Politike

Meta kundër Euralius: Jo gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor, përmes të cilës kërkon të vihet në dijeni se në çfarë faze është puna për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, cilëson si të pajustifikuar tejkalimin e afateve për miratimin e akteve të nevojshme nënligjore për plotësimin e këtyre vakancave dhe rrëzon propozimin e Euralius për të emëruar përkohësisht në këtë institucion gjyqtarë të niveleve më të ulta edhe pa e kaluar vettingun.

“Rezulton se KLGJ-ja ka tejkaluar afatin fillestar 3-mujor, edhe me më shumë se 3-muaj të tjerë, periudhë brenda të cilës këshilli duhej të kishte miratuar të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të nisur procedurat e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë sipas Kushtetutës dhe ligjit. Ky afat 3-mujor i përcaktuar nga ligji ka përfunduar në datën 12 mars 2019, ndërkohë që, nga ky moment kanë kaluar edhe 3 muaj e 20 ditë të tjera dhe ende Këshilli i Lartë Gjyqësor rezulton që se nuk ka përmbushur detyrimet e tij ligjore”, shkruan Presidenti në letrën e tij.

Presidenti kritikon KLGJ, që sipas tij nuk i ka kthyer përgjigje shteruese kërkesave të tij mbi procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për plotësimin e vakanceve në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se ky është një detyrim kushtetues.

“Evidentohet se ka një mungesë impenjimi të KLGJ-së për t’i kthyer një përgjigje shteruese kërkesës së Presidentit të Republikës për një ҁështje kaq të rëndësishme. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës për informacionin e kërkuar mbi ecurinë dhe veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjithë procesin e shpalljes dhe administrimit të aplikimeve sipas Kushtetutës dhe ligjit për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, si dhe në çfarë faze është procesi i verifikimit dhe vlerësimit nga Këshilli”, vijon letra e Presidentit.

Meta kërkon që informacioni se ҁfarë është bërë konkretisht deri më tani mbi këtë çështje, t’i vihet në dorëzim sa më parë, me qëlllim, që siç thotë, të identifikohen arsyet e tejkalimit të afateve ligjore për hartimin e akteve nënligjore për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.

“A është shkaktuar kjo shkelje e afateve ligjore për shkaqe të pavarura nga vullneti i KLGJ-së dhe cila ka qenë problematika dhe faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë? Nëse KLGJ-ja është ndeshur me shkaqe të pavarura prej saj, që mund të vijnë nga identifikimi i problematikës në cilësinë e ligjit, Presidenti i Republikës, kërkon të informohet gjithashtu me faktin nëse Këshilli ka kërkuar ose jo pranë Kuvendit të Shqipërisë apo Ministrisë së Drejtësisë ndryshime në legjislacion për përmirësimin e tij?”, pyet Presidenti.

Në pjesën e dytë të përmbajtjes së letrës, Presidenti Meta kundërshton një propozim të misionit ndërkombëtar të Bashkimit Europian, Euralius, i cili pas kërkesës së KLGJ për ndihmë nëse hapësirat ligjore lejojnë “importimin” e gjyqtarëve të niveleve më të ulta në këtë gjykatë përkohësisht i përgjigjet pozitivisht me anë të një opinioni ligjor të dorëzuar më 29 maj.

“KLGJ-ja mund të konsiderojë të përdorë skemën e delegimit dhe caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë, duke transferuar për një afat të përkohshëm dhe me pëlqimin e tyre në Gjykatën e Lartë, gjyqtarë me performancë shumë të mirë profesionale”, vlerëson Euralius në përgjigjen që i ka kthyer KLGJ.

Për Presidentin Meta, kjo zgjidhje bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Presidenti Meta vlerëson se ky propozim cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës; bie ndesh në mënyrë flagrante me parashikimet e nenit 136, 179 pika 4 e 12 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; dëmton rëndë qëllimet kryesore mbi të cilat u ndërmor dhe u miratua paketa kushtetuese dhe ligjore e reformës në sistemin e drejtësisë, cenon besimin e publikut tek organet e reja të sistemit të drejtësisë; bën të mundur që Gjykata e Lartë të funksionojë me gjyqtarë të përkohshëm, të cilët do të ushtrojnë funksionet në gjykatën më të lartë të vendit, pa kaluar më parë procesin e rivlerësimit kalimtar, duke cenuar besimin tek reforma në drejtësi e miratuar 3-vjet më parë”, gjykon Presidenti Ilir Meta në letrën e tij.

Propozimi i Euralius u kritikua edhe nga opozita, që akuzoi se mazhorancën se me të njëjtën skemë që kapi prokurorinë duke emëruar si prokurore të përkohshme Arta Markun, po synon që të kapë edhe Gjykatën e Lartë. Por, KLGJ reagoi duke deklaruar se dokumenti i Euralius është një mendim ligjor dhe se nuk ka asnjë vendimmarrje konkrete për këtë këshillë të ndërkombëtarëve.

Kjo ishte zgjidhja e dytë e këshilluar nga misioni Euralius. Si zgjidhje parësore, ky mision këshilloi ngritjen në detyrë të gjyqtarëve dhe emërimin e kandidatëve jogjyqtarë për në këtë gjykatë. Këtë zgjidhje e mbështet edhe Presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë