Presidenti i vendit, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Francë ka nderuar më medaljen “Mjeshtër i madh” ish-futbollistin e kombëtares shqiptare Edvin Murati. Numri një i shtetit është takuar me ish-mesfushorin kuqezi në Paris, ku i ka dorëzuar edhe medaljen. Në postimin në rrjetin social facebook, Meta ka bërë me dije ndër të tjera se kjo medalje është një formë falënderimi për ish-futbollistin për atë që ai ka bërë në karrierën e tij sportive.
Karrierën e Edvin Muratit në futbollin francez, Meta ka cilësuar edhe si një investim në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Sot në qytetin e klubit të famshëm të futbollit Paris-Saint-Germain, pata kënaqësinë e veçantë t’ i akordoja yllit të futbollit tonë, Edvin Murati titullin: “Mjeshtër i Madh”. Së bashku me vlerësimin për kontributin e tij në promovimin e Shqipërisë në Francë, një urim të veçantë për të me rastin e ditëlindjes dhe për familjen e tij të dashur, këtë investim të bukur në marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve tanë.”- shkruhet në postimin e shpërndarë nga presidenti Meta.

Edvin Murati është nga të parët futbollistë shqiptarë që ka luajtur në kampionatin francez të futbollit. Një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij ai ka kaluar me skuadrën e PSG. Prej vitesh ish-mesfushori jeton në Francë me familjen e tij, pasi edhe bashkëshortja e tij është shtetase franceze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




