Kryeministri Edi Rama tha se Kuvendi do të rrëzojë dekretin e Presidentit Ilir Meta që ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për bashkëqeverisjen.
Gjatë një takimi me qytetarë në Shkodër, kreu i Qeverisë e cilësoi të pakuptimtë këtë kthim nga ana e Presidentit.
“Ligji do të kalojë në Kuvend njësoj siç është dhe e kthen bashkëqeverisjen nga një mekanizëm i vullnetit të mirë në një mekanizëm ligjor. Bashkëqeverisja i jep qytetarit të drejtën dhe mundësi duke u drejtuar në platormën Shqipëria që Duam dhe duke e denoncuar faktin”, tha ai.
Rama u shpreh se bashkëqeverisja ka dy lloje rrugësh për sanksione ndaj zyrtarëve të shtetit që denoncohen nga qytetarët për shkelje.
“Dy lloje rrugësh për sanksione, sanksioni që ka qenë aty gjithmonë, ndjekja penale dhe administrative për të gjithë ata që konstatohet se kanë penguar qytetarin me qëllim dhe sanksioni tjetër financiar. Për vonesat e shkaktuara padrejtësissht, personat përgjegjës paguajnë nga rroga e tyre dëmin që kanë shkaktuar”, tha ai.
Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për bashkëqeverisjen me arsyetimin se ai bie ndesh me Kushtetutën dhe një sërë ligjesh të vendit.
Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca thuhet se përveç Kushtetutës, ligji shkel autonominë e pushtetit vendor, krijon institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash me to, shkel parimin e sigurisë juridike, centralizon pushtet te një institucion në varësi direkte të Kryeministrit, bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe me parimet e funksionimit të administratës shtetërore të sanksionuara në kode dhe ligje të tjera.
Ligji është kundërshtuar edhe nga opozita në forma e rrugë të ndryshme; PD përmes deklaratave, ndërsa LSI e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.