Presidenti Ilir Meta udhëtoi drejt Tropojës, duke dhënë fillimisht mesazhin se nuk i trembet reformës në drejtësi dhe SPAK-ut. Qëllimi i vizitës së Presidentit ishte pjesëmarrja në ceremoninë e vendosjes së emrit të kongresmenit Eliot Engel në rrugën Gjakovë-Qafë Morinë-Tropojë. Për këtë ditë të veçantë ishte i pranishëm edhe vetë kongresmeni Engel, i cili është kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan.
Pikërisht kjo vizitë e Engel i ka shërbyer presidentit Meta, i cili ditët e fundit nuk ka ngurruar që të sulmojë as ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, apo dhe reformës në drejtësi.

“Sot, në praninë e Tij (Engel) dua të theksoj diçka shumë të thjeshtë: Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane! U përpoq komunizmi për pesëdhjetë vite të shuante çdo ndjenjë proamerikane, por ja që nuk ia arriti dot për shkak se historia e dy vendeve dhe kombeve tona është shumë e thellë dhe është e pa rrezikuar, pavarësisht se intrigat asnjëherë nuk do të përfundojnë për t’i përçarë shqiptarët në emër gjoja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Shqiptarët nuk qëndrojnë në këtë aleancë si një popull pa dinjitet, por qëndrojnë si një popull, i cili ka vuajtur historikisht shumë nga pushtimet dhe nga tiranitë. Populli shqiptar i do dhe do të luftojë më shumë se çdo popull tjetër në botë për idealet amerikane të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, që janë jo vetëm idealet e Amerikës, por edhe të qytetërimit botëror ku edhe ne bëjmë pjesë”, deklaroi Meta në fjalën e tij.

Kreu i shtetit falendëroi kongresmenin amerikan për mbështetjen që i ka dhënë çështjes shqiptare dhe për pavarësinë e Kosovës. “Prandaj i dashur Kongresmeni Engel, ju faleminderit shumë për gjithçka që keni bërë për kombin tonë dhe për gjithçka që ju do të vazhdoni të bëni! Ju uroj shëndet! Zoti t’ju japë fuqi, sepse nga zyra juaj dhe nga dritarja juaj në Uashington shikohen aq qartë dhe aq pastër marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që unë jam i bindur se ne do t’i forcojmë akoma edhe më tej!”, u shpreh Meta.
Presidenti Meta në ditën kur media publikonte intervistën e zv/ndihmës sekretarit të shtetit, Mattew Palmer ku theksonte se për SHBA zgjedhjet janë në 30 qershor, do të reagonte duke cituar një një qëndrim të kongresmentit Engel. Presidenca reagoi përmes zëdhënësit, Tedi Blushi, ku u shpreh se “Presidenti vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës”.

Në Tropojë Meta dhe Engel vendosën në shenjë respekti një buqetë me lule te shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari në sheshin kryesor të Bajram Currit, në prani të personaliteteve të ftuar dhe drejtuesve të pushtetit vendor.
Për këtë akt pati edhe një reagim të menjëhershëm të vajzës së liderit të dhjetorit ’90, deputetes Rudina Hajdari, e cila shprehet se e ndaluan që të ishte prezente në Tropojë.

“Zoti President dhe zoti Besnik Dushaj (Kryetari i Bashkisë Tropojë), kur të jeni sot para bustit të tim eti në Tropojë, duke u hequr si pro-Amerikan të thekur, mos harroni t’i thoni tim eti që fëmijët e tu nuk janë këtu se kështu urdhëroi Partia. Mua më ndaluat të vi në Tropojë, por në Kosovë jo. Rrugë të mbarë”, shkruan Hajdari në Facebook.
Kongresmeni Engel, pasi u vlerësua edhe me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës” për kontributin historik dhënë për miqësinë shqiptaro-amerikane dhe përkushtim ndaj çështjes shqiptare, falënderoi Presidentin Meta, vuri në dukje se: “Aleanca mes popullit shqiptar dhe atij amerikan gjithmonë do të sjellë fat. Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve sepse është vërtet një nder kur një rruge i vihet emri im dhe jam gjallë për ta përjetuar këtë. Ua them miqve të mi në Nju-Jork dhe Uashington se mund të udhëtosh anembanë botës si amerikan, por askund nuk do të trajtohesh aq mirë se sa nga miqtë tanë shqiptarë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




