa kundërshtari i tij Faik Basha vetëm 27 vota.
Në detyrën e zv-presidentes, Erisa Xhixho, mori 680 vota.

Gjatë fjalimit të tij Ilir Meta, kishte një mesazh edhe për ndërkombetarët.
“McGonigalët kujtojnë se ne jemi popull pulash që na thonë shkelni Kushtetutën e bëjeni fërtele. Kështu e bëni në vendet tuaja? I betoni anëtarët e Gjykatës Kushtetuese tek Lana? E zgjidhni Prokurorin e Përgjithshëm me 69 vota nga 84 që ka Kushtetuta.
Nuk bëhen në një vend europian këto në vend anëtar. Prandaj respektin për partnerët që na respektojnë si popull, turp për McGonigalët. Të dali ambasadori i Italisë dhe të diskutojë dekretin e presidentit të Republikës.
Do e kisha shpallur non-grata, por vetëm prej marrëdhënieve me Italinë nuk e bëra. Nëse një ambasador diskuton dekretin e Bajram Begaj unë i pari do dal përpara ambasadës do mbledh njerëz. Sovraniteti i përket popullit.Nëndetësja 105 do kthehet në bazë. Kushtetuta do kthehet atje ku ishte. Të gjithë do kenë fatin e Dvoranit…”, tha Meta.

Më herët ai pati akuza ndaj Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
“Nuk dinte Ilir Meta si Luli dhe tarallaku të merrte nga 1 mln euro, 2 mln euro për të vënë të parin në Fier, të dytin atje apo këtu”, u shpreh kreu i PL-së në Konventë, duke shtuar se vetë zgjodhi të vendoste të parët në listat të rinjtë.
Marrëdhëniet me Monika Kryemadhin
Në nisje të Konventës së Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se konventa nuk kishte të bënte me Kryemadhin, e cila, sipas tij, mund të kandidojë për deputete.
“Si largohet Monika është deputete, mund të zgjidhet deputete se herë të dojë. Besoj se ka mbi 20 mijë vota dyfishin e Boçit. Është anëtare. Do i japim fund nepotizmit, pasi e solli LSI në atë situatë dhe ndihmoi mafien për fat të keq të kapi pushtete. Kjo nuk është konventë kundër Monikës, por për 5 prioritetet”, tha Meta, i cili më pas dominoi edhe fjalën e mbajtur ne Konventë edhe pse axhenda e paracaktonte ndryshe.

Meta cilësoi krim të madh djegien e mandateve. Meta po ashtu tha se dy kompani izraelite të cilat punonin për Bashën dhe për Ramën, kanë punuar kundër LSI-së.
“E dija që ishin dy kompani izraelite, të Ramës dhe të Bashës, të cilat kishin lidhje bashkë. Të dyja punonin kundër LSI-së. Çdo njeri ishte i identifikuar. Ata që nuk ishin blerë u bëheshin presion”.
Më tej ai bëri ndarjen, duke i cuar mesazh njerëzve të Kryemadhit në parti.
“Kush është me Ilir Metën është me mua. Kush nuk është me Ilir Metën dhe është burrë apo grua i jep dorën Ilir Metës dhe i thotë mirupafshim. Ama kush ëndërron për lojëra e ka gabim sepse Ilir Meta ka bërë shkollën e Ramiz Alisë, Fatos Nanos dhe Berishës dhe i ka bërë të gjithë shkolla për tu përballur me mafien”, deklaroi Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



